Ditmir Bushati flet për menaxhimin e zgjedhjeve në Kosovë: Kanë 13 vite shtet por na ka lënë pas në këtë drejtim

192
Sigal

Numërimi i votave në Kosovë është ende në proces e sipër, por deri më tani në krye me më shumë vota është Lëvizja Vetëvendosje, me në krye Albin Kurtin. Për këtë tematikë i ftuar në një emision televiziv foli dhe ish-Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati. Ai tha se me këto rezultate fiton jo thjeshtë Albin Kurti dhe Vjosa Osmani, por e gjithë Kosova.

“Ishte zgjedhje atipike, jo vetëm për situatën që u zhvillua. I konsideroj zgjedhje atipike sepse nuk kemi pasur një ballafaqim. Nuk mendoj që thjesht ka fituar Vjosa Osmani dhe Albin Kurti, por ka fituar Kosova, qytetari i zakonshëm që kontribuon në vendin e tij me djersë dhe punë të ndershme. Ka fituar besoj dhe ajo pjesë e shoqërisë civile që ka rezistuar nga fenomenet negative, gazetarisë satirike dhe shpirtprishur. Ka fituar gjenerata e Kosovës Evropiane. Besoj se do të përjetohet një rrugë e re për Kosovën Evropiane. Kosova ka fituar por përgjegjësia do të bjerë për Albin Kurtin”, – tha Bushati.

Më tej deputeti nënvizoi se rezultati kaq i shpejtë në zgjedhje dhe pa kontenstime nga partitë humbëse është një leksion më i mirë për Shqipërinë. Ai tha se do të luftojë me të gjitha forcat që dhe në Shqipëri të implementohet e njëjta situatë si në Kosovë, megjithëse pranoi se është shumë e vështirë.

“Është e vërtetë, duhet ta pranojmë. Kosova një shtet 13 vjeçar në këtë drejtim e ka lënë pas Shqipërinë. Që nga viti i mbrapshtë 1996, procesi zgjedhor ende nuk është shtrirë në kufijtë e normalitetit. Ndërkohë që sado që përpiqemi të sofistikojmë, të shkruajmë ligje mjaft kufizuese, e kemi ende të vështirë për të pranuar rregullat bazë demokratike. Unë do të luftoj që një gjë e tillë të ndodhë në Shqipëri, por që kjo të ndodhë duhet të shoqërohet me rregulla më të mira të lojës brenda forcave politike. Për më shumë garë brenda forcave politike por edhe ekonomi. Këto janë dy nga elementët kryesorë që do i jepnin shoqërisë frymën e nevojshme, në këtë kontekst ne kemi se çfarë të mësojmë nga Kosova dhe jo vetëm Kosova prej nesh”,- u shpreh deputeti.

Ditmir Bushati u ndal dhe në marrëdhëniet jo fort të qëndrueshme të Kurtit me perëndimorët.

“Unë nuk jam analist politik, por e njoh mënyrën se si funksionon Kosova. Është fakt që kemi një pjesëmarrje në këto zgjedhje jashtëzakonisht të madhe kemi një rekord nga pikëpamja e aktivizimit të diasporës së Kosovës. Është një mësim i vlefshëm për të gjithë ne. Kemi një aktivizim të shoqërisë në përgjithësi, duke nisur nga të rinjtë, gratë burrat dhe të gjitha shtresat shoqërore atje. Nga pikëpamja e numrave atje, pa u numëruar votat e diasporës do të kemi një mazhorancë kaq solide. Në këtë pikëpamje nuk shtrohet vetëm çështja e fortësisë që pritet të formohet në Kosovë, por çështja është se si do të përdoret i gjithë ky besim popullor, për ta futur Kosovën në shinat Evropiane. Është i rëndësishëm edhe partneriteti me vendet demokratike, që do e bënte Kosovën pjesë të familjes euroatlantike”,- tha deputeti.