Diplomati Spartak Topollaj/ Merkeli, nga Samiti i Polonisë u tha shqiptarëve: Qeveria juaj është e padëshiruar për Bashkimin Evropian

806
Sigal

Mes burokratëve sorosianë të Ambasadës të SHBA-ve në Tiranë ka një ndryshim të madh me qëndrimet zyrtare të DASH-it, kjo duket qartë në dallimet e dukshme mes tyre, siç katërcipërisht dëshmon edhe ky raport i fundit i DASH 2019 për Shqipërinë

Merkeli, nga Samiti i Polonisë, u tha shqiptarëve: Rama është i padëshiruar për BE-në

Jakup B. GJOÇA

Spartak Topollaj, diplomat në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet se kancelaria Merkel, me shpërfilljen që dëftoi ndaj kryeministrit Rama në Samitin e Polonisë për Ballkanin Perëndimor, u dha mesazh shqiptarëve se Rama është i padëshiruar për Bashkimin Evropian. Zoti Topollaj pohon, se raporti i DASH për 2019 për Klimën ekonomike të Shqipërisë është raporti më i zi dhe kjo duhet të alarmojë shqiptarët. Zoti Topollaj, si diplomat konstaton se ka diferenca në politikën dhe diplomacinë e DASH me Ambasadën e SHBA-ve në Tiranë, sepse akoma ka disa diplomatë soroianë në Tiranë, prandaj, ende Ambasada amerikane, për hir të stabilokracisë, po e kritikon me pambuk Kabinetin Rama, dhe nuk e fsheh zemërimin (për mua të padrejtë, shprehet zoti Topollaj) me opozitën.

 

-Zoti Spartak për kë janë kambanat e Raportit 2019 të DASH për Klimën ekonomike dhe investimet e huaja në Shqipëri?

– Kurrë më parë DASH, nuk ka publikuar një Raport të tillë të zi, për klimën ekonomike dhe investimet e huaja në Shqipëri, si ky i orëve të fundit, që shkon edhe më tej, duke e quajtur gjendjen katastrofike! Ku janë futur qeveritarët dhe kreu i tyre, që po heshtin si peshku?! Apo, pas autovotimeve dhe autonumërimeve “ legjitime” socialiste të 30 Qershorit, pushojnë të qetë në vilat e bllokmenëve, sa té Plepat në Durrës, aq té Uji i Ftohtë në Vlorë, apo në Resortet me pesë yje të miqve të tyre oligarkë, që ashtu si krejt rastësisht , janë vetëm ata fitues tenderësh miliona €, bossa koncesionesh dhe PPP-ista të pangopshëm dhe të palodhshëm ! Askush s’e thotë, se sa është borxhi i vërtetë që né kemi?! Askush nuk tregon sa e thellë është gropa e detyrimeve që shteti u ka kompanive private, apo u harruan shpejt justifikimet bajate të mandatit të parë, se po shlyejmë detyrimet e qeverisë paraardhëse ?

– Raporti i DASH e thekson që Shqipëria është vendi më i korruptuar në Ballkan, ndërkohë që Ambasada e SHBA në Tiranë nuk e ka ngritur ndonjëherë këtë shqetësim publikisht në Tiranë. A ka qëndrime të kundërta midis DASH dhe Ambasadës së SHBA në Tiranë Për Shqipërinë?

– Ka një paradoks, që s’kemi pse e fshehim këtu. Ndërsa DASH e përcakton Shqipërinë të fundit në Ballkan, pra vendin më të korruptuar, çuditërisht Ambasada Amerikane, nuk sheh nga ai sy dhe nuk dëgjon nga ai vesh, ndërkohë që nuk harron kurrë të paralajmërojë shtetasit e vet, sa herë proteston opozita, teksa e dinë mirë, që në këto 30 vite, në vendin më pro-amerikan të Evropës, asnjë qytetari të tyre s’i ka hyrë as edhe një ferrë në këmbë! Që mes burokratëve sorosianë e ndonjëherë të korruptuar të Ambasadës ka një ndryshim të madh me qëndrimet zyrtare të DASH, kjo duket qartë në dallimet e dukshme mes tyre, siç katërçipërisht dëshmon edhe ky raport i fundit. Ndoshta edhe vetë Presidenti Trump, e ka të vështirë t’i heqë menjëherë metastazat malinje sorosiane në administratën gjigante, përfshi dhe sektorin diplomatik ( DASH + Ambasadat )! Shpreh bindjen e plotë, se Ambasadorja e porsaemëruar Yuri Kim, do rivendosë autoritetin e padiskutueshëm të Shtëpisë së Bardhë të epokës Trump, edhe këtu në Shqipëri!

– Kryeministri Zaev zbuloi planin e Turqisë dhe Rusisë për ndarjen e kufijve midis Kosovës me Serbinë. Pse deri tani nuk reagon Ministria e Jashtme e Shqipërisë?

