Ditmir Bushati: Vrapimi me pengesa

71
Sigal

Fillimi i ndryshimeve politike dhe shoqërore në vitet ‘90-të, nën thirrjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, nuk ishte gjetje e ndonjë kompanie marketingu, por shprehje e aspiratës të brezave të tërë për t’u kthyer politikisht aty ku kemi bërë pjesë me kohë shpirtërisht.

Zyrtarizimi i bisedimeve për anëtarësim në BE shënon një moment të rëndësishëm në rrugën e thepisur të Shqipërisë drejt bashkimit me familjen europiane. Ky akt i dha fund një precedenti sfilitës e të panjohur më parë në procesin e zgjerimit, ku ndonëse shtetet anëtare të BE-së skicuan rrugën për në tryezën e bisedimeve për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut qysh prej qershorit të 2018-ës, e më pas në marsin e 2020-ës, ishin në ngërç për ta zyrtarizuar këtë proces. Fillimisht, për shkak të kundërshtimit të Presidentit francez Macron, i cili e kushtëzoi procesin e zgjerimit me reformimin e mëtejshëm të BE-së, çka solli rishikimin e metodologjisë së zgjerimit. Më pas, për shkak të mosmarrëveshjes ndërmjet Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, ku Shqipëria, duke u trajtuar në paketë më fqinjin e saj, për fat të keq, u trajtua si kolateral.

Rruga e thepisur e Shqipërisë drejt BE-së nuk e justifikon entuziazmin dhe mbështetjen popullore për këtë proces.

Rruga e thepisur.

Teksa vrullet e optimizmit dhe pesimizmit zëvendësojnë njëri tjetrin në këtë proces, që është më shumë një proces sesa një “pikë fundore”, është mirë që analizën ta nisim nga vetja. Fillimi i ndryshimeve politike dhe shoqërore në vitet ‘90-të, nën thirrjen “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, nuk ishte gjetje e ndonje kompanie marketingu, por shprehje e aspiratës të brezave të tërë për t’u kthyer politikisht aty ku kemi bërë pjesë me kohë shpirtërisht, pasi lidhja jonë me Europën ka qenë dhe mbetet organike. Rruga e thepisur e Shqipërisë drejt BE-së nuk e justifikon entuziazmin dhe mbështetjen popullore për këtë proces. Para së gjithash, ajo ka lidhje me procesin e vështirë të shtetkonsolidimit demokratik, ku pasqyrohen dobësitë e sistemit demokratik, vështirësia e kultivimit të vlerave më të mira europiane të shtetit të së drejtës, polarizimi i tejskajshëm i jetës politike, dhe prapambetja ekonomike, shoqëruar me format e kapitalizmit grabitqar. Megjithëse pikënisja e Shqipërisë ishte e ndryshme nga shtetet e Europës Qendrore dhe Lindore, prapëseprapë vonesat në procesin e anëtarësimit në BE janë të pajustifikueshme. Në fund të viteve ‘80 Shqipëria ishte i vetmi shtet në Europë që nuk kishte asnjë lidhje politike dhe ekonomike me Komunitetin Europian. Por, është po aq e vërtetë se në vitin 1996, Shqipëria ishte i vetmi shtet në rajonin për të cilën Këshilli i kërkoi Komisionit Europian që të paraqiste një propozim formal për arritjen e një marrëveshje asociimi sui generis. Zgjedhjet parlamentare të parregullta të Majit të 1996-ës, së bashku me krizën e thellë financiare dhe sociale që pasoi në vitin 1997, e futën Shqipërinë në një spirale tjetër.

