Dështon Reforma, u trumbetua si garaci për zgjedhjet e lira, u katandis në Pazar Votash

256
Sigal

Komisioni Parlamentar i Ligjeve me votat e PS-së ndalon koalicionet parazgjedhore dhe listat e hapura, duke shkelur marveshjen e 5 Qershorit dhe kushtin e kërkuar nga europianët për futjen e vendit në BE. Ulja e pragut në 1% është tallje për shqiptarët dhe qoka e “Rilindjes” për kolaboracionistët që shitën elektoratin dhe mbajtën me oksigjen qeverinë e oligarkëve dhe PPP-ve

Komisioni i Ligjeve miratoi dje draftin e propozuar nga PS-ja dhe ajo që mund të quhet si “opozita” parlamentare,  lidhur me reformën zgjedhore. Drafti i miratuar nga Ligjet pritet të kalojë për miratim në seancën parlamentare të 5 tetorit, ndërsa ajo që mund të thuhet është se Kryeministri Edi Rama ka hedhur në kosh marrëveshjen e arritur me opozitën e bashkuar më 5 qershor. Propozimet në Komisionin e Ligjeve u depozituan vetëm me firmën e Damian Gjiknurit, ndërsa 3 anëtarët e tjerë të Këshillit Politik, Oerd Bylykbashi (PD), Petrit Vasili (LSI) dhe Rudina Hajdari, nuk kanë firmosur dokumentin. Opozita e bashkuar paraqiti një draft të sajin, i cili nuk u morr parasysh nga Rilindja, ndërsa kërkohej hapja e listave 100 % dhe lejimi i koalicioneve parazgjedhore, sipas formulës së dakordësuar në 2003. Referuar dokumentit të miratuar dje nga Komisioni i Ligjeve, dhe me shumë gjasë do të miratohet në seancën e 5 tetorit, socialistët sanksionuan në Kodin Zgjedhor ndalimin e koalicioneve parazgjedhore, sipas formulës së deritanishme, ku secili subjekt i përfshirë në koalicion kishte listën e tij të kandidatëve. Referuar draftit të Rilindjes, koalicionet në zgjedhjet e 25 prillit do të lejohen vetëm me 1 listë të përbashkët kandidatësh. Pra partitë që mund të grupohen në një koalicion do të kenë vetëm 1 listë me emrat e kandidatëve dhe jo secila të ketë listën e saj. Opozita e bashkuar ka kundërshtuar këtë variant të propozuar nga Rilindja, faktori ndërkombëtar ka kërkuar dakordësinë mes palëve dhe respektimin e marrëveshjes së 5 qershorit, por apelet e tyre janë shpërfillur me aktin e sotëm të votuar nga Komisioni i Ligjeve. Pika e dytë e miratuar nga PS është lejimi i krerëve të partive për të kandiduar në 4 qarqe. Kjo kërkesë nuk ka qenë asnjëherë në rend dite, por ishte një propozim i Myslim Murrizit, i cili kërkoi kandidimin në 12 qarqe. Duket se marrja parasysh e propozimit të Murrizit, i cili pritet të drejtojë edhe një parti të re që do të garojë më 25 prill, as më shumë e as më pak ngjan me një pazar për sigurimin e 84 votave të nevojshme për miratimin e ndryshimeve në Kod, ku natyrisht interesi më i parë për socialistët është ndalimi i koalicioneve. Pika e tretë e reformës së miratuar sot nga PS është çështja aq shumë e debatuar e hapjes së listave. Socialistët zhgënjyen edhe Rudina Hajdarin dhe nismat e shoqërisë civile që kërkonin hapjen e listave 100%. Në fakt listat u mbyllën edhe më shumë sesa ishin hapur dhe çdo kandidat që do të garojë në zgjedhje nuk ka asnjë shans për të fituar, nëse nuk ka bekimin e kryetarit. Renditjen e kandidatëve në listë e përcakton kryetari dhe ajo mund të zhvendoset vetëm nëse një kandidat merr 10 mijë vota. Së fundmi, u mor parasysh edhe kërkesa po e Murrizit për një prag elektoral kombëtar 1 %, nga 3 % që ishte propozuar. Duket se e gjithë ajo që u trumpetua si një reformë e thellë zgjedhore përfundoi në një pazar votash, për miratimin e një dokumenti që nuk i hap listat e kandidatëve, por që përmbush interesin e Rilindjes, ndalimin e koalicioneve në procesin e ardhshëm zgjedhor. Nuk dihet nëse ky variant i miratuar nga Ligjet do të marrë “bekimin” e ambasadorëve, OSBE/ODIHR, Bundestagut apo Brukselit, që u investuan në arritjen e marrëveshjes së 5 Qershorit, e cila në përfundim u hodh në kosh dhe u zëvendësua në një marrëveshje votash mes “Rilindjes” dhe atyre që plotësojnë numrin

Duket se e gjithë ajo që u trumpetua si një reformë e thellë zgjedhore përfundoi në një pazar votash, për miratimin e një dokumenti që nuk i hap listat e kandidatëve, por që përmbush interesin e “Rilindjes”, ndalimin e koalicioneve në procesin e ardhshëm zgjedhor