Detaje të reja/ I penduari: Si e trafikuam kanabisin me makinë funerali

227
Sigal

Të tjera detaje janë zbardhur nga dëshmia e bashkëpunëtorëve të drejtësisë që solli edhe operacionin “Shpirti” duke goditur 4 grupe kriminale të trafikimit të lëndëve narkotike. Një nga personat që ka trafikuar me skaf rreth 1 ton kanabis nga brigjet shqiptare drejt Italisë ka treguar me detaje për hetuesit se si realizohej trafikimi.

Sipas prokurorisë, skafisti Fiqiret Sferi ka dëshmuar përballë hetuesve italiane se ndihmoj nga dy shoqëruesit e ish-ministrit Tahiri, Hekuran Marku e Agustin Deda dhe njohjen me ta e ka siguruar nga Elton Bregasi që njihej me pseudonimin “Pingio”.

Në dosjen thuhet se dy ish-gardistët, ishin pronarë të parcelave të drogës në Memaliaj, ndërsa për transportimin e një sasie drogë deri në vendin ku qëndronte skafi është përdorur për mos rënë në sy një makinë funeralesh.

“Hekurani dhe Agustini erdhën tek ne pas mesnate. Kemi ngarkuar drogën dhe kemi shkuar në Vilëbashtovë. Gjatë rrugës na kanë shoqëruar ata të dy. Kemi ngarkuar gomonen dhe jemi nisur, ishte 20 dhjetor.

Në ngarkim ishin 5 vetë. Unë, Ajdini dhe 3 persona të tjerë, që udhëtonin me një “Mercedez Vito”. Ishte dhe një makinë e përdorur për vdekjet. Dy bodygardët nuk ishin të pranishëm në ngarkim dhe nisje” tha ai.

Nga dëshmia e të penduarit tregohet edhe momenti kur dy ish-shoqëruesit e ministrit siguronin rrugën që do të përshkruante mjeti që ishte ngarkuar me kanabis duke shmangur kontrollet e policisë.

“Kur mbërritëm në Gosë, Kavajë, kemi parë policinë dhe për këtë njoftuam “Pingion”. Ky i fundit mori në telefon Hekuranin dhe Agustinin, duke i informuar se kishin parë policinë lokale.

Shkuam tek një vend që dinte Ajdini. Mallin e shkarkuam tek varrezat e “Pingios” dhe ai na tha se do të prisnim Agustinin e Hekuranin deri kur të mbaronin shërbimin, se ishin bashkë me Ministrin dhe do e shoqëronin në shtëpi.

Kur e pamë policinë nuk ndaluam. Ndërsa prisnim që Hekurani dhe Agustini të vinin, ata telefonuan “Pingion” dhe i thanë të rrinte i qetë, sepse nuk kishte asnjë sinjalizim për transportimin tonë”.

Referuar hetimeve të prokurorisë, dy ish-gardistët në bashkëpunim me Eltjon Bregasin, si dhe katër italianë kanë trafikuar 1016 kg lëndë narkotike nga Shqipëria drejt Italisë, por kjo sasi është kapur nga policia e Barit.

Seferi ka treguar se ai së bashku me skafistin tjetër Ferhat Ajdinin do të fitonin 200 mijë euro nëse droga nuk do të kapej. Për zbardhjen e aktivitetit kriminal të nisur prej 2016-tës hetuesit janë ndihmuar nga dëshmitë Fiqiret Seferit, Ferhat Ajdinit, Donial Drollti, Mariglen Shushës dhe Elton Hamzait.