Kështu, Shqipëria humbi një rast të artë për t’u zhvilluar më shpejt duke hyrë në një fazë më të avancuar të marrëdhënieve me BE-në, me objektiv nënshkrimin e një marrëveshjeje të ngjashme me ato që kishin nënshkruar shtetet e Europës Qendrore dhe Lindore. Hyrja në këtë fazë do ta shkëpuste Shqipërinë nga shtetet e tjera, të cilat më vonë u përfshinë nga BE-ja në Procesin e Stabilizim Asociimit. Që prej asaj kohe, për çdo hap të hedhur nga Shqipëria në procesin e anëtarësimit të BE, ritmet kanë qenë zhgënjyese (bisedimet dhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit; aplikimi për anëtarësim në BE dhe marrja e statusit kandidat; vendimi dhe zyrtarizimi për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE).

Tipologjia politike dhe metodologjike e ndryshme ka krijuar vetvetiu procese të ndryshme nga pikëpamja përmbajtësore dhe afatet kohore për anëtarësimin në BE. Bie fjala, procesi nëpër të cilën kaluan shtetet e Europës Perëndimore ishte më i natyrshëm dhe më i shpejtë.

Mësimet që duhen nxjerrë.

Shqipëria ka humbur kohë rrugës duke u vetpenguar në etapa të ndryshme të këtij procesi dhe duke reflektuar kapacitet të dobët vetshërues. Polarizimi i skajshëm, eksportimi i baltës politike tek partnerët ndërkombëtar dhe përdorimi i tyre në funksion të legjitimimit të lojërave politike, ka vonuar rrugën tonë europiane. Për ta mbyllur këtë kapitull dominimi mesvedit, që mban në burgun e të shkuarës një popull të tërë nevojitet një platformë sa më gjithpërfshirëse e përbashkuese që nxit një cilësi e shpejtësi tjetër për reformat e shtetkonsolidimit demokratik. Duhet kuptuar se në këtë proces qeveritë kanë barrën kryesore, por përgjegjësia është e përbashkët. Ndërsa merita është vetëm e shqiptarëve që nuk kanë asnjë mëdyshje për rrugën europiane. Rrugëtimi i Shqipërisë drejt BE-së, dhe më posaçërisht procesi i bisedimeve për anëtarësim, i ngjan vrapimit me pengesa. Shumëçka varet prej pregatitjes tonë për të tejkaluar pengesat dhe për të qenë sportistë të shëndetshëm. Ky proces imponon një konceptim gjithpërfshirës për qeverisjen me fokus tek vlera që prodhon shumica në ekonomi. Duke rritur kështu besimin e njerëzve tek e ardhmja e vendit dhe njëkohësisht duke zvogëluar distancën oqeanike mes shqiptarëve të diasporës dhe vendit. Përfshirja e tyre në këtë proces është vlerë e shtuar. Sikurse shihet, jeta nuk ndryshon me magji tani që procesi i anëtarësimit në BE filloi. Ne nuk do të “negociojmë” me BE-në standardin europian, por afatin se kur jemi gati për ta zbatuar atë. Pra, kur do ta luftojmë me vepra e jo fjalë korrupsionin dhe krimin e organizuar, kur do të zbatojmë rregullat e prokurimit publik, konkurrencës së ndershme, e shumë standarde të tjera që çlirojnë garën në ekonomi, krijojnë më shumë mundësi punësimi dhe kontribuojnë për thithjen e investimeve të huaja direkte. Në këtë proces të mundimshëm duhet të identifikojmë dhe mbrojmë interesin e ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare, dhe jo të vazhdojmë të promovojmë krahun e lirë të fuqisë punëtore si avantazh krahasues.

Krahas përcaktimit të afatit kohor brenda të cilit synojmë anëtarësimin në BE, duhet të përcaktojmë një objektiv konkret për çdo grup kapitujsh që hapen e mbyllen, sepse pritshmëritë e njerëzve nuk “ushqehen” dot me kapituj. Këto elementë të rëndësishëm për cilësinë dhe shpejtësinë e procesit të anëtarësimit në BE, duhet të trupëzohen në trajtën e vizionit dhe angazhimeve në një platformë sa më gjithpërfshirësë e përbashkuese. Shndërrimi i vizioneve të guximshme në hapa të prekshëm për qytetarët është sekreti i suksesit të procesit të integrimit europian.

