Ditmir Bushati: Për çështjen e Detit duhet largpamësi dhe transparencë

135
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

– Zoti Bushati, çfarë faktorësh ndikuan për shtyrjen e fillimit të negociatave të anëtarësimit?

– Në ditët e sotme në vend që të flasim për “perspektivë evropiane”, ka ardhur koha të shmangim gjuhën e drunjtë për qytetarët e zakonshëm dhe të punojmë për “anëtarësimin në BE”.

– A është normale që në shekullin 21, historia të përcaktojë politikën? Si mendoni ju se mund të shmangim tensionet dhe të formësojmë një të ardhme të përbashkët në paqe, në Ballkan?

– Për ushtruesit e politikës së jashtme, nuk mjafton vetëm parashtrimi i qëndrimeve kombëtare bazuar në ekzigjencat e historisë. Ne nuk mund ta rishkruajmë historinë, por ne mund të punojmë për krijimin e kushteve të duhura, në mënyrë që të tejkalojmë mosmarrëveshjet mes nesh.

– A ju frikëson ndryshimi i kufijve, një debat që u bë prezent së fundmi përmes një “non-paper”, apo mund të konsiderohet si një zhvillim që në rrethana të caktuara mund të çlirojë një tension të fshehur?

– Në Samitin e vitit 2003 në Selanik, liderët e BE-së morën një vendim strategjikisht largpamës, duke i ofruar vendeve të rajonit anëtarësimin në Union. Për fat të keq, liderët e BE-së duket se e kanë harruar këtë vendim. Rrjedhja në publik e ‘non-papers’, pa autor për ndryshimin e kufijve ekzistues, është pasojë e drejtpërdrejtë e faktit se procesi i zgjerimit ka ngecur, korniza e integrimit është dobësuar. Entropia socio-ekonomike, kërcënimi demografik dhe rrëshqitja demokratike në Ballkanin Perëndimor, nuk mund të trajtohen duke përqafuar idetë e shekullit të 19-të, në kontekstin e shekullit të 21-të.

– Le të ndalemi pak te ideja e bashkimit të Shqipërisë me Kosovën. Pse duhet të implementohet një ide e tillë?

– Unë sinqerisht nuk e di pse ngrihet kjo pyetje sërish. Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s dhe duhet të vijojë me konsolidimin e sistemit demokratik dhe ekonomik në mënyrë që të bëhet pjesë e BE-së. Sikurse e ka thënë shkrimtari ynë i njohur Ismail Kadare, “për Shqipërinë, Evropa është gjendja e saj e natyrshme. E vetmja”. Në të njëjtën kohë, Kosova duhet të përfundojë dhe konsolidojë projektin e shtetësisë.

– Një nga çështjet më të mprehta të politikës së jashtme të Shqipërisë janë marrëdhëniet me Greqinë. Ju keni punuar fort me ish-ministrin e jashtëm Grek, Nikos Kotzias në arritjen e një marrëveshje për shumë çështje mes vendeve. Pse nuk ia dolët dot?

– Nuk do të ishte e drejtë që të përkufizonim të gjithë procesin që kemi kryer së bashku me Nikos Kotzias, nën lidershipin e kryeministrave të Shqipërisë dhe të Greqisë, si një proces që nuk prodhoi rezultate. Ne punuam shumë për rivendosjen e besimit mes ekipeve, por mbi të gjitha mes dy vendeve. Duhet ta dini se besimi është një element i qenësishëm në marrëdhëniet ndërkombëtare, ashtu si në jetën e përditshme, kur je duke u angazhuar me dikë në një projekt. Në këtë drejtim, ne ia dolëm me sukses të adresonim disa çështje, të cilat ndikojnë në jetën e qytetarëve. Sigurisht, ka ende çështje të pazgjidhura. Janë pjekur kushtet për të ecur përpara me kurajo dhe vendosmëri për adresimin e çështjeve të pazgjidhura. Nevojitet vizion largpamës për të çliruar të gjithë potencialin e energjive në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë.