Dita dhe nata janë të opozitës së bashkuar/ Sot në orën 18.00 mbi 100 mijë qytetarë do të protestojnë duke rrethuar Kryeministrinë, ish-Komitetin Qendror dhe Ministrinë e Brendshme për të kërkuar largimin e kryeministrit. Strategjia e organizatorëve dhe marshimi i protestuesve

575
Sigal

Protestuesit do të rrethojnë edhe vilën e kryeministrit në Surrel, ndërkohë që 3.100 shtëpi parashikohen të prishen në Tiranë

Protesta e sotme e opozitës së bashkuar, skenar për qëndrimin 24 orë rreth Kryeministrisë

Opozita për të tretën herë do të protestojnë përpara Kryeministrisë. “Shqipëria ngrihet përpara Kryeministrisë” është motoja e kësaj proteste, e cila ndryshe nga herët e tjera do të nisë të shtunën pasdite, në ora 18:00. Partia Demokratike po organizohet prej ditësh duke zhvilluar takime me strukturat e degëve me qëllimin për të mundësuar pjesëmarrjen e sa më shumë protestuesve. Ndërkaq po përflitet se meqë orari i tubimit është afër mbrëmjes, mund të protestohet deri të nesërmen (të dielën), duke bërë që qëndrimi të jetë 24 orë në shesh.
Edhe pse nuk është përfundimtare, ky vendim mund të kondicionohet nga pjesëmarrja e protestuesve brenda radhëve të opozitës, si dhe nga kushtet atmosferike. Ndërsa vetë PD-ja në njoftimin e paraqitur në Polici thekson se protesta nuk ka ndonjë orar të përcaktuar. Gazment Bardhi, deklaroi se opozita do të jetë në shesh në një orar të papërcaktuar. Sa i përket protestës së opozitës, ish-kryeministri Sali Berisha në një intervistë televizive sfidoi kryeministrin Edi Rama që të tentonte të qëndronte në zyrën e tij gjatë kohës që njerëzit ishin në shesh. “Dita dhe nata janë të popullit opozitar. Do vendosë populli opozitar, por një gjë e di, që do jetë protesta më e madhe që ka parë Shqipëria deri sot. E ftoj krye Kreun e Meduzës të nderojë qoftë dhe një herë atë zyrë që rri në të”, deklaroi Berisha. Ndërsa kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi është shprehur se do të jetë protesta më e madhe. “Kemi dëgjuar gjëra nga më të ndryshmet për orarin, e cila do të jetë në orën 18:00, por protesta është spostuar për në këtë orar pasi temperaturat kanë qenë të larta në të shkuarat. Nuk e kishim parashikuar se mund të binte edhe shi. Po të jetë për t’i bërë gjëmën Edi Ramës ia bën kur të duash. Ai ka frikë vetëm për kurrizin e tij. Shumë socialistë do të jenë pjesë e protestës së opozitës”, deklaroi Kryemadhi. PD, LSI dhe partitë e tjera aleate kanë protestuar përpara Kryeministrisë më 16 shkurt dhe 16 mars.

 

Dronë, autobote, graso dhe mbi 2.000 policë në gatishmëri

Edhe pse nuk ka ndonjë orar të përcaktuar, policia po merr masat për protestën e së shtunës. Mbi 2.000 policë, punonjës të Gardës, por edhe të forcave speciale do të angazhohen për tubimin e së sotmes. Policia ka rrethuar zonën me gardhe hekuri perimetrin përreth godinës së Kryeministrisë, si dhe pjesën anësore në krah të godinës së Piramidës. Kamerat e sigurisë janë instaluar dje paradite kudo rreth perimetrit të Kryeministrisë, si dhe derës kryesore të godinës qeveritare i janë vënë sërish pjesët mbrojtëse hermetike. Gjithashtu parashikohet që blindat e hedhjes së ujit të jenë pranë selisë që qeverisë për të qenë në gatishmëri për të ndërhyrë në rast se protesta do të zhvillohet e dhunshme. Ashtu si dhe në përgatitjet e tjera, policia ka lyer shtyllat e ndriçimit me graso, për të mos lejuar ngjitjen e protestuesve, si dhe kanë vendosur autoparlantët për t’i përdorur në rast konstatimit të ndonjë incidenti apo tentative për të ushtruar dhunë. Në protestat e mëparshme policia e Shtetit ka përdorur veç dhunës fizike, edhe gazin helmues, si edhe ka infiltruar midis protestuesve agjentët e saj, për të provokuar dhunën, në mënyrë të tillë, që paskëtaj, Policia e Shtetit të përligjë dhunën e saj kundër protestuesve.

Kryeministri Rama “arratiset” nga Shqipëria

Siç ka ndodhur edhe ne protestat e kaluara të opozitës, kryeministri Edi Rama nuk do të jetë sot në Kryeministri, madje nuk do të jetë as në Tiranë e as në Shqipëri. Këtë herë,kryeministri Rama nuk ka zgjedhur as Vlorën, as Beratin por shtetin arab të Kuvajtit, ku do të niset menjëherë pas takimeve që zhvilloi dje në samitin e Dubrovnikut, duke mos u kthyer fare në Shqipëri. Kjo është hera e tretë që Edi Rama shmang fizikisht protestën e opozitës në Bulevard, duke zgjedhur kësaj radhe një biletë avioni.

 

Protestuesit do të rrethojnë vilën e Kryeministrit në Surrel

Protesta e sotme parashikohet të jetë më e madhja e zhvilluar ndonjëherë në vendin tonë. Militantët dhe anëtarët e PD dhe të LSI-së dje kanë shkuar derë më derë në Tiranë dhe kanë ftuar gjithë qytetarët që të marrin pjesë në protestë. Sipas burimeve të informacionit, bëhet me dije se shërbimet e specializuara të Informimit Shtetëror kanë të dhëna, që gjatë protestës mund të ndodhin edhe veprime të dhunshme, si dëmtime në shumë dyqane që do të ndodhen në perimetrin e protestës. Madje, të njëjtat burime, bëjnë me dije, se protestuesit do të tentojnë që të dëmtojnë edhe disa simbole të ish-komunizmit, sikurse janë edhe pishat në bulevardin: Dëshmorët e Kombit”, ku mendohet se ka skenarë që edhe mund t’u vënë flakën pemëve, sikurse ndodhi me “Kërpudhën” e kryeministrisë, më 16 shkurt 2019. Policia dhe Garda e Republikës është vënë në lëvizje, sepse ka informacione, se protestuesit, pasi të protestojnë para kryeministrisë në vazhdimësi, të gjithë bashkë do të marshojnë drejt Surrelit, për të rrethuar vilën e kryeministrit Rama. Madje, ka zëra nga organizatorët e protestës, se protestuesit do të qëndrojnë në rrethim të vilës së kryeministrit në kohë të papërcaktuar, bë shenjë simbolike, të dënimit të korrupsionit, meqë drejtësia është e kapur dhe nuk heton se me çfarë burime të ligjshme financiare u ndërtua nga kryeministri vila në Surrel. Ndoshta, nga ky informacion, i marrë në rrugë operative, ka bërë që kryeministri të largohet nga Shqipëria, pa afat.

Do të prishen mbi 3.200 shtëpi të tjera në Tiranë, pas zgjedhjeve vendore

 

Para disa ditësh, policia e Shtetit dhe ajo bashkiake në Bregun e Lumit të Tiranës zbatuan një nga skenarët më të turpshëm, që nuk kanë ndodhur as në Bregun Perëndimor të Palestinës. Në orët e para të mëngjesit, ende pa u gdhirë, policit “pushtuan” banesat në Bregun e Lumit të Tiranës, të cilat janë piketuar për t’u prishur dhe, duke përdorur edhe gazin helmues kundër fëmijëve, të cilët ishin ende në gjumë, i detyruan banorët të dilnin jashtë shtëpisë. Madje, kjo dhunë shkaktoi edhe përleshje trup me trup të banorëve kundër policive. Kjo dhunë e paparë policore, e pashembullt ka rritur në kulm zemërimin e banorëve. Prandaj, në protestën e sotme të Opozitës së Bashkuar do të marrin pjesë edhe banorët e Unazës së re, por edhe banorët e Lumit të Tiranës, të cilëve u janë prishur, apo projektohen t’u prishen shtëpitë e tyre, për shkak të projekteve që kërkon të zbatojë qeveria dhe bashkia për ndërtimin e Unazës së Madhe dhe zgjatimit të Bulevardit të ri. Sipas të dhënave më të reja, në ndërtimin e Bulevardit të Ri parashikohen të prishen akoma 700 shtëpi të tjera, të cilat nuk kanë bërë procedurën e legalizimit dhe pronarët e tyre rrezikohen që të shpërngulen, pa marrë asnjë qindarkë dëmshpërblim. Gjithashtu, sipas të njëjtave burimeve të mirinformuara, në zonën e Paskuqanit dhe në vazhdimësi të aksit ku do ndërtohet Unaza e Madhe, gjithashtu parashikohen që të prishen edhe 1.100 shtëpi të tjera, natyrisht edhe këto të ndërtuara pa leje. Duke marrë në tërësi në gjithë zonën e Tiranës, parashikohen që 3.200 shtëpi të ndërtuara formalisht, pa leje ndërtimi, të gremisen, në mënyrë që të bëhet e mundur zbatimi i projekteve të ndryshme. Këto zëra kanë bërë që të përhapet panik i madh tek banorët. Kjo është edhe një nga shkaqet, pse sot mijëra banorë do të bashkohen në protestën e opozitës.