Diplomati Agim Nesho: MiniShengeni, alternativë e projektit të ndryshimit të kufijve, që Serbia të ketë rol kryesor në Ballkan

478
Sigal

Agim Nesho, ish-ambasador i Shqipërinë në SHBA

Kritika e Kryeministrit Rama ndaj udhëheqësve të Kosovës në takimin e Tiranës për projektin e Mini-Shengenit, ishte një reagim nervoz ndaj dështimit të iniciativës së mbështetur nga Vuçiç dhe Rama por e refuzuar nga Kosova

Mini-Shengeni, alternativë e ndryshimit të kufijve, me Serbinë rol kryesor në Ballkan

Jakup B. GJOÇA

Agim Nesho, ish-ambasador i Shqipërinë në SHBA dhe OKB në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet se Shqipëria nuk mund t’i ofrojë asgjë të re Kryesisë së OSBE-së, si në zgjedhjet e lira dhe të ndershme, ku viti 2017 provoi të kundërtën; ndërkohë që me ligjin për Median dhe Antishpifjen kërkon që të censurojë fjalën e lirë. Zoti Nesho, paralajmëron qeverinë, se duhet të tregohet më e kujdesshme ndaj kërcënimeve të Iranit, pasi rreziku mund të mos vijë drejtpërdrejt nga shteti iranian, por nga goditje prej grupeve militantësh ose individësh ekstremistë dhe, këto nuk mund të përballohen me slogane “Kemi mbështetjen e NATO-s”. Zoti Nesho është tepër kritik ndaj iniciativës të kryeministrit Rama për Mini Shengenin dhe thekson se “Naiviteti i Kryeministrit Rama është se ai beson në një projekt Beograd-Tiranë si projekti Gjermano-Francez i Evropës së Bashkuar. Ai mendon se me këtë veprim do të bëhet boshti i bashkimit të hapësirave shqiptare duke sakrifikuar Kosovën. Asnjë prospekt kombëtar nuk kalon dhe duhet të kalojë nga Serbia”.

Zoti Nesho, kryesimi i OSBE-së nga Shqipëria çfarë rëndësie politike ka, kur dihet që OSBE kritikoi ashpër zgjedhjet e 30 qershorit dhe Shqipëria është ende në provë për të plotësuar kushtet e BE-së për hapjen e negociatave?

– Shqipëria mori kryesinë e OSBE-së në bazë të një kërkese të paraqitur nga ana jonë kohë më parë, kërkesë që nuk u refuzua edhe sot kur Shqipëria paraqet një situatë krize politike dhe institucionale dhe problemet e shtetit ligjor, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar evidentojnë Shipërinë si një shtet me probleme serioze. Në qoftë se ne do të kishim bërë përparimet e nevojshme nuk do të refuzoheshim për herë të dytë nga Këshilli Europian për të nisur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian. Politikisht, marrja e Kryesisë së OSBE-së paraqitet si një fitore në skenën politike Shqiptare për të zbehur problematikën serioze që ekziston në vend, ndërsa në skenën ndërkombëtare nuk ndryshon asgjë, përveçse zbutjes së qëndrimeve dhe kompromiseve të mundshme të Misionit të OSBE -së në Shqipëri që ndodhet përpara konfliktit të interesit. Shqipëria nuk mund t’i ofrojë asgjë të re Kryesisë së OSBE-së sepse nuk mund të eksportojë ndonjë vlerë ose eksperiencë pozitive si në zgjedhjet e lira dhe të ndershme, ku 2017-ta provoi të kundërtën; lirinë e medias, ku pozicioni i Shqipërisë gjithmonë e më shumë po përkeqësohet; si në luftën kundër korrupsionit kur situata po përkeqësohet. E vetmja dukuri që do të propogandohet do të jetë udhëtimet e kryeministrit Rama në vendet në konflikt, të cilat do ‘të shiten’ në Shqipëri si kontribut ndërkombëtar i një njeriu me vizion. Për opinionin publik ndërkombëtar është e qartë se vendimmarrja për zgjidhjen e konflikteve kalon nga kryeqytetet kryesore evropiane dhe në Washington, ndërsa Kryesia shpreh pjesëmarrjen e shteteve anëtare në funksionimin e Organizatës.

– A është e ekspozuar Shqipëria ndaj një rreziku nga Irani për shkak se mban muzhahidinët?

– Sigurisht ka një rrezik ekspozimi të Shqipërisë ndaj Iranit kur ne i kemi dhënë të drejtën e qëndrimit muzhahedinëve iranianë që janë edhe opozita më e fortë ndaj regjimit të Ajatollahëve. Kjo është e dukshme kur ke përpara një regjim teokratik mesjetar që hakmarrjen e koncepton në të gjitha format. Shqipëria nuk rrezikohet nga goditjet direkte, por nga goditje nga grupe militante ose individë ektremistë edhe mund të priten. Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe kjo është një garanci për vendin tonë, por NATO nuk vepron ndaj individëve apo grupeve terroriste. Nëse ata veprojnë kjo është përgjegjësi e shtetit, i cili përpara se të hiqet solidar dhe i mirë me fuqitë e mëdha duhet të jetë i përgjegjshëm përpara qytetarëve të tij. Klasa politike shqiptare duhet të ndërgjegjësohet nga ky rast për të zvogëluar interesat klienteliste për pushtet, në favor të një politike të interesave kombëtare.

