Dosja me 170 miliard lekë e Sterilizimit, në darën e SPAK

434
Sigal

Kostot e PPP në shëndetsi kanë dalë jashtë kontrollit. 5 vjetë pasi Ilir Beqaj e shpalli fitues për 100 milion euro, kompanisë së Sterilizimit i shtohen edhe 35 milion euro të tjera. Pas denoncimit në SPAK, dje ministria e Shëndetsisë uli me 25% fitimet e koncesionarit duke faktuar babëzinë. Telegraf bënë gati dosjen për në SPAK edhe për PPP-të e tjera në mjeksi,të cilat arrijnë në 400 miliard lekë

Prof. Dr. Tritan Shehu: Po mbulohet çështja me një ‘arnë’, ndërkohë përgatitet PPP-ja e radhës

Koncesioni i “Sterilizimit” përfundoi në SPAK

SPAK-u filloi të hetojë koncesionin e “Sterilizimit”, duke marrë në pyetje mjekun Artan Koni si një nga 12 personat që duhet të flasin për padinë e depozituar nga Nisma “Thurje” lidhur me kontratën koncesionare të sterilizimit. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka reaguar, pasi koncesioni i sterilizimit përfundoi në SPAK. Ogerta Manastirliu ka deklaruar se kontrata është amenduar, duke ulur kështu me 25% pagesat për qytetarët për 64 mijë ndërhyrje. Sipas saj, në fokus kryesor është siguria e qytetarëve. Koncesioni për sterilizimin u nënshkrua nga Ministria e Shëndetësisë e përfaqësuar në atë kohë nga ish-ministri Ilir Beqja dhe kompania kontraktuese “Sani Service”. Kontrata ishte planifikuar të zgjaste për një periudhë 10-vjeçare, dhe i ka kushtuar buxhetit të shtetit 5 milionë euro më shumë sesa buxheti i parashikuar për të paguar këtë shërbim. Sipas kontratës së nënshkruar, objekt i saj, është sterilizimi i seteve të mjeteve kirurgjikale dhe për 10 vite do ti kushtonte shtetit shqiptar afro 100 milionë euro, ndërkohë që në buxhetin e 2020-s i kanë shtuar këtij koncesioni edhe 34 milionë euro. Gazeta “telegraf” do të denoncojë  dhe do të publikojë së afërmi të gjitha PPP në Shëndetësi, që janë dhënë që nga koha e ish ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj.

Reagon Prof. Dr. Tritan Shehu: PPP-të, mbi filozofi abuzive e dëmtuese

Prof. Dr. Tritan Shehu, reagoi ndaj pretendimit të Ministrisë së Shëndetësisë, se ka amenduar kontratën e sterilizimit, duke e cilësuan atë si një “arnë”, ndërkohë që shton se qeveria përgatit një koncesion tjetër. Prof. Dr. Tritan Shehu: Ministria sot kërkon të mbulojë çështjen e PPP-ve me vetëm «arnën» e kontratës për sterilizimin. PPP-të e Rilindjes në shëndetësi, të gjitha së bashku janë ndërtuar mbi filozofi abuzive e dëmtuese për sistemin dhe unitetin funksional të institucioneve përkatëse. Janë ndërtuar mbi bazën e një centralizmi të thellë duke u pasqyruar kjo dhe në mënyrën qendrore të vendimmarrjes. Kanë krijuar qëllimisht kështu monopole kombëtare private deformueses të tregut, të financuara nga buxheti i shtetit, bllokuese këto për konkurrencën që është në bazë të përmirësimit të cilësisë, uljes së kostos etj e rrezikuar kolaps të sistemit përkatës në rang vendi, me mos funksionimin e secilit prej tyre. Dhe të mendosh se dikush përsëri në fshehtësi po përgatit letrat për PPP e imazherisë apo diçkaje tjetër, qoftë dhe shërbimit urgjencës… Prandaj dhe analiza për PPP duhet bërë, duke filluar nga themeli i përbashkët abuziv, që “Rilindja” i ka ngritur, për të shkuar më tej te analizat e secilës nga ato për veçoritë.

 
Endri Shabani nga Shoqëria Civile: Koncesionari dhe shteti janë një palë

Ministria e thërret koncesionarin dhe i thotë: “Shiko, kemi vendosur të të japim 1.4 milionë euro/vit më pak seç kishim rënë dakord” dhe ai nuk ndihet, nuk proteston, nuk përmend detyrimet kontraktore dhe nuk kërcënon me gjyq. A nuk është kjo prova e qartë se nuk kemi të bëjmë me dy palë, por me vetëm një? Një palë, që pasi është kapur gafil, përpiqet të lëshojë diçka, se e di që e ka trashur zullumin, deri aty ku nuk mban më. Sot vendosën të na kursejnë 1.4 milionë euro në vit nga taksat tona, por ne nuk do të ndalemi derisa ky koncesion të anulohet. Dhe, pas tij, çdo koncesion korruptiv, që po ia merr frymën këtij vendi.