Dështojnë negociatat Rama-Basha

552
Pas 3 orë bisedimesh, palët nuk lëvizin nga qëndrimet. Ja çfarë propozuan kryeministri dhe kryetari i opozitës

Dështojnë sërish përpjekjet për të gjetur një zgjidhje për krizën politike në vend, vetëm 45 ditë larg ditës së zgjedhjeve parlamentare. Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i opozitës, Lulzim Basha, nuk arritën dje asnjë marrëveshje në takimin e parë mes tyre për zgjidhjen e krizës, ndërsa shumë parti të djathta vijojnë një protestë të gjatë që vazhdon prej më shumë se dy muajsh për të kërkuar një qeveri teknike. Ky është edhe kushti i opozitës për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare.

Takimi i shumëpritur mes Ramës e Bashës u zhvillua në zyrën e Presidentit të Republikës, Bujar Nishani, dhe zgjati rreth 3 orë. Ndonëse nuk është arritur në një kompromis, u duk fillimisht se palët kishin lënë ende hapësira komunikimi. Sipas një njoftimi të shkurtër të shpërndarë nga Presidenca, “gjatë takimit palët prezantuan pikëpamjet e tyre mbi krizën politike dhe rrugët e zgjidhjes së saj”. “Presidenti i Republikës vijon të mbajë kontaktet me palët për gjetjen e një zgjidhjeje të mundshme mbi bazë kompromisi”, përfundon njoftimi.

Megjithatë takimi ka rezultuar i pasuksesshëm. Kryeopozitari Basha mësohet të ketë këmbëngulur në kërkesën për një qeveri teknike që do të garantonte zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ndërsa kryeministri Rama është fokusuar në një skemë që synonte mbikëqyrjen e mospërfshirjes së strukturës dhe aseteve qeveritare në votimet e ardhshme. Një skemë që mund të shkonte deri në nivelin e një zv/kryeministri dhe që mund të parashikonte edhe ndryshime kushtetuese, me efekt në zgjedhjet e mëpasshme parlamentare. Gjithashtu, shefi i qeverisë mësohet se ka qenë kundër shtyrjes së datës së zgjedhjeve, një kërkesë kjo e opozitës për të garantuar edhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor. Qëndrimi i Ramës ka qenë edhe më i tërhequr se oferta politike e bërë në takimin me negociatorët nga Parlamenti Evropian, ku u trajtua edhe mundësia e vendosjes së katër ministrave teknikë, krahas drejtimit të disa institucioneve nga opozita. 

Takimi i djeshëm erdhi pas thirrjes drejtuar palëve nga presidenti Bujar Nishani që “të ulen në tryezën e bisedimeve me vullnetin për kompromis, për të tejkaluar këtë situatë të vështirë për vendin”. Bisedimet pasuan disa përpjekje të dështuara për kompromis. Javën e shkuar paketa e propozimeve e ofruar nga dy eurodeputetët David McAllister dhe Knut Flankenshtajn nuk çoi në arritjen e një marrëveshjeje. Opozita këmbënguli edhe në ato negociata në krijimin e qeverisë teknike dhe votim elektronik. Të njëjtin qëndrim Basha e konfirmoi edhe pas një mbledhjeje të grupit parlamentar demokrat, ku përmes videokonferencës pati një bashkëbisedim me Komisionerin për Zgjerim, Johanes Han dhe Presidentin e Partive Popullore Evropiane, Jozef Daul. Edhe dje mësohet se Basha ka zhvilluar një tjetër bisedë me Daul, pas përfundimit të takimit me Ramën në zyrën e Nishanit. 

Nga ana e tij, kryeministri Rama është takuar sërish me disa nga ambasadorët më të rëndësishëm në Tiranë. Megjithatë nga ky takim nuk ka pasur detaje, ndërsa në krahun tjetër Basha ka diskutuar me aleatët e tij për negociatat e zhvilluara në Presidencë. 

Prej 18 shkurtit, PD dhe aleatët e saj kanë nisur një protestë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Rama dhe formimin e një qeverie teknike. Partitë e opozitës nuk janë regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa afatet tashmë kanë skaduar. 

