Detaje të reja për McGonigal/ Ish-agjenti i FBI nisi të hetojë lidhur me oligarkun rus, përfundoi duke punuar për të

119
Sigal

Të tjera detaje kanë dalë mbi ish-zyrtarin e arrestuar të FBI-së McGonigal, i cili akuzohet për marrje të ryshfetit nga një oligark rus i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe nga një zyrtar i Shërbimit Informativ Shtetëror në Shqipëri.

Sipas një investigimi të New York Times, bëhet me dije se FBI nisi të hetojë rreth oligarkut rus të aluminit, miliarderit Oleg Deripaska, por agjenti që iu vu pas për ta ndjekur oligarkut rus, Charles McGonigal, i cili njihet edhe si mik i kryeministrit Edi Rama, përfundoi duke bashkëpunuar me të dhe duke marrë ryshfet prej tij.

Gjithashtu bëhet me dije se Byroja Federale e Hetimit u përpoq të rekrutonte Deripaskën rreth vitit 2014, me shpresën se ai mund të hidhte dritë mbi disa çështje me rëndësi për sigurinë e Shteteve të Bashkuara, si për krimin e organizuar dhe më vonë dhe ndërhyrje të mundshme në zgjedhjet presidenciale në SHBA.

Artikulli i NYT:

Një dekadë më vonë, Deripaska mund të ketë kthyer situatën ndaj FBI-së, pasi Prokurorët thonë se oligarku rekrutoi një nga agjentët kryesorë të byrosë, pikërisht kur doli në pension, për të kryer një punë që sipas tyre shkelte sanksionet e SHBA. Akuzat e zbuluara këtë javë kundër Charles McGonigal, i cili drejtonte njësinë e kundërzbulimit në zyrën në terren të byrosë në Nju Jork dhe hetonte oligarkët rusë, duke përfshirë Deripaskën, sipas aktakuzës treguan shtrirjen e oligarkut në nivelet më të larta të pushtetit të SHBA.

Nuk ka asnjë tregues në aktakuzën e Manhattan-it që McGonigal punonte për Deripaska ndërsa ishte ende i punësuar në FBI. Megjithatë, rasti, dhe një padi paralele në Uashington që e akuzoi McGonigal për marrjen e të paktën 225,000 dollarëve pagesa sekrete nga një ish-punonjës i një shërbimi inteligjent shqiptar ndërsa ishte ende në agjenci ka ngritur pikëpyetje se sa i kompromentuar mund të ketë qenë ai.

Deripaska kishte qenë në radarin e autoriteteve amerikane për vite me radhë dhe mbetet nën sanksione. Ai njihej si aleat i presidentit rus Vladimir Putin, ndërsa Departamenti i Thesarit kishte raportuar se ai kishte lidhje me krimin e organizuar.

“Deripaska është një person i njohur për këdo që ndjek Rusinë,” tha Daniel Fried, një ish-ambasador i SHBA në Poloni dhe një ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit që ndihmoi në krijimin e sanksioneve kundër Rusisë. “Unë nuk do të kisha pranuar një ftesë për drekë nga Deripaska,” shtoi ai. Implikimet e akuzave kundër McGonigal janë alarmante, tha Fried. “Në një kuptim më të gjerë, duket se sugjeron se ndikimi korruptues i oligarkëve rusë, paratë, është real.”

Në një deklaratë, një zëdhënëse e zotit Deripaska, Larisa Belyaeva, tha se ai nuk e punësoi McGonigal për asnjë qëllim dhe se ai kurrë nuk ka qenë i afërt me presidentin Putin. Për vite me radhë, zoti Deripaska, ka punësuar një ushtri të vogël lobistësh, avokatësh, konsulentësh dhe fiksuesish për të mbrojtur biznesin dhe interesat e tij personale dhe për të lehtësuar aksesin e tij në vendet perëndimore.