– Si kurrë më parë në këto gati 60 vitet e fundit, na duhet të falenderojmë nga zemra, dy rusë, Kuznjecov dhe Stoljarov, të cilët edhe pse komikë të njohur, i bënë një shërbim mjaft serioz, të vërtetës, se çorba me shkëmbim territoresh, apo korrigjim kufijsh, është gatuar nga kryekuzhinieri i Kremlinit Putin, nē favor të aleatit historik, Serbisë së Vuçiç-it, ku u implikua dhe u kompromentua rëndë Thaçi, ndërkohë që Rama, siç dëshmoi Kryeministri Haradinaj, nuk mbeti pas në insistimin për të “ dëgjuar” të Mëdhenjtë, në Çështjen e Taksës 100% , apo dhe me lojën tinëzare në paskuintat e një Marrëveshje Kosovaro-Serbe për territoret, në këmbim gjoja të vazhdimit të bisedimeve të dështuara të formatit Federika Mogherini! Nga ana tjetër, pragmatisti neo-otomanist Rexhep Taip Erdohan, që edhe pse në NATO, luan me dy porta, teksa bleu sistemin rus të mbrojtjes raketore S – 400, dhe lë avionët më të sofistikuar amerikanë të gjeneratës së ardhshme F – 35?!

– A është kryeministri Rama negociator i këtyre planeve të Turqisë dhe Serbisë për ndarjen e kufijve midis Kosovës me Serbinë?

– Serioziteti i pyetjes, meriton edhe seriozitetin e përgjigjes, pasi po të ishte e vërtetë kjo, Rama do të humbte edhe ato pak pikë, që mund t’i kenë mbetur prej nga koha e Provokacija-s vuçiniane në Beograd ?! Raportet e islamistit Erdogan me vëllain ortodoks Rama, mesa duket nuk janë në ditët më të mira! Mjaft të kujtojmë se “Lasgushi” Ky shtërg i fundit, pasi u bëri nga një xhiro deri në Stamboll gazetarëve që i bëjnë fresk Ramës, prej muajsh të tërë ka marrë pushimet e gjata pa të drejtë rroge në hangarët e Türkish Airlines, e sa për aeroportin e Vlorës, as që bëhet më fjalë të fillojë! Xhamia e stilit të shëmtuar otoman po e zgjat pafundësisht përurimin në Tiranë, ndërsa shohim ndërtimin me një projekt supermodern të xhamisë së madhe në Doha të Katarit, një vend arab mysliman ky!

– A është një rastësi e çastit që Kancelarja Merkel nuk e ftoi kryeministrin Rama në Konferencën e Shtypit në Samitin e Polonisë për Ballkanin Perëndimor?

– Impresionimi i Merkelit nga ekstravagancat e Ramës, nuk mund të shkonte gjatë! Të mirëinformuar për korrupsionin galopant qeveritar, për listën e gjatë të deputetëve e kryebashkiakëve socialistë me rekorde kriminale nëpër Evropë, për dy ministra të brendshëm të shkarkuar, dihet pse, për mbulimin e vendit me kanabis dhe laboratorë droge e trafik kokaine, për grupe të strukturuara kriminale, gjykatës e prokurorë që lirojnë me 1001 justifikime seria-killeri e super-kriminelë të dënuar me burg për jetë, oligarkë të afërt me Qeverinë e mazhorancën, që fitojnë çdo tender, apo marrin çdo koncesion a PPP, për vjedhje masive votash, dosjet 339 ; 339/1 dhe 184, provuar botërisht nga “Bild”, më e madhja gazetë e Europës (me tirazh ditor mesatar mbi 5.5 milionë kopje), “Der Spiegel”, “Stern” apo “Frankfurter Algemaine Zeitung” etj., etj. ( besoj se Merkeli di të lexojë gjermanisht)! Votimet pa opozitën, dy javë pas votimeve ende KQZ-ja shton numrin e votuesve, kur në Greqi çdo gjë përfundoi brenda 24 orëve, Përzierja e Ramës te Çështja e ndryshimit të kufijve, që hap “Kutinë e Pandorës” në Ballkan, etj., etj., e detyruan Merkelin të zëvendësojë Ramën me Zajevin!

– Pse vetëm Shqipëria, në dallim nga vendet e tjera të Bashkimit Evropian, nuk përfitoi fonde nga Bashkimi Europian?

– Nga rreth 200 milionë € që u dhanë, Shqipëria nuk mori asgjë?! A ka nevojë për koment dhe analizë ky fakt ? Pse hesht Qeveria dhe Ministria e Financave? Si iu duket vendi i 99 në listën e shteteve më të korruptuar?

Pse vendet kryesore të Bashkimit Evropian i japin përparësi e prioritet Maqedonisë së Veriut duke anashkaluar Shqipërinë për hapjen e negociatave për Anëtarësim në BE?

– Maqedonia e Veriut zgjidhi me Greqinë Çështjen e emrit, bëri Zgjedhje Presidenciale të rregullta, zyrtarizoi gjuhën shqipe në institucione, krijoi klimë të favorshme biznesi për investitorët e huaj dhe ka korrupsion më pak se ne, ndaj edhe BE tregohet më preferenciale ndaj saj, krahasuar me Shqipërinë e socialistëve!