Kryetari i PD-së zbulon çfarë u diskutua në tryezën e Presidentit të Republikës

Basha: Nuk do të ketë bojkot, ja oferta e Ramës
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, zbuloi kërkesat e opozitës në tryezën e drejtuar nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani. “Përfaqësuesit e republikës së vjetër dhe përfaqësuesit e Republikës së Re u ulën në tavolinën e Presidentit Nishani pas ftesës së tij, për të gjetur një zgjidhje me dialog, të krizës së rëndë politike, elektorale, ekonomike dhe të gjithanshme që është produkti i vetëm i katër viteve të qeverisjes së dështuar, inkriminuar dhe korruptuar të Edi Ramës dhe çetës së tij mafioze në pushtet”, tha Basha. Ai hodhi poshtë edhe skemën e ofruar nga Rama për të garantuar zgjedhjet. “As ndryshimet në Kodin Zgjedhor, as ndryshimet në Kodin Penal për të penalizuar me ndëshkime më të rënda ligjore shitblerjen e votës apo fotografimin e saj, apo transfertat e dyshimta të parave gjatë fushatës elektorale, apo të tjera ndryshime që kanë të bëjnë me median, me strukturën institucionale të zgjedhjeve, asnjë nga këto nuk kanë vlerë nëse janë në dorë të të njëjtit mekanizëm që për katër vite e ktheu Shqipërinë në hambar droge dhe në të vetmin vend në Evropë ku kriminelët që duhet të ishin në burg, janë deputetë, janë kryetarë bashkish, janë drejtorë policie, drejtorë doganash drejtor taksash dhe drejtorë të tjerë të administratës dhe kupolës politike të republikës së vjetër”, tha Basha. 

Gjithashtu, kryeopozitari tha se nuk do të ketë bojkot të zgjedhjeve. “Ne vetëm duarkryq nuk do rrimë teksa kupola e krimit mundohet t’i marrë shqiptarët si dele në një proces fals dhe monist të një gjysmë koalicioni, një subjekti zgjedhor, për t’u mohuar atyre të drejtën e fundit që ka mbetur pa iu përdhosur, të drejtën për të zgjedhur Parlamentin e tyre pa diktat nga krimi dhe paratë e drogës”, nënvizoi Basha. Ai shtoi se demokratët nuk do të rrinë duarkryq. “Kemi ofruar në tavolinë gjithçka që Partia Demokratike dhe opozita mund të ofrojnë për zgjidhje, pala tjetër është tërhequr edhe nga propozimet e javës së kaluar, që vetë i loboi dhe që në vetvete ishin shumë më pak se ç’mund të pranohet për të siguruar minimumin e garancive për qytetarët shqiptarë. Edi Rama vulosi faktin, para partnerëve ndërkombëtarë se ai jo vetëm është pengesa e vetme, por se nuk ka asnjë argument qenësor”, nënvizoi kreu demokrat. Ai këmbënguli te kërkesa për të ndërtuar një qeveri teknike, si kusht për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

“Qeveria teknike me mandat për të larguar kriminelët nga politika, për të larguar drogën dhe për ti dhënë shqiptarëve reformën zgjedhore përfshirë votimin elektronik dhe numërimin elektronik, është rruga e ndershme për të kthyer Shqipërinë në binarët e normalitetit dhe për të siguruar bashkëjetesën demokratike”, u shpreh Lulzim Basha, duke folur në çadrën e Partisë Demokratike në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Ai shtoi se forca e Edi Ramës është trajtimi i administratës shtetërore si një garnizon elektoral si kurrë më parë në 27 vite të pluralizmit. “Padyshim përdorimi i administratës ka qenë një problem nga të dyja palët por kurrë si sot. Si kurrë më parë në 27 vite të pluralizmit, ku padyshim përdorimi i administratës ka qenë një problem nga të dyja palët, por kurrë si sot”, tha Basha.

