Dështon votimi i tri ligjeve “kushte të KE” në Kuvend, Topalli i heq nga axhenda

445
Sigal

Dështoi edhe dje në seancën e Kuvendit, votimi i tri ligjeve të vendosura kusht nga Komisioni Europian në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.  Opozita refuzoi të votojë tri ligjet e kërkuara nga Brukseli për marrjen e statusit të kandidatit. Kryetarja e Kuvendit ka kërkuar që në fillim të hidhet për votim ligji për Gjykatën e Lartë i cili ashtu edhe projektligj për nëpunësin civil si dhe reforma parlamentare ishin të vendosura në axhendën e Kuvendit por kjo kërkesë e Kryeparlamentares nuk është pranuar nga opozita. Topalli i bëri thirrje deputetëve që ti kushtojnë një rëndësi të madhe projekt buxhetit të vitit 2013. “Sot në mëngjes është mbledhur konferenca e kryetarëve ku është ftuar Ministria e Financave për të diskutuar dhe është miratuar dhe kalenderi i punës. Do ju lutesha të avazojmë me buxhetin” ,tha Topalli. Kuvendi miratoi edhe zgjedhjen e deputetit të PS-së Auron Tare si anëtar i komisionit të arsimit ndërsa deputeti Gazmend Oketa është zëvendësuar në komisionin e Sigurisë nga deputeti i PD-së për qarkun e Dibrës, Bedri Hoxha.