Prioritizimi i procesit të zgjerimit me gjashtë shtetet e Europës Juglindore, që rrethohen nga shtete anëtare të BE-së, do të thotë konsolidim në vetvete i projektit europian dhe jo zgjerim në kuptimin gjeografik.

Fryma dhe tipologjitë e procesit të zgjerimit.

Nëse analizojmë procesin e zgjerimit të BE-së ndër vite, i cili është kodifikuar në përputhje me rrethanat politike të kohës, mund të evidentojmë kryesisht dy tipologji të metodologjisë së përdorur nga BE-ja: atë para dhe pas rrëzimit të Murit të Berlinit, që simbolizon edhe pikënisjen e ribashkimit të kontinentit europian. Para përfundimit të Luftës së Ftohtë, BE-ja nuk kishte përcaktuar kritere të shkruara për sa i përket anëtarësimit. Me miratimin e kritereve të Kopenhagenit në vitin 1993, të cilat i paraprinë zgjerimit të madh të vitit 2004, u shkruan rregulla dhe procedura për shtetet që synonin anëtarësimin. Për më tepër, ndryshe nga periudha para Kopenhagenit, që përkon kryesisht me periudhën e Luftës së Ftohtë, ku shteti kandidat duhej të plotësonte kriteret e pranimit dhe të paraqiste arritjet, në rastin e shteteve që sapo kishin dalë nga zgjedha komuniste, BE-ja mori një rol më aktiv, duke mandatuar Komisionin Europian për të ndihmuar nga afër përpjekjet e shteteve që synonin anëtarësimin. Në këtë mënyrë, opinionet dhe raportet monitoruese periodike të Komisionit për secilin shtet aspirant e kandidat i pasuruan më tej kriteret e Kopenhagenit. Ndërkaq, procesi i reformave në shtetet që synonin anëtarësimin u vlerësua në raport me përmbushjen e këtyre kritereve. Tipologjia politike dhe metodologjike e ndryshme ka krijuar vetvetiu procese të ndryshme nga pikëpamja përmbajtësore dhe afatet kohore për anëtarësimin në BE. Bie fjala, procesi nëpër të cilën kaluan shtetet e Europës Perëndimore ishte më i natyrshëm dhe më i shpejtë, ku shtetet që synonin anëtarësimin kaluan kryesisht përmes një procesi harmonizimi me acquis dhe politikat e BE-së. Ndërkohë që vetë BE-ja përshtati strukturat e saj për të mikpritur shtetet, të cilat pak a shumë ndanin vlera dhe histori të përbashkët me të.

