Diplomati Agim Nesho: Washingtoni dhe Brukseli nuk mund të legjitimojnë zgjedhje farsë dhe kthimin e një regjimi diktatorial

701
Sigal

Presidenti Meta ndërhyri për të zgjidhur krizën politike në mënyrë konsensuale, për të shmangur përplasjen civile të mundshme dhe për të bërë të mundur avancimin e procesit të integrimit evropian. Ai është përfaqësuesi i unitetit kombëtar dhe institucioni i vetëm kushtetues që realizon këtë rol

Washingtoni dhe Brukseli nuk do të legjitimojnë zgjedhje farsë dhe kthimin e një regjimi diktatorial

Agim Nesho, në intervistën për gazetën “Telegraf” e vlerëson dekretin e Presidentit të Republikës Ilir Meta si mundësi për të shmangur përplasjen civile dhe për të zgjidhur krizën në mënyrë konsensuale. Ndërsa e shikon si konsensus realitetin që qeveria shqiptare të marrë drejtimin e OSBE-së, ndërkohë që organizon një proces farsë zgjedhore në 30 qershor. Zoti Nesho shpreh bindjen se Washingtoni dhe Brukseli nuk do ta legjitimojnë kthimin e një regjimi diktatorial me zgjedhjet e 30 qershorit.

Zoti Nesho, Presidenti i Shqipërisë u ka dërguar letër OSBE/ODIHR-it duke i informuar për shfuqizimin e datës 30 Qershor 2019. Atëherë, si ka mundësi që pas kësaj letre OSBE/ODIHR i kërkuan KQZ-së të miratojë 150 vëzhgues në procesin zgjedhor të anuluar me Dekret të Presidentit të Republikës?

Letra e Presidentit te Republikës Meta drejtuar Kryetarit në Detyrë të OSBE-së shpjegon qartë situatën në Shqipëri dhe arsyet pse në datën 30 qershor nuk ka zgjedhje. Presidenti në mbrojtje të Kushtetutës, të parimeve demokratike të një sistemi shumë-partiak me zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe të drejtës së qytetarëve për të pasur mundësi për t’u shprehur në zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre, shfuqizoi zhvillimin e zgjedhjeve më 30 qershor. Presidenti Meta ndërhyri për të zgjidhur krizën politike në mënyrë konsensuale, për të shmangur përplasjen civile të mundshme dhe për të bërë të mundur avancimin e procesit të integrimit evropian. Ai është përfaqësuesi i unitetit kombëtar dhe institucioni i vetëm kushtetues që realizon këtë rol. Organizata e OSBE është një organizatë për sigurinë evropiane me pjesëmarrjen e të gjitha shteteve, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës deri tek Rusia. Ajo vepron në vendet problematike dhe asiston në tejkalimin e krizave politike në rajonin tonë. Në të njëjtën kohë misioni i saj në një vend të caktuar kërkon konsensusin e qeverisë në vendin ku kryen veprimtarinë. Në këtë mënyrë ajo është një organizatë që nuk definon karakterin e krizës, por ushtron aktivitetin e saj për të parandaluar dhe menaxhuar pasojat e krizës. Shqipëria është në treshen drejtuese të Presidencës së OSBE-së dhe pret që vitin e ardhshëm të drejtojë kryesinë. Që këtu vihet re kontradikta që një qeveri që është shkaktare e krizës, që më veprimet e saj po krijon elemente të destabilizimit rajonal, do të drejtojë veprimtarinë e një institucioni të rëndësishëm evropian. Nonsense i plotë, por ky është realiteti.

Si shpjegohet që OSBE/ODIHR-i ende nuk kanë prononcuar publikisht për zbardhjen e audiopërgjimet e Dosjes 339 dhe 184 të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për blerjen e votave? Ato janë dokument shtetërore, pra fakte të pakundërshtueshme?

Sistemin politik në Shqipëri e kanë vendosur qytetarët shqiptarë dhe ata janë garantuesit më të mëdhenj për ta mbrojtur dhe ruajtur atë. Ne si shoqëri me një eksperience relativisht të vogël në sistemin demokratik besojmë akoma se zgjidhjet duhet të vinë nga jashtë. Kjo për vetë mentalitetin lindor të ‘servitude’ përpara pushtetit dhe mos kontestimin e autoritetit të liderit që ka pushtetin. Në rastin e dosjes 339 dhe 184 janë fakte të pakontestueshme që moralisht do të kishin prodhuar dorëheqjen e çdo qeverie, si një akt i përgjegjshëm përpara popullit dhe opinionit publik. Por kjo është e pamundur në Shqipëri ku është instaluar një klikë dhe pushteti po rrëshqet drejt një regjimi jo-demokratik e autokratik. Sado të presim prononcimet nga burokratët e OSBE-së, është popullit shqiptar, partitë politike që duhet të qëndrojnë fort për demokracinë.