Megjithatë, muajt e fundit, prokurorët federalë në Nju Jork kanë akuzuar disa nga ata përfaqësues në padi që i akuzojnë ata për një sërë shkeljesh të sanksioneve. Deripaska u padit vetë vjeshtën e kaluar, me autoritetet që thanë se ai kishte planifikuar që e dashura e tij të lindte fëmijën e tyre në Shtetet e Bashkuara. Në atë kohë, autoritetet amerikane thanë se ai nuk ishte arrestuar dhe konsiderohej i arratisur.

Deripaska u bë i pasur duke mbizotëruar ndaj rivalëve dhe partnerëve në vitet 1990, kur rusët e lidhur mirë konkurruan për kontrollin mbi burimet shtetërore në prag të rënies së Bashkimit Sovjetik. Ai fitoi një reputacion si i pamëshirshëm dhe kontestues. Ai gjithashtu bëri lidhje me figura të fuqishme, veçanërisht në Britani. Ai kaloi vite duke u përpjekur për të blerë respekt dhe besueshmëri në Shtetet e Bashkuara, Londër dhe gjetkë, duke pritur parti në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër, duke punësuar ish-zyrtarë të lartë amerikanë si lobistë dhe duke u ballafaquar me figura të fuqishme politike britanike.

Megjithatë, administratat në Uashington u përpoqën të kufizonin aftësinë e tij për të udhëtuar në Shtetet e Bashkuara, pavarësisht ndërmjetësimeve personale nga zoti Putin. FBI kontrolloi shtëpitë miliona dollarëshe të lidhura me Deripaskan në vitin 2021, si pjesë e hetimit nëse ai kishte shkelur sanksionet e vendosura ndaj tij. Deripaska erdhi në vëmendje më të gjerë të publikut në Shtetet e Bashkuara rreth zgjedhjeve të vitit 2016, sepse ai kishte punësuar Paul Manafort, kryetar i dikurshëm i fushatës së Donald Trump, si këshilltar.
Përafërsisht nga viti 2014 deri në vitin 2016, FBI u përpoq ta gjykonte Deripaska si një informator potencial, duke kërkuar informacion mbi krimin e organizuar rus dhe për ndihmën e mundshme ruse për fushatën e Trump, raportoi The Neë York Times në 2018. Në një moment, raportoi The Times, agjentët u shfaqën në dhomën e zotit Deripaska në shtëpi në Nju Jork dhe i bëri presion për zotin Manafort dhe nëse ai kishte shërbyer si një lidhje midis fushatës së Trump dhe Kremlinit. Sipas aktakuzës, në vitin 2018, McGonigal shqyrtoi një “listë të klasifikuar në atë kohë të oligarkëve me lidhje të ngushta me Kremlinin”, të cilët po konsideroheshin për sanksione.

“Që të paktën që nga viti 2016, Rusia ka qenë fokusi qendror i kundërzbulimit të FBI dhe qeveria e SHBA-së”, tha Brandon L. Van Grack, një avokat në praktikën private, i cili ishte prokuror për hetimin e Robert S. Mueller për përpjekjet e Rusisë për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. “Ky ish-agjent ishte po aq i vetëdijshëm për këtë shqetësim sa çdokush në FBI”

Në prill 2018, administrata Trump njoftoi sanksione ndaj shtatë oligarkëve dhe kompanive që ata zotëronin ose kontrollonin si ndëshkim për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016, aneksimin e Krimesë në 2014 dhe akte të tjera.

Deripaska dhe kompania e tij, Rusal, ishin mes tyre. Në njoftimin e sanksioneve, zyrtarët e Thesarit të SHBA cituan lidhjet e zotit Deripaska me një zyrtar të lartë rus dhe punën e tij në sektorin energjetik të Rusisë. Autoritetet thanë se ai ishte hetuar për pastrim parash dhe ishte akuzuar për kërcënimin e rivalëve të biznesit, përgjimin e paligjshëm të një zyrtari qeveritar dhe pjesëmarrjen në zhvatje dhe shantazh. Ata cituan gjithashtu akuza se zoti Deripaska kishte korruptuar një zyrtar qeveritar, kishte urdhëruar vrasjen e një biznesmeni dhe kishte lidhje me krimin e organizuar rus.