Berisha reagon i pari: Rama nuk do zgjidhje politike
Ish-kryeministri Sali Berisha ishte i pari që u shpreh lidhur me dështimin e negociatave mes kryeministrit Rama dhe kryeopozitarit Basha. Në një koment në rrjetet sociale, Berisha tha se “Noriega i Shqipërisë pranon çdo gjë tjetër, por jo një kryeministër teknik, sepse nuk i njeh vetes asnjë përgjegjësi për Narko-Republikën që ndërtoi”. “Në katër vite ai nuk iu tregon dot shqiptarëve një vepër publike, rrugë, shkollë, spital, ujësjellës, kanalizim apo premtim të mbajtur, por vetëm narko- polici, narko-deputetë, narko-pushtetarë, narko-fermerë, ara të pafundme kanabisi, tunele, magazina shtetërore me kanabis dhe laboratorë ndër më të sofistikuarit për drogën dhe, njëlloj si Noriega, bankën e tij për larjen e parave të drogës!”, tha Berisha. Ai shtoi se “Narko-Republika është mjedisi që vret votën e lirë të shqiptarëve dhe ushqen me gjakun e tyre pushtetin e krimit të Edi Ramës”. Për ish-kryeministrin, Rama nuk ndjen asnjë përgjegjësi për lirimin nga burgjet për qëllime elektorale të vrasësve serialë, bandave terroriste dhe bllokimin e dekriminalizimit.

“Vetëm në administratën shtetërore ai ka sot mbi 400 vetë me rekorde kriminale dhe në grupin parlamentar zëvendësoi një grup vrasësish e trafikantësh me një grup tjetër, po të markës së tyre. Krimi dhe vetëm krimi është garantuesi kryesor i pushtetit të tij dhe vrasjen e votës së lirë. Ai për karrigen e tij ka shndërruar të gjithë rrogëtarët e administratës, ushtrisë, policisë, gardës, ndërmarrjeve publike në trupë elektorale të partisë shtet!”, tha Berisha. Sipas tij, Edi Rama nuk do zgjidhje politike. “Ai për karrigen e tij do me çdo kusht t’iu rrëmbejë votën dhe të ardhmen tuaj. Revolucioni demokratik do ta hedhë Noriegën e Shqipërisë në vendin që ai meriton!”, vlerësoi Berisha.

Blushi: Rama-Basha, si shkrepësja me cigaren
Mospjesëmarrja e opozitës në zgjedhje do të rrisë shanset e shumë partive të vogla për t’u përfaqësuar në Parlamentin e dalë nga 18 qershori. Një nga këto është edhe LIBRA e Ben Blushit, që kur flet për dështimin e takimit mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës i krahason këto me shkrepësen dhe cigaren. Në një status në rrjetet sociale, Blushi thotë se kriza mund të zgjidhet vetëm me zgjedhje, madje këto të zhvillohen për çdo vit.
“Që Edi Rama dhe Lul Basha të gjenin marrëveshje do ishte njëlloj sikur cigarja dhe shkrepësja të shuanin zjarrin. Më vjen keq, nëse PD nuk hyn në zgjedhje, por më shumë keqardhje kam, nëse shumë shqiptarë nuk do shkojnë të votojnë për çdo arsye. Kjo krizë nuk zgjidhet dot pa zgjedhje, por me zgjedhje sa më të shpeshta. Mundësisht çdo vit, duke filluar nga viti i ardhshëm!”, thuhet në reagimin e Blushit.

Rama: Opozitës i dhamë të gjitha mundësitë
Kryeministri Edi Rama, duke folur pas takimit me kandidatët për deputetë të Partisë Socialiste, ka deklaruar se opozitës i janë dhënë të gjitha mundësitë për të monitoruar procesin zgjedhor në nivele të barabarta me qeverinë. “Një monitorim si asnjëherë më parë të gjithë strukturave të shtetit, policisë, drejtorive të arsimit, sistemit të burgjeve, ku janë dhe pikat e adresuara si problematike në raportet e mëparshme të ODIHR-it”, ka deklaruar Rama.

Dhe njëkohësisht, ka shtuar ai, me PD është rënë dakord për një rregullore që të shmanget përdorimi i aseteve shtetërore në fushatë, përfshirë një kategori të caktuar aktivitetesh qeveritare që nuk mund të përdoren gjatë saj. “Më shumë se kaq nuk mund të ketë. Është një mekanizëm monitorimi që në kohën e Saliut nuk do ta kisha menduar”, ka thënë Rama.

Ai ka shtuar se, mazhoranca nuk është në pritje të një përgjigjeje nga PD, por po vazhdon punën për t’u përgatitur për procesin elektoral të Kavajës dhe më pas atë të qershorit. “Ne nuk presim përgjigje, ne jemi në angazhim të plotë elektoral. Unë s’kam një takim tjetër, por këtu jam, i gatshëm për të ofruar garanci. Shtyrja