Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se “sulmi në Siri mund të ndodhë shumë shpejt ose jo shumë shpejt”.
“Kurrë nuk e kam thënë se kur do të ndodhë sulmi në Siri. Mund të ndodhë shumë shpejt ose jo shumë shpejt. Në çdo rast, Shtetet e Bashkuara, nën administratën time, kanë bërë punë të mirë në çrrënjosjen e Shtetit Islamik nga rajoni”, tha Trump në një postim në Twitter.
Komentet vijnë një ditë pasi presidenti amerikan paralajmëroi Rusinë, aleate të Sirisë, që “të bëhet gati” sepse “sulmet me raketa në Siri mund të ndodhin së shpejti”.
Pak dite më parë Trump ka thënë se do t’i përgjigjet “fuqishëm” sulmit të dyshuar kimik në Duma të Sirisë.
Dhjetëra njerëz kanë humbur jetën nga sulmi i së shtunës, i cili dyshohet se është kryer nga forcat qeveritare siriane.
Kremlini i ka bërë thirrje SHBA-së që të mos e sulmojë Sirinë, duke thënë se një veprim i tillë “mund të destabilizojë në thelb” Lindjen e Mesme.