Dhoma Amerikane e Tregtisë, Arben Ahmetaj merr pjesë në konferencën “Sfidat e Zhvillimit Ekonomik”

474
Sigal

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, z. Arben Ahmetaj mori pjesë dje në konferencën “Sfidat e Zhvillimit Ekonomik”, organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë. Në konferencë u prezantuan po ashtu gjetjet e raportit AmCham Business Index dhe më pas pikat kryesore të raportit të Bankës Botërore “Doing Business 2014”. Ministri Ahmetaj mori pjesë në panelin e diskutimit mbi efektet e rezultateve të raportit Doing Bussines në ekonomi dhe mbi investimet e huaja, së bashku me znj. Elira Sakiqi, përfaqësuese e IFC në Tiranë, z. Genti Daci, zv.president i Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe znj. Orenela Liperi, nga Revista Monitor. Sipas Ministrit Ahmetaj konkluzionet e raporteve të Dhomës Amerikane të Tregtisë dhe Bankës Botërore, pavarësisht metodologjisë së përdorur, reflektojnë të njëjtën të vërtetën kokëforte, të cilën qeveria po përpiqet ta ndryshojë. Në këtë drejtim, ministri i Zhvillimit Ekonomik renditi masat e ndërmarra nga qeveria për të ndryshuar situatën ekonomike, si pagesa e borxheve ndaj biznesit, rimbursimi automatik i TVSH-së, krijimi i Këshillit Ekonomik Kombëtar, i cili ka reflektuar në nismat e qeverisë shumë prej elementëve të propozuar nga biznesi, etj. Duke u ndalur te pagesa e borxheve të prapambetura ndaj biznesit, ministri Ahmetaj tha se, nga 726 milionë dollarë detyrime deri më tani janë paguar gati 200 milionë dollarë. Një masë e tillë, sipas ministrit, reflekton së pari në klimën e biznesit dhe ka ndryshuar frymën te sipërmarrja. “Po të lexojmë se çfarë thotë me të drejtë raporti, perspektiva e vitit 2014 është e favorshme. Janë mbi 55 për qind e të anketuarve që e konsiderojnë vitin 2014 neutral, të favorshëm ose shumë të favorshëm. “Kjo konvertohet në atë që thotë Banka e Shqipërisë, që besimi i sipërmarrjes te qeveria dhe te ekonomia e Shqipërisë është rritur, në bazë të indikatorëve që ata përdorin, 13.3 për qind”,- tha Ahmetaj. Ministri Ahmetaj vuri theksin në rimbursimin automatik të TVSH, gjë që më parë nuk kishte ndodhur dhe ç’ka kishte krijuar më shumë se 200 milionë euro detyrime të parimbursuara ndaj sipërmarrjes.