Dibranët i kërkojnë Berishës t’i udhëheqë/ Berisha: Do ‘votojmë’ me protesta masive

225
Sigal

Foltorja e Dibrës u mbyll sërish me kërkesën e demokratëve që Sali Berisha të kthehet në drejtimin e partisë.

Një prej tyre madje tha se është gati të dorëzojë dokumentin që mban emrin e Lulzim Bashës. “Dokumentin me emrin e Lulzim Bashës dua ta dorëzoj. Nuk mund të mbaj dokumentin me emrin e një tradhtari,” tha ai.

Por Berisha insistoi se partia duhet të bashkohet. Edhe më herët ai tha se nuk duhet të ketë ndarje në bashistë dhe berishistë.

“Dokumentet siç janë të vlefshme, edhe ai duhet të mendojë për këtë. Atë e kanë marrë peng, por ju nuk mund t’ju marrin peng. Do jemi më lart se në vitin 1990 se dimë 10 herë më shumë se në atë vit. Do e bëjmë partinë më të fortë, më të lirë,” tha Berisha.

“Atyre që nuk kanë ardhur, u them duke përdorur fjalët e kryetarit të degës së PD të Hasit, i cili ia tha Lulzim Bashës: kryetar, po erdhi Sali Berisha për Foltoren, unë do jem aty. Do të jem sepse unë nuk jam të nesërmen kryetar më. Dmth baza ime është e tëra me të. Unë i ftoj këta. Secili që mendon ndryshe, do dëgjohet dhe do respektohet. Ne jemi bashkë,” theksoi Berisha.

“Qytetarët, të cilëve Edi Rama iu dhunoi dhe rrëmbeu votën, do të votojnë në sheshet dhe rrugët e Shqipërisë në protestat më të fuqishme që vendi ka njohur. Do votojnë me protestat e tyre,” paralajmëroi Berisha.