Dr. Ina Zhupa: Mungesa e transparencës të kontratës RTSH-FSHF për kampionatin tejet shqetësuese: Flitet për 1.2 mln euro

 Kryetarja e Komisionit të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik, deputetja Ina Zhupa ka ngritur shqetësimin mbi mungesën e transparencës për kontratën e lidhur pak ditë më parë mes Radio Televizionit Shqiptar dhe Federatës Shqiptare të Futbollit për të drejtën e transmetitmi të futbollit shqiptar.

Në një postim në rrjetet sociale, Zhupa thotë se : Pikëpyetjet dhe mungesa e transparencës mbi të drejtat televizive të RTSH për transmetimin e kampionatit shqiptar që nis sot.

Sigal

Në emër të komisionit të Edukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik, komision përgjegjës për sportet, i uroj suksese kampionatit shqiptar dhe skuadrave pjesmarrëse dhe shpreh angazhimin më të thellë për ta kthyer sportin në qendër të vëmendjes së komisionit tonë.

Pavarësisht që e konsideroj lajm të mirë marrjen e të drejtave televizive nga RTSH, si televizioni, i cili mbahet me paratë e taksave të shqiptarëve, është e domosdoshme të bëhet transparencë dhe të sqarohen disa pikëpyetje në lidhje me procesin e ndjekur dhe kostot që thuhet janë 1.2 milion euro për çdo vit (kontrata 3 vjeçare)

Disa pikëpyetje që vijnë nga mungesa e tranparencës dhe mënyra antiligjore e funksionit të drejtorit të Përgjithshëm të RTSH Alfred Peza.

1- A është diskutuar në Këshillin Drejtues të RTSH siç e kërkon ligji përpara se kjo ofertë të bëhej në FSHF?

2- A kanë qënë blerja e këtyre të drejtave pjesë e planit strategjik, sipas pikës 7, të nenit 102 të ligjit 97/2013?

3- Në lidhje me shumën, thuhet se do të paguhen 1.2 milion euro çdo vit, për një periudhë 3 vjeçare. Cila është shuma e saktë dhe si u arrit te kjo shumë si propozim?

4-A ka qënë pjesë blerja e këtyre të drejtave te buxheti i miratuar nga KDRTSH për vitin 2024 sipas pikës 16 të nenit 102 të ligjit 97/2013?

5- Nëse përputhet me parashikimet buxhetore, atëherë pse RTSH po kërkon hua shtesë nga qeveria në lidhje me këtë shpenzim? Apo kanë dalë përtej parashikimeve buxhetore pa pyetur KDRTSH?

6- Sipas informacioneve në RTSH thuhet se qeveria do mbuloj 2/3 e pagesës. A është e vërtetë? Dhe mbi bazën e kujt ligji, rregulli, vendimi kërkohet dhe do bëhet ky veprim financiar?

7- A ka marr në shqyrtim Këshilli Drejtues një huamarrje nga qeveria sipas pikës 17 të nenit 102 te ligjit 97/2013?

8- A është përgatitur një plan biznesi nga departamenti i marketingut në lidhje me çfarë pritet të jenë pritshmëritë dhe përfitimet nga këto të drejta televizive në planin e reklamave dhe rritjes së RTSH?

Sipas informacioneve KDRTSH nuk është konsideruar për asnjë moment dhe çdo gjë ka qënë vendimarrje personale e drejtorit Peza, dhe është kërkuar më pas nga ata (pas faktit të kryer) të firmosin një vendim qarkullues përsa më lart.

Megjithatë këto pyetje të thjeshta kërkojnë përgjigje për publikun, sepse bëhet fjalë për paratë e shqiptarëve dhe për të drejtën e tyre për informimin dhe transparencë.