Dosje penale për politikanët që kryejnë krime

486
Sigal

Nisma e re e  politike e Aleancës Kuqe Zi, Spahiu:  Nisim fushatën “Fytyra e krimit”

Kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, thirri  departamentin Juridik me juristët dhe ekspertët e ligjit për të komunikuar nisjen e fushatës “FYTYRAT E KRIMIT”.

Aleanca Kuq e Zi do hetojë dhe përgatisë dosjen penale për çdo politikan apo funksionar të lartë të shtetit që kryen krime. Fotot e politikanit, vendi i krimit dhe referenca ligjore do t’i tregohen publikut, por dhe dosjet do dërgohen në prokurori nga juristët e Aleancës Kuq e Zi. Departamenti ligjeve i Aleancës KuqeZi do të publikojë posterin e Kryeministrit Berisha foto e të cilin ishte ndërtuar me vendngjarjet e krimeve të kryera nga 1997 deri në marrëveshjen për dorëzimin e territorit të kanalit Korfuzit pjesërisht në favor të shtetit grek. Ndër të tjera, Kreu i Aleancës KuqeZi, Kreshnik Spahiu deklaroi se: “Parlamenti i ri KuqeZi si dhe qeveria e kuqezinjve pas pak muajsh do i japin fund amnistisë që demokratët dhe socialistët i bënë njëri tjetrit. 8 vite qeverisje demokratësh nuk u ndëshkua asnjë socialist dhe 8 vite socialistësh nuk u ndëshkua asnjë demokrat. Për këto arsye Aleanca KuqeZi ka vendosur të nis me dosjen e parë penale që i përket shtetasit Sali Berisha për veprën penale të parashikuar nga;

  • Neni 208 i Kodit Penal
  • Dorëzimi i Territorit
  • Dorëzimi plotësisht apo pjesërisht i territorit të një shteti apo fuqie të huaj, me qëllim për të cenuar pavarësinë dhe integritetin e vendit, dënohet me burgim jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet ose me burgim të përjetshëm.
  • Neni 210 i Kodit Penal
  • Marrëveshja për Dorëzim Territori
  • Marrëveshja e bërë me fuqi apo shtete të huaja për dorëzim pjesërisht ose tërësisht të territorit apo të forcave të armatosura e materialeve mbrojtëse, me qëllim për të cenuar integritetin e vendit, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.”

Kreu i Aleancës KuqeZi i kërkoi departamentit juridik dhe ekspertëve që të punojnë për dosjen e shtetasit Sali Berisha dhe ta përgatisin atë përpara 100- vjetorit të pavarësisë. Kjo dosje tashmë duhet referuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese ku qeveria e kryesuar nga Kryeministri Berisha ka shkelur hapur kushtetutën dhe integritetin territorial të Republikës Shqipërisë. Ndër të tjera Kreshnik Spahiu theksoi se: “Është në moralin e një shoqërie që jo vetëm të vlerësoj heronjtë dhe rilindësit, por edhe të ndëshkoj tradhtarët e kombit apo ata që kryejnë krime. Shteti dhe shoqëria shqiptare nuk do kenë stabilitet nëse nuk do vendosim një shtet të hekurt ligjor nëpërmjet ndëshkimit të qeveritarëve që kanë kryer krime, ky është respekti më i madh që ne mund të kemi për historinë dhe integritetin e vendit. Shqipëria ka nevojë të aplikoj për modelin kroat që dërgoj në bankon e të akuzuarve ish- kryeministrin Sanader si precedent besimi për t’iu hapur dyert në procesin e integrimit Europian”.  Kjo nismë e Aleancës Kuq e Zi do të vazhdojë të zbatohet për çdo ministër, deputet, kryetar bashkie, komune demokrat dhe socialist që ka kryer vepra penale me qëllim që publiku të jetë i ndërgjegjshëm që pas disa muajsh një shtet i ri do të pastroj vendin nga politikanët kriminel.