Shqiptarët pyesin: Si ka mundësi që qeveritë e SHBA dhe Bashkimit Evropian heshtin dhe miratojnë që në Shqipëri të zhvillohen Zgjedhje në 30 Qershor 2019 pa Opozitën? Nëse SHBA dhe Bashkimi Evropian pranon një Parlament pa Opozitë, zgjedhje vendore pa Opozitën, nëse njohin Parlament ku deputetët blenë votat me Paratë e Krimit në zgjedhjet parlamentare, atëherë lind pyetja: Kjo është demokracia që na ofrojnë?

Deri tani kriza politike në Shqipëri është një krizë e brendshme që akoma nuk ka marrë vëmendjen e qendrave vendim-marrëse dhe partnerëve perëndimore të vendit tonë. Opozita me të drejtë, duke vlerësuar që shteti është kapur, korrupsioni është i dukshëm, krimi është lidhur me politikën dhe pushteti po përpiqet të kapë gjithë institucionet drejt një regjimi autokrat, ndërmori veprime ekstreme për një situatë ekstreme. Në qoftë se opozita kërkonte të sensibilizonte faktorin ndërkombëtar për situatën kritike në Shqipëri, faktori ndërkombëtar vazhdon të qëndrojë në pozicionin për ruajtjen e stabilitetit në Shqipëri dhe rajon dhe të ruajtjes së parimeve bazë të funksionimit të shtetit demokratik – parlamentarizmit dhe rotacionit politik nëpërmjet votës së lirë të popullit. Duke qenë se në Ballkan tashmë ekziston edhe një komponent i interesave gjeopolitike të shumë fuqive të huaja, veprimi i faktorit ndërkombëtar ka një inerci në vendim-marrje. Bashkimi i këtyre dy pozicioneve maksimalisht të kundërta, midis faktorit ndërkombëtar dhe krizës së thellë politike në vend, që do të vijë nga njohja më e thellë të situatës, do të sjellë në zgjidhjen e problemit. Data 30 qershor është data kur pushteti i korruptuar kërkon në mënyrë joinstitucionale të kapë plotësisht shtetin. Opozita kërkon ta ndalojë këtë proces. Në 1 korrik është kthesa e madhe. Washingtoni dhe Brukseli nuk mund të pranojnë dhe legjitimojnë një proces farsë dhe kthimin e një regjimi diktatorial. Në 1 korrik pushteti i deligjitimuar nga procesi i blerjes dhe manipulimit të votave do të konsumojë edhe aktin e fundit duke delegjitimuar veten plotësisht. A do ta pranojë perëndimi një regjim të tillë? Sigurisht jo. Po sa do të zgjasë procesi i rivendosjes së institucioneve demokratike në Shqipëri? Kjo varet nga shumë faktorë, por gjithmonë faktori kryesor mbetet populli shqiptar që duhet të marrë në dorë fatet e tij.

Nëse në 30 Qershor do zhvillohen Zgjedhje, cilat do të jenë pasojat për Shqipërinë dhe Shqiptarët?

Në qoftë se nuk zgjidhim krizën politike, dhe vazhdojmë të këmbëngulim në skenarë që mundësojnë pushtetin absolut të një grupi njerëzish, atëherë Shqipëria do të kthehet 30 vite mbrapa. Kjo krizë tregon se ne kemi dështuar 30 vjet të ngremë vetëdijen politike të shqiptarëve, të kuptojnë funksionimin e sistemit politik të demokracisë. Për 30 vjet ne nuk jemi ndërgjegjësuar për të drejtat dhe liritë tona, kemi dështuar në përgatitjen e një brezi të ri të aftë për të ndërtuar perspektivën evropiane të vendit. 30 qershori do të provojë nëse Shqipëria është e denjë për t’u pranuar në familjen evropiane, ku vendet në krizë dhe jo liberale e kanë të vështirë për tu bërë pjesë. Në 30 qershor ne mund të ndahemi përfundimisht nga krimi, korrupsioni, kapja e shtetit në qoftë se populli shqiptar kupton që është momenti për tu ndarë me të kaluarën dhe ata që duan ta kthejnë atë. Prandaj në 30 qershor t’i themi JO regjimit dhe PO demokracisë!