Donika Prela: Mashtrim për mbesën e Ina Ramës, dhe shantazh Natasha Mulajt

512
Sigal

Ish-drejtuesja e Prokurorisë për Krime të Rënda, Donika Prela përballet me fazën e dytë të Vetting-ut

Ish-drejtuesja e Prokurorisë për Krime të Rënda, Donika Prela, ka hyrë në fazën e dytë të Vetting-ut me një strategji hileqare kundër Ina Ramës dhe Natasha Mulaj, dy anëtare të trupës gjykuese që do të shqyrtojnë kërkesën e Komisionerit Publik për shkarkimin e saj nga detyra. Prela, që në hapje të seancës dëgjimore, paraditen e së premtes,  siç shkruan “boldnews.al”, ka kërkuar përjashtimin e Ramës dhe Mulajt, me argumentin se janë në kushtet e konfliktit të interesave. Prela i tha trupës gjykuese se Natasha Mulaj nuk mund të jetë pjesë e trupës gjykuese, pasi ka nën hetim vëllezërit e saj për një çështje pronësie. Ndërsa, për Ina Ramën, Prela tha që nuk mund të gjykojë rastin e saj, pasi i ka hetuar mbesën disa vite më parë, për falsifikim diplome. Nga të dhëna të shumta, në bazë të të cilave jo vetëm dëshmohet se dy anëtaret e Kolegjit të Apelimit, nuk janë në konflikt interesi, por edhe që Donika Prela ka vepruar në kushtet e shkeljes së ligjit, duke krijuar dyshimet për kryerjen e shkeljeve të rënda disiplinore.

Shantazh për Natasha Mulaj?

Donika Prela ka zgjedhur që të godasë kryetaren e trupës së saj gjykuese me argumentin e konfliktit të interesave. Por, në fakt, ajo ka dëshmuar se ka vepruar vetë në kundërshtim flagrant me ligjin, kur ka pranuar të shqyrtojë hetimin ndaj vëllezërve të Natasha Mulaj. Kronologjia e fakteve dëshmon se Prela ka vepruar me vetëdije të plotë, në kundërshtim me ligjin procedurial, ndoshta edhe në një formë shantazhi ndaj Natasha Mulajt, e cila ishte përzgjedhur për të shqyrtuar ankimin e Komisionerit Publik në shkallën e dytë të Vetingut. Në 2 Maj 2019, në kohën kur Donika Prela ishte drejtuese e Prokurorisë për Krime të Rënda, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, njoftoi përbërjen e trupës së Vetting-ut për Donika Prelën. Shorti përzgjodhi kryesuese Natasha Mulajn dhe anëtare, ndër të tjerë, edhe Ina Ramën. Shumë muaj më pas, në Dhjetor 2019, Këshilli i Lartë i Prokurorisë e caktoi Donika Prelës si prokurore në Prokurorinë e Tiranës, pas krijimit të Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK). Si prokurore në Tiranë, Donika Prela, siç deklaroi në seancën e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, ka ndjekur një hetim ndaj vëllezërve të Natasha Mulaj. Por, pikërisht deklaratat e thëna prej saj, dëshmojnë më së paku se Donika Prela ka zgjedhur me vetëdije të vijojë hetimin për vëllezërit e Mulajt, pavarësisht se prej gati një viti e dinte se motra e tyre do të kryesonte seancën për Vetting-un e saj. Pra, duket qartë se  Donika Prela,  ka vepruar tërësisht në kushtet e konfliktit të interesit dhe ishte detyrimi i saj ligjor që të jepte dorëheqjen nga çështja e vëllezërve Mulaj, përsa kohë Natasha Mulaj ishte përzgjedhur si kryesuese e trupës gjykuese.

Por, siç rezultoi në seancë, Donika Prela jo vetëm që nuk ka dhënë dorëheqjen nga ai hetim, por e ka vijuar më tej, duke e përdorur si argument për përjashtimin e Natasha Mulajt nga trupa gjykuese.Këto të dhëna krijojnë dyshimet e forta se Donika Prela mund të ketë përdorur hetimin e vëllezërve Mulaj si një shantazh ndaj motrës së tyre, anëtare e Kolegjit të Apelimit.

“Mashtrimi” me “mbesën” e Ina Ramës

Në vitin 2017, kur Donika Prela ishte prokurore në Durrës, një kontroll i brendshëm zbuloi se një punonjësve e administratës, U.D. një person me lidhje jo të afërta familjare me ish-Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama, nuk kishte dorëzuar diplomën e shkollës së lartë, ndërkohë që kishte deklaruar përfundimin e studimeve universitare. Kjo situatë krijoi dyshimet se ish-punonjësja mund të kishte falsifikuar diplomën. Në qershor të vitit 2017, çështja u regjistrua në prokurorinë e Durrësit dhe iu caktua prokurores Donika Prela. Kjo e fundit, kreu vetëm disa veprime paraprake hetimore dhe më pas vendosi të hiqte dorë nga hetimi, duke ia përcjellë rastin për kompetencë Prokurorisë së Kavajës. Në atë vendim të Korrikut 2017, Prela ka paraqitur disa argumenta, jo fort ligjorë, për të justifikuar heqjen dorë nga hetimi i nisur për shtetasen U.D, vetëm pak javë pasi i ishte caktuar ndjejkja e këtij rasti. Prela ka përdorur disa argumenta, për të cilat edhe vetë ka qenë e bindur se nuk ekzistonin. Donika Prela ka shkruar në vendimin e saj se, megjithëse personi nën hetim nuk ka qenë në pozicion që mund të konsiderohej si rast konflikt interesi, sipas ligjit procedurial, gjithësesi ajo ka vendosur të shmangë konfliktin në dukje të interesave. Argumentat e dobët të paraqitur prej saj për heqjen dorë nga hetimi i shtetases U.D, më shumë sesa ligjorë, duket se kanë qenë një formë “favori” që Prela i ka bërë ish-Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama. Por, 3 vjet pas këtij “favori”, Donika Prela e përdori këtë rast si argument për të kërkuar përjashtimin e Ina Ramës nga shqyrtimi i rastit të saj para Kolegjit të Posaçëm të Apelimit. Donika Prela deklaroi se priste që Ina Rama të jepte dorëheqjen, pasi i kishte hetuar mbesën dhe kjo përbën shkak për njëanshmëri. Në fakt, e vërteta është shumë më ndryshe. Hetimi i plotë është kryer nga Prokuroria e Kavajës, pasi Donika Prela hoqi dorë nga ndjekja e rastit. Në vijim, Prokuroria e Kavajës e dërgoi çështjen për gjykim dhe shtetasja U.D. u dënua me 120 orë punë publike.