Dr. Ina K. Zhupa: Droga “Made in Albania”, sot produkti më i njohur në Europë

476
Sigal

Jemi tashmë të njohur në të gjithë botën, kemi edhe ne një produkt konkurrues në tregun botëror, falë punës dhe përpjekjeve të qeverisë “Rama”. Falë Rilindjes ne njihemi si kryeqyteti europian i drogës. Rilindja ka mundësuar që të flitet gjatë e gjerë, me artikuj, me reportazhe, me dokumentare, me foto dhe dëshmi reale nga mediat më të rëndësishme në botë për drogën që prodhohet në Shqipëri dhe trafikun e gjerë që vlen pas kësaj. Asnjëra nga mediat e huaja nuk ka harruar të shpreh bashkëpunimin e fortë të qeverisë, policisë së shtetit me rrjetin e prodhimit dhe trafikimit të drogës. “BBC” i kushton një reportazh situatës alarmante të drogës “Made in Albania”. Në Tiranë ata vizitojnë një nga prodhuesit e shumtë të drogës, i cili pohon se: “Unë paguaj policinë me 20%. Të gjithë duhet të paguajnë. Nëse nuk paguan, ata do të të çojnë në burg”.

Reportazhi cilëson se, “Shqipëria është bërë prodhuesi më i madh në Europë i kanabisit të rritur në natyrë. Plantacionet e mëdha janë përshkruar si ‘ari i gjelbër’ i fermerëve të ndaluar. Në një vend të varfër kjo është një industri miliarda euro”. “Huffington Post” i tërhoqi vëmendjen produkti më i përhapur shqiptar dhe shkruan se: “Shqipëria, një vend i vogël në Evropën Juglindore është bërë epiqendra e tregtisë evropiane të drogës, veçanërisht për marijuanën. Kjo nuk duket aspak surprizë. Ky aktivitet ka forcuar rritjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit politik”. “The Hill”, website kyç i politikës amerikane paralajmëronte me një artikull presidentin e ardhshëm të SHBAve se: “Konvertimi i kohëve të fundit i Shqipërisë në një strehë të drogës në Ballkan ka fluturuar nën radarët e politikës dhe ka nevojë për vëmendje të menjëhershme të SHBA-ve. Kjo për shkak se Shqipëria është anëtare e NATO-s”.

Artikulli shpjegonte se lidhjet e drogës janë tek Rama dhe Tahiri dhe ndaj kërkon një ndërhyrje amerikane për këtë situatë. Gazeta zvicerane “Le Matin” do të hapte artikullin për vendin tonë me titullin: “Në Shqipëri hashashi kultivohet në shkallë të gjerë në bashkëpunim me policinë”. Duke dërguar reporterin e saj, ata zbulojnë nga afër gjendjen dhe shkruajnë: “Pjesa më e madhe e fushave me kanabis shtrihen në hektarë të tërë dhe ruhen nga njerëz të armatosur 24 orë në 24, gjë që i bën ato gati të papenetrueshme. Totalisht i profesionalizuar, kultivimi i kanabisit është kthyer në çështje shtetërore (affaire d’Etat). Përpara kultivimi i kanabisit ndodhte vetëm në Lazarat. Sot është i vetmi fshat ku nuk ka më! Ajo çfarë ka ndryshuar është niveli i lartë i përshkallëzimit të kultivimit.

Sot trafikantët përdorin avionë dhe mjete ushtarake për transportin e drogës që kultivojnë në të gjithë vendin”. Në shtypin francez ‘AFP’ po ashtu i kushton vëmendje drogës “Made in Albania”, duke shkruar që Shqipëria e vogël, prodhuese kryesore e marijuanës për kontinentin. Mediat italiane për shkak të afërsisë dhe prekjes së drejtpërdrejtë nga trafiku i drogës i kanë kushtuar edhe më shumë vëmendje me artikuj, dokumentare dhe reportazhe. Prokurori i Leçes, Cataldo Motta, në një intervistë për “Rai” dhe në takimin që zhvilloi në Shqipëri vuri në dukje shqetësimin e tij që është rritur jashtë mase sasia e drogës nga Shqipëria dhe është ulur shumë niveli i bashkëpunimit që ofron policia shqiptare. “Corriere della Sera” e titullon reportazhin “Shqipëria, sera europiane e drogës” teksa vë në dukje që, “urdhër arresti i lëshuar nga autoritetet italiane, në Shqipëri nuk ekzekutohet dhe të kërkuarit në mënyrë të pabesueshme arratisen dhe më pas zhduken”.

Po ashtu “Il Fatto Quotidiano”, drogës shqiptare i kushton një reportazh: “Shqipëria, udhëtim në ‘Kanabistan’, aty ku droga rrit ekonominë. Mafia shqiptare përdor Italinë si depozitë”. “Rai” bëri dy reportazhe për drogën në Shqipëri, ku gazetari italian eksploron arat me kanabis në Krujë dhe banori pranon edhe njëherë bashkëpunimin me policinë: “100 euro një bimë, 60 unë e 40 polici”. Ndërkohë që diskutohet për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë, produkti më i njohur “Made in Albania”, droga bëhet çështja kryesore penguese në rrugën tonë për në BE. Televizioni kombëtar gjerman, ‘ARD’ shfaq shqetësim për drogën që mund të vijë nga Shqipëria në rast se i çelen negociatat. “A është Shqipëria gati për bisedime me BE-në?”, shtron pyetjen ky televizion, duke theksuar se me anëtarësimin evropian, droga do të mbërrijë në të gjitha vendet e BE.

“Prodhimi dhe trafikimi i drogës është diçka që nuk i përshtatet Bashkimit Europian, ne nuk e duam këtë. BE-ja është shpresa e së ardhmes për shumicën e shqiptarëve. Shqipëria ‘eksporton’ vetëm marijuanë në përmasa të mëdha, por është gjithashtu rrugë kryesore e trafikut të kokainës nga Amerika Jugore dhe heroinës nga Afganistan”. Të gjitha media ndërkombëtare dhe prestigjioze kanë ngritur problemin e drogës si produkti “Made in Albania” më i njohur, por edhe më i rrezikshmi për shqiptarët dhe për të ardhmen e tyre europiane. Ndërsa, në Shqipëri Rama vazhdon ta mohojë dhe t’i quajë media kazani të gjitha ato që shkruajnë për drogën dhe lidhjet e tij e të akuzojë opozitën që pengon të ardhmen europiane. Milva Ekonomi, ministrja e Ekonomisë pohoi që Edi Rama është ‘brand’-i më i njohur në botë nga Shqipëria, mesa duket e kishte për prodhimin e drogës si produkti më i njohur “Made in Albania” sot. Për këtë jam dakord me të, pa Ramën nuk do ishim më të njohurit në botë për drogën.