Por edhe në këtë kategori diferencën në përqasje e bën anëtarësimi i Greqisë, Spanjës dhe Portugalisë, të cilat vinin nga eksperienca me regjime totalitare dhe vuanin nga një defiçit demokratik. Ndaj, në mënyrë të ngjashme me zgjerimin në lindje të Europës, procesi i anëtarësimit të këtyre shteteve në BE ndikoi në fuqizimin e proceseve demokratike dhe zhvillimin e mëtejshëm ekonomik dhe shoqëror, për shkak të përfitimit nga politika e kohezionit dhe instrumentet financiare.  Për shtetet e Europës Qendrore dhe Lindore nevojitej një përgatitje më e madhe në planin politik, ekonomik dhe shoqëror, sikundër një kohë më e madhe për të përballuar sfidat e procesit të anëtarësimit në BE. Nga momenti i paraqitjes së aplikimit e deri në anëtarësimin e plotë në BE, shteteve të Europës Qendore dhe Lindore ju deshën mesatarisht 10 vjet. Ndërkohë Rumanisë dhe Bullgarisë ju deshën 12 vjet. Duhet pranuar se fryma e kohës ka qenë mbështetëse ndaj procesit të zgjerimit dhe përqafuese pa hezitim e konceptit për një Europë të pandarë, të lirë dhe në paqe. Udhëheqësit kryesorë europianë përjetuan ndarjet që solli Lufta e Ftohtë duke mbruajtur me fanatizëm idealet e etërve themelues të projektit europian, që nisi me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore. Për pasojë, ndjenja e mikpritjes për shtetet e Europës Qendrore dhe Lindore ishte e madhe. Atyre iu desh gjithashtu të bashkërendonin përpjekjet me SHBA-të, për t’i dhënë fund luftrave e konflikteve në Ballkan. Vetvetiu, u krijua një ndarje brenda gjirit të shteteve të porsadala nga zgjedha komuniste. Pjesa më e madhe u përfshinë në rrugën e reformave dhe rrjedhave të anëtarësimit në BE. Pjesa tjetër kishte nevojë për stabilitet dhe dhënien fund të luftrave e konflikteve. Ndërkohë, një vit para zgjerimit të madh të BE-së, në Qershor të vitit 2003, Samiti i Selanikut shënoi një moment të rëndësishëm duke konfirmuar perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor, shoqëruar kjo me disa instrumente që deri ne atë kohë ishin përdorur vetëm ndaj shteteve kandidate për anëtarësim në BE. Mirëpo, rrëzimi i projekt Kushtetutës Europiane nga francezët dhe hollandezët në vitin 2004; kriza financiare e 2008-ës dhe kriza e refugjatëve në 2015-ën nxorën në pah dallime të qenësishme mes jugut dhe veriut të BE-së në planin ekonomik, dhe perëndimit e lindjes së BE-së në planin e vlerave dhe lirive themelore. Këto dallime, të cilat me kalimin e viteve nuk janë zbutur, u përthyen edhe në ecurinë e procesit të zgjerimit, duke e bërë procesin e anëtarësimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor një objektiv të largët. Gjatë prezantimit të programit para Parlamentit Europian, në vitin 2014, Presidenti i Komisionit Europian Juncker deklaroi se nuk do të kishte valë zgjerimi gjatë mandatit të tij pesë vjeçar. Thënë kjo nga Komisioni, i cili njihet si shtytësi i procesit të integrimit europian, ishte tregues i faktit se procesi i zgjerimit e kishte humbur entuziazmin e dikurshëm dhe mbështetjen politike nga një pjesë e shteteve anëtare të BE-së. Kjo situatë u reflektua edhe në procesin e tejzgjatur të bisedimeve për anëtarësim të Malit të Zi dhe Serbisë, që edhe pse u zhvillua brenda perimetrit të një qasje të re metodologjike me përparësi në fushat që lidhen me sundimin e së drejtës, nuk prodhoi dot transformimin e dëshiruar demokratik.

Shpërndarja e portofoleve në Komisionin aktual dhe kompromiset e momenteve të fundit brenda radhëve të Partive Popullore që i besuan portofolin e zgjerimit Hungarisë, një shtet dashamirës ndaj rajonit tonë, por i shumëkritikuar dhe nën mekanizmin e kontrollit të shtetit të së drejtës të BE-së, forcoi bindjen e elitave drejtuese në rajon se, procesi i anëtarësimit në BE po kthehej gjithnjë e më shumë në një proces fasadë, ku palët në mënyrë të ndërsjellë përkushtohen vetëm në mënyrë deklarative. Pasojë e situatës së mësipërme është edhe rrëshqitja demokratike e shumicës së shteteve të rajonit, sipas matjeve të institucioneve prestigjioze ndërkombëtare. Braktisja e rajonit është tregues i mungesës së perspektivës. Ndonëse prania ekonomike dhe politike e BE-së në rajon është e pakrahasueshme me fuqitë e tjera, fuqia e saj ndikuese në zhvillimet e brendshme apo në adresimin e konflikteve të papërfunduara të shtetësisë është reduktuar në progresion gjeometrik me numrin e emisarëve specialë.

