Dështon edhe raundi i dytë për zgjedhjen e Vjosa Osmanit si Presidente e Kosovës

211
Ka përfunduar para pak çastesh votimi i dytë në Kuvendin e Kosovës për zgjedhjen e Presidentit të vendit. Në votim morën pjesë 82 deputetë. Që votimi të konsiderohej i rregullt duhet që në kuti të ishin të paktën 80 vota.
Sigal

Në votimin e dytë Osmani mori 67 vota ndërsa 11 ishin të pavlefshme. Në garë ishte edhe Nasuf Bejtja që ka marrë 4 vota. Në sallë kanë qëndruar edhe deputetët e LDK-së nga opozita që mesa duket i kanë bërë votat e tyre të pavlefshme, por që garantuan kuorumin. Kanë munguar deputetët e PDK-së, AAK-së si dhe Lista Serbe. Pritet që pas pak çastesh të nisë raundi i tretë dhe i fundit.

Sipas Kushtetutës, në dy raundet e para të votimit duhen të paktën 80 vota në kuti dhe të gjitha “pro” njërës kandidaturë ndërsa në raundin e tretë, presidenti mund të zgjidhet me shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në votim duhet të marrin pjesë sërish të paktën 80 deputetë.

Në votimin e parë Osmani mori vota 69 ndërsa 12 ishin të pavlefshme. Kandidati tjetër Bejta nuk mori asnjë votë. Të shtunën dështuan 2 votime për shkak se në votim morën pjesë më pak se 80 deputetë. Sot kanë marrë pjesë 2 deputetë të komunitetit jo-serb pas një marrëveshje që Albin Kurti ka bërë me ta duke iu premtuar përfaqësim në qeveri.