Detyrimet ndaj bashkisë në një faturë të vetme

499
Sigal

Në Ditën e Ujit, kryebashkiaku Erion Veliaj bëri publike nismat e parashikuara nga Bashkia e Tiranës qoftë për furnizimin me ujë të pijshëm si dhe shërbimet ndaj klientit.

Sipas Veliajt menaxhimi i ri i Ujësjellës-Kanalizimeve do të sjellë një mënyrë të re të pagesës së taksave në Bashkinë e Tiranës.

Duke filluar nga fundi i vitit apo fillimi i vitit të ri, qytetarët do të paguajnë të gjitha taksat e bashkisë në një faturë të vetme të shpërndarë në 12 muaj, për të shmangur sorollatjet e qytetarëve nëpër zyra.

Veliaj po ashtu tha se për herë të parë do të aplikohet një skemë e re e cila është e njohur në disa vende të botës, ku klientët e ujit do të jenë edhe aksionerë të Ujësjellës-kanalizimeve, pasi vetëm në këtë mënyrë UKT mund të dalë me fitime.

“Do aplikojmë një skemë e njohur në disa vende në botë ku të gjithë klientet e UKT të jenë aksionerë të kompanisë. Nuk e di në ç’raport do të jenë, por kjo është e vetmja mënyrë që secilit klient t’i njihet fitimi, kur kompania të dalë me fitim”, tha Veliaj.

Sipas tij tashmë do të marrë fund historia e abuzimeve me UKT-në, e cila ka sot 65 milionë dollarë borxhe dhe detyrime tek të tretët.

“Vetëm borxhi ndaj kompanive që janë nënkontraktuar për të bërë punë për hesap të Ujësjellës-Kanalizimeve, është 20 milionë dollarë. Kam dhënë një urdhër, ne nuk do të paguajnë asnjë qindarkë nëse çdo rrugë dhe asfalt që duhej të rregullohej nga kjo kompani, të kthet në gjendjen e tyre të mëparshme”, u shpreh kreu i bashkisë.

Po ashtu Veliaj renditi disa nga masat e mara deri më tani nga Bashkia.

“Ne kemi bllokuar 15 autobote uji që vidhnin ujin e pijshëm, kemi arrestuar 10 punonjë të ujësjellës-kanalizimeve. Kemi bllokuar veprimtarinë e 13 lavazheve me lidhje të paligjshme të ujit. Kemi ndërprerë lidhjet e disa kompanive të ujit dhe të birrës. Në total, njësitë e ujësjellës-kanalizimeve, kanë ndërpreë 10 mijë pika furnizimi me ujë të pijshëm”, tha Veliaj teksa ftoi qytetarët që të denoncojnë çdo rast të abuzimit me ujin e pijshëm.