Konteksti i sigurisë dhe procesi i zgjerimit

Zyrtarizimi i procesit të bisedimeve për anëtarësim në BE, nga ana e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke pasur parasysh kontekstin e sigurisë në Europë, si pasojë e agresionit të Rusisë kundrejt Ukrainës, është një mesazh politik kuptimplotë për të ardhmen e rajonit brenda BE-së. Prioritizimi i procesit të zgjerimit me gjashtë shtetet e Europës Juglindore, që rrethohen nga shtete anëtare të BE-së, do të thotë konsolidim në vetvete i projektit europian dhe jo zgjerim në kuptimin gjeografik. Si i tillë, ai duhet konsideruar si një proces me përfitim të dyanshëm. Në kushtet e reja që imponon mjedisi i sigurisë, integrimi europian nuk është më një zgjedhje, por një domosdoshmëri. Procesi i anëtarësimit të shteteve të rajonit nuk ka gjetur mënyrën për të fuqizuar forcat e ndryshimit në shoqëri apo tërhequr qytetarët në procesin e shtetndërtimit demokratik, integritetit institucional dhe rrugën e reformave për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm. Nëse BE-ja dëshiron të transformojë realisht kontinentin, të zgjerojë modelin e vet të qeverisjes, të inkurajojë reforma demokratike dhe të jetë një aktor me peshë globale, BE-ja duhet ta bëjë ofertën e saj të prekshme në radhë të parë për qytetarët e rajonit. Prandaj duhet të shkojë përtej simbolikës duke ndjekur këshillën e njohur të Winston Churchillit “për të mos e çuar dëm një krizë” si një mundësi për të konsoliduar projektin europian, përmes ofrimit të mekanizmave ndihmues dhe përcaktimit të një afati të arsyeshëm kohor për anëtarësimin në BE të gjashtë shteteve të rajonit tonë. Vështruar në këtë kontekst, ideja e Presidentit francez Macron për krijimin e Komunitetit Politik Europian që do të prezantohet gjatë punimeve të Këshillit të ardhshëm jozyrtar, më 6 Tetor në Pragë, pritet me mjaft interes, përtej hutimit dhe skepticizmit që e shoqëroi në momentin e parë. Formalisht, Komuniteti Politik Europian u miratua nga Këshilli i mëparshëm Europian në muajin Qershor. Asokohe, udhëheqësit e shteteve anëtare të BE-së kryesisht ranë dakord për atë se çfarë nuk duhet të jetë Komuniteti Politik Europian: as një alternativë ndaj anëtarësimit në BE dhe as një zëvendësim i procesit të zgjerimit. Ata skicuan në terma të përgjithshme mandatin e Komunitetit Politik Europian, duke nënvizuar nevojën për të mbështetur dialogun politik dhe bashkëpunimin teknik me qëllim forcimin e sigurisë dhe prosperitetit europian. Teksa në periudhën në vijim do të mësojmë më shumë rreth organizimit, funksionimit dhe përbërjes së Komunitetin Politik Europian edhe me shtete që nuk synojnë të jenë pjesë e BE-së, vlera e shtuar e këtij entiteti në raport me BE-në, NATO-n apo OSBE-në do të jetë në sprovë. Ka disa opsione sesi shtetet mund ta shohin pjesëmarrjen e tyre në Komunitetin Politik Europian: si një platformë për një dialog të hapur politik; si një hapësirë për të promovuar një botëkuptim të ngjashëm për parimet e shtetit të së drejtës; si një forum që lehtëson procesin e anëtarësimit të shteteve në BE; dhe si një vend takimi ku shtetet europiane mund të diskutojnë sigurinë në Europë përballë agresionit rus.Thënë të gjitha këto, Komuniteti i ri Politik Europian mund të shërbëjë edhe si katalizator për një angazhim të njëmendtë të BE-së me rajonin, çka do të përkthehej në një proces anëtarësimi të rreptë por të drejtë, të parashikueshëm, të prekshëm dhe motivues për qytetarët, duke trajtuar me përparësi sundimin e së drejtës; hemorragjinë demografike; dhe hendekun zhvillimor të rajonit tonë me atë të BE-së.

 

*Analiza është botim i Fondacionit “Friedrich Ebert”.