Dhoma Amerikane e Tregtisë “shuplakë” qeverisë për tenderët: Ka shumë vend për abuzime, duhet paketë antikorrupsion!

73
Sigal

 

Shqipëria ka nevojë për një paketë nxitëse për të tërhequr investimet e huaja, por po aq problem janë korrupsioni dhe prokurimet. Ne konsiderojmë të rëndësishme ndërtimin e një pakete të fortë, solide anti-korrupsion, e cila do t’i pengonte zyrtarët e ndryshëm të lartë, por edhe të mesëm të përfshihen në akte korruptive

 

 Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri po organizon për herë të parë në Ballkanin Perëndimor konferencën rajonale “Qytetet Inteligjente”, si një nxitje për të shtuar në qytetet e rajonit investimet në teknologjitë e sigurta inteligjente, dhe për të modernizuar shërbimet publike. Konferenca mbahet ndërkohë që Shqipëria sapo kaloi disa sulme kibernetike, që nxorën në pah nevojën për të rritur shkallën e sigurisë në këtë fushë. Klima e biznesit në Shqipëri paraqet një seri vështirësish, siç pohojnë përfaqësues të këtij komuniteti. Bashkitë e Shqipërisë dhe të rajonit mund të përmirësojnë ndjeshëm shërbimet ndaj qytetarëve përmes investimeve në teknologji të sigurta dhe mund të çojnë përpara zhvillimin urban përmes investimeve të gjelbra në rajon. Ky është synimi kryesor i konferencës së parë rajonale “Qytetet inteligjente”, që po organizon Dhoma Amerikane e Shqipërisë së bashku me ambasadën amerikane, ku pritet të marrin pjesë 20 bashki nga 6 vende të Ballkanit Perëndimor. Kanë ardhur të marrin pjesë emra si Amazon, Microsoft, Motorola, Parsons, Oracle e shumë kompani të tjera, që ndoshta nuk janë shumë të njohura për publikun, por janë shumë të njohura globalisht në këtë fushë” – thotë zoti Jaço. Zoti Jaço thotë se Shqipëria ka nevojë për një paketë nxitëse për të tërhequr investimet e huaja, por po aq problem janë korrupsioni dhe prokurimet.

“Ne konsiderojmë të rëndësishme ndërtimin e një pakete të fortë, solide anti-korrupsion, e cila do t’i pengonte zyrtarët e ndryshëm të lartë, por edhe të mesëm të përfshihen në akte korruptive, do ta bënte të vështirë për ata, por do e bënte të kollajshme për organet ligjvënëse për identifikimin, kapjen dhe penalizimin e këtyre individëve” – thotë zoti Jaço.

Në rekomandimet e Dhomës Amerikane kërkohet edhe një reformim i thellë i prokurimeve publike, të cilat, sipas saj, kanë shumë hapësira për abuzime.

Po ashtu autoritetet duhet të përshpejtojnë nxjerrjen e lejeve për investime dhe ndërtime, thuhet në rekomandimet e Dhomës Amerikane, sepse Shqipëria ka numrin më të madh të kërkesave në rajon dhe kohëzgjatjen më të madhe për miratimin e tyre.“Dhoma Amerikane nuk është e kënaqur me rezultatet e deritanishme. Rekomandimet tona tashmë janë të vjetra, kemi më shumë se dy vjet që i kemi dërguar qeverisë këto rekomandime dhe i kemi bërë publike. dua të them hapur se progresi nuk është aty ku duhet të jetë. Dhoma Amerikane do të jetë gjithmonë konstruktive” – thotë zoti Jaço. Konferenca “Smart Cities” do të shqyrtojë mundësitë e bashkive të rajonit për investime inteligjente, duke i siguruar, gjetur ato përmes pavarësisë financiare për të modernizuar shërbimet publike, për të sjellë zhvillim ekonomik, vendeve të reja pune. Kjo është arsyeja pse marrin pjesë institucione të rëndësishme financiare, si EXIM Bank dhe USTDA, Bashkimi Europian, Banka Europiane për Investime, EBRD (BERZH), të cilat mund të mbështetin me financime këto projekte.

I pyetur për klimën e biznesit Jaço tha: Ky treg do të bëhet pjesë e një rrugëtimi drejt Bashkimit Europian, ku risku ekonomik dhe politik do të vijë gjithmonë duke u ulur, e atëherë bëhet një treg shumë atraktiv për investitorët e mëdhenj. Në këtë moment tregu është i ndarë, i vogël, i copëzuar dhe i fragmentuar, i paunifikuar. Vende të caktuara si Serbia apo Maqedonia e Veriut kanë një klimë biznesi më të avancuar se sa ajo e Shqipërisë, qoftë edhe Kosovës apo Bosnjes. Mendoj se Shqipëria do të përfitonte shumë si nga unifikimi i tregut rajonal, por gjithashtu edhe nga rritja dhe përmirësimi i ndjeshëm i klimës së biznesit.