– Ju si e vlerësoni kritikën e kryeministrit Rama ndaj udhëheqëve të Kosovës në praninë e Vuçiç në Tiranë për mospjesëmarrjen në Samitin për Mini Shengen?

– Kritika e Kryeministrit Rama ndaj udhëheqësve të Kosovës në takimin e Tiranës për projektin e mini-Shengenit, ishte një reagim nervoz ndaj dështimit të inisiativës së mbështetur nga Vuçiç dhe Rama por e refuzuar nga Kosova dhe e parë me skepticizëm nga Mali i Zi dhe Bosnja-Hercegovina. Mini-Shengeni është një iniciativë për të rritur dominimin serb në rajon dhe rritur influencën e fuqive jo-europiane në Ballkanin Perëndimor. Mini-Shengeni jepet si alternativë e projektit të ndryshimit të kufijve për të nxjerrë Serbinë fituese dhe me një rol kryesor në Ballkan. Naiviteti i Kryeministrit Rama është se ai beson në një projekt Beograd-Tiranë si projekti Gjermano-Francez i Europës së Bashkuar. Ai mendon se me këtë veprim do të bëhet boshti i bashkimit të hapësirave shqiptare duke sakrifikuar Kosovën. Asnjë prospekt kombëtar nuk kalon dhe duhet të kalojë nga Serbia. Sado modern po përpiqet të paraqitet nacionalizmi Serb, kur naiviteti konkuron me delirancën vetëm dështime do të prodhojë.

– A nuk është absurde që të flitet për pjesëmarrje të Kosovës në Mini Shengen kur Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet të Pavarur?

– Mini-Shengeni pa Kosovën është një absurditet i madh ashtu si dhe një inisiativë midis shteteve kur nuk njohin njëra-tjetrën. Për Serbinë, anashkalimi dhe mos-njohja e Kosovës mbetet në strategjinë e kësaj iniciativ,e duke mos njohur një realitet tashmë të pakthyeshëm siç është Republika e Kosovës. Për të zbutur këtë non-sense dhe për të realizuar politikën e tij nacionaliste Presidenti Vuçiç vë në dukje se marrëveshja për Mini-Shengenin bazohet në dy shtylla kryesore: Serbët dhe shqiptarët. Pra njeh Shqiptarët pa territorin e Kosovës, të cilën vazhdon ta quajë territor të saj edhe në preambulën e Kushtetutës së Serbisë. Për më tepër, ministri i Jashtëm i Serbisë, z. Daçiç, shprehet hapur se një nga objeksionet e sotme të Serbisë është zhbërja e njohjes ndërkombëtare të shtetit të Kosovës me inisiativë direkte diplomatike. Në pamje të parë, duket sikur Mini-Shengeni është një vazhdimësi e reformave europiane për integrim, por në fakt nuk njeh Kosovën, heq kufizimet e taksës 100 % ndaj mallrave serbe dhe shfrytëzon çdo iniciativë integruese të shqiptarëve në rajon si precedent të ambicieve të saj për Serbinë e Madhe dhe dominimin e saj në rajon.

 – Kryeministri Rama ka deklaruar se SHBA e mbështet Mini Shengenin. Ju si diplomat që keni shërbyer në SHBA dhe i njihni mirë konjukturat, sa vërtetësi ka kjo thënie?

– Vendet e Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në favor të çdo iniciative rajonale që shtetet me vullnet të lirë ndërmarrin në funksion të mirëqënies dhe përparimit të tyre. Për shumë vende të BE-së ka rezerva se mini-Shengeni ballkanik dublon inisiativat e mëparshme dhe duket si një reagim ndaj mos-pranimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në hapjen e negociatave si vende kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian. Pjesëmarrja e Serbisë në inisiativën e Euro-Azisë krijon pikëpyetje serioze, kur për këtë inisiativë BE ishte shprehur hapur se bie ndesh me interesat e saj. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë një reagim standard nga Byroja për Çështjet e Europës Juglindore me përfaqësuesin e saj zotin Palmer, por edhe një rezervë domethënëse nga ana e Ambasadorit Grenell, përfaqësues special i Presidentit Trump, i cili vë në dukje që kjo iniciativë ‘nuk duhet të përjashtojë Kosovën’, rezervë që e kompromenton që në fillim iniciativën Vuçiç-Rama. Pavarësisht dakordësimit në parim që kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për iniciativat rajonale, në rastin e Serbisë shumë institucione Amerikane e evidentojnë atë si një vend satelit të interesave ruse në Ballkan. Duket se ideatorët e Mini-Shengen-it Ballkanik kërkojnë të imponojnë inisiativën në opinionin publik të rajonit, duke treguar përkrahjen e SHBA-së, por kjo inisiativë po trajtohet në të njëjtën mënyrë si iniciativa e ndarjes së kufijve të Serbisë me Kosovën. Në analizë të fundit duket se do të kenë të njëjtin përfundim.

– Faleminderit