Deripaska mohoi akuzat, të cilat aleatët e tij kanë thënë se janë ndëshkim për refuzimin e bashkëpunimit me autoritetet amerikane. Në vitin 2019, administrata Trump hoqi sanksionet kundër kompanive të zotit Deripaska sipas një marrëveshjeje që synonte të zvogëlonte kontrollin dhe pronësinë e tij, megjithëse një dokument konfidencial tregoi se marrëveshja mund të ketë qenë më pak ndëshkuese sesa reklamohej.

Për zotin Deripaska, sanksionet përfaqësonin jo vetëm një kërcënim ekzistencial për biznesin e tij, por një refuzim të imazhit të ndërmjetësit të pushtetit kozmopolit që ai kishte kërkuar prej kohësh të projektonte në Perëndim.

Deripaska u kundërpërgjigj, duke kërkuar të zhbëjë sanksionet ose të pakësojë efektin e tyre potencialisht vdekjeprurës në bizneset e tij. The Times raportoi në fund të 2018 se një përpjekje e fshehtë lobimi nga ekipi i tij i avokatëve, konsulentëve, bankierëve dhe aleatëve të lidhur mirë kishte bërë “përparim të konsiderueshëm”, duke përfshirë shtyrjet fituese të sanksioneve.

“Një nga rreziqet e sanksionimit të njerëzve të pasur është se ata janë më të pozicionuar për të luftuar”, tha Carlton Greene, një ekspert ndërkombëtar për sanksionet dhe pastrimin e parave. Nuk është e qartë nga aktakuza se si McGonigal hyri në radarin e Deripaskas.

Sipas aktakuzës kundër McGonigal, ndërsa ai ishte ende duke punuar për byronë në vitin 2018, Sergey Shestakov, një ish-diplomat sovjetik dhe rus dhe përkthyes i cili gjithashtu u akuzua në këtë rast e prezantoi McGonigal me email me një punonjës të Deripaska. Ai person u identifikua në akuza si Agjenti-1 dhe u përshkrua si një ish-diplomat sovjetik dhe i Federatës Ruse.

Sipas aktakuzës, Shestakov i kërkoi McGonigal të ndihmonte vajzën e Agentit-1, një studente kolegji, të merrte një stazh në Departamentin e Policisë së Nju Jorkut në fushën e antiterrorizmit, mbledhjes së inteligjencës ose “ndërlidhjes ndërkombëtare”. McGonigal i tha një vartësi të FBI se ai donte të rekrutonte agjentin-1, të cilin ai e përshkroi si një oficer të inteligjencës ruse, thuhet në aktakuzë. Aktakuza thotë se McGonigal pranoi ta ndihmonte vajzën dhe me ndihmën e një kontakti në Departamentin e Policisë ai siguroi një takim për të me një rreshter policie.

Në vitin 2019, pas daljes në pension, McGonigal prezantoi agjentin e zotit Deripaska në një firmë ligjore ndërkombëtare në Manhatan për të ndihmuar Deripaska që të hiqeshin sanksionet, sipas aktakuzës. Gjatë negociatave, McGonigal u takua me Deripaska në Londër dhe Vjenë, thanë prokurorët. Kur Deripaska nënshkroi me firmën, ajo solli McGonigal si konsulent dhe hetues. Në pranverën e vitit 2021, Agent-1 filloi negociatat me McGonigal për të punuar drejtpërdrejt për Deripaskan, pa firmën ligjore. Ai donte që McGonigal të hetonte një rival biznesi, sipas aktakuzës.

Midis gushtit dhe nëntorit 2021, sipas prokurorëve, Deripaska bëri pagesa për Shestakov dhe McGonigal nga një bankë ruse përmes llogarive në Qipro dhe Nju Xhersi. Në tetor të atij viti, agjentë e FBI kontrolluan shtëpitë e lidhura me zotin Deripaska në Neë York City dhe Ëashington. Më 21 nëntor 2021, agjentë e FBI sekuestruan pajisjet elektronike të Shestakov dhe McGonigal.