– Ju, me përvojën Tuaj si diplomat si e gjykoni qëndrimin e OSBE-së dhe të Ambasadorit të BE-së në Tiranë, Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë që mbështetën zgjedhjet në Shqipëri pa Opozitën, thua se jemi në shtet monist?

– Ka një rregull të pashkruar në diplomaci. Ambasadorët, në këmbim të një “karakteristike” pozitive, zakonisht e mbajnë mirë me qeverinë, ku edhe janë akredituar. Së dyti, sot janë sofistikuar mënyrat dhe format e korruptimit të diplomatëve nga qeveritë autokratike, ku trafiqet, pastrimi i parave, tenderët e fituara nga klientë preferencialë, oligarkët gjithnjë e më të lidhur me politikën e më imponues në bërjen e ligjeve në favor të tyre, koncesionet dhe PPP, të gjitha bashkë, shto dhe unitetin e të Majtëve në Evropë dhe Botë, çojnë në këto qëndrime të papranueshme të dubël-standardit diplomatik të ambasadorëve në Tiranë! Ende Ambasada amerikane, për hir të stabilokracisë, po e kritikon me pambuk Kabinetin Rama, dhe nuk e fsheh zemërimin (për mua të padrejtë) me opozitën, që dorëzoi mandatet dhe nuk mori pjesë në votime monisto-socialiste të pa ligjshme, të zhdekretuara nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta e të dekretuara për më 13 Tetor!

– Pse ndërkombëtarët nuk mbështetin Opozitën në Shqipëri? Është një rast i padëgjuar deri tani, që nga 1945 që Evropa dhe SHBA të mos përkrahin Opozitën?

– Është kjo Opozitë e sotme, që rrëzoi regjimin gjakatar diktatorial komunist dhe izolacionist të Enver Hoxhës, duke sjellë pluralizmin politik demokratik dhe ekonominë e tregut. Ambasada Amerikane u rihap pas 45 vjetësh falë Lëvizjes së Dhjetorit të studentëve me Azemin në krye dhe PD-së me Liderin historik Prof. Dr. Sali Berisha, i vetmi President i pritur nga dy Presidentët Bush dhe Klinton në Zyrën Ovale me protokoll e ceremonial zyrtar shtetëror! Dhe ishte po Berisha, që ftoi Presidentin Bush (junior) të vizitonte Shqipërinë, më 10 Qershor 2007, si i pari President në detyrë i SHBA-së, që e bënte këtë, i cili deklaroi se Kosova do të jetë e Pavarur dhe se Shqipëria do të pranohet në NATO! Mirënjohja 100-vjeçare e shqiptarëve për Amerikën shpëtimtare të Presidentit Willson, për Presidentët Regan, Bush, Klinton, Bush (i riu) për atë që bënë për Kosovën e Kombin Shqiptar nuk do të harrohen kurrë nga demokratët shqiptarë! Ne, nuk besojmë asnjëherë, se Amerika e do Shqipërinë pa opozitë, me qeveri neo-bllokmenësh të restauruar si Burbonë të kuq, me Parlament monist, pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë, me PPP (Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm), pa Kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit, me të gjitha institucionet e pavarura në varësi të Kryeministrit, me KLP e KLGJ të kryesuar nga pinjollët e nomenklaturës së lartë enveriane, apo të afërm të drejtuesve të mazhorancës, pa SPAK e Byro Hetimesh, me polici që mbyt me gaz neuroparalizues e lotsjellës popullin e vet (1 milion protestues në 10 protesta madhështore ) dhe godet e arreston drejtuesit e opozitës, me Qeveri që blen votat dhe mediat, që mbyll e bën ligje ndaj portaleve, që ka një TV personal si rast unikal në Botë për Kryeministrin (ERTV), çka edhe Kim Jong Un-it, ende s’i ka shkuar ndër mend ta ketë! Ku askush s’e di numrin e vërtetë të punonjësve të “Ministrisë” së Propagandës, kryesuar nga Zhdanovi i ditëve tona, mjaftisti dhe 99-shi i djeshëm Endri Fuga. Edhe Presidentin duan ta shkarkojnë si një akt i fundit i paturpësisë dhe kapjes së shtetit, sipas parimit leninist: “Gjithë pushtetin sovjetëve!” Në fund dy fjalë për të paturpshmin Bernd Borchardt, Ambasador i OSBE, një diplomat gjerman, servil e i pa dinjitet, i cili shumë shpejt do të na japë kënaqësinë e largimit nga misioni i tij i dështuar në Shqipëri. Po kështu, i konsideroj fyerje për inteligjencën e shqiptarëve, disa qëndrime dhe deklarata të stilit Mogherinian, të Ambasadorit Soreca apo ndonjë tjetri, bashkëkombës i tij. Opozita me z. Basha në krye, nuk do të cedojë për asnjë çast nga vokacioni i saj perëndimor, për ta bërë Shqipërinë, si e gjithë Evropa!

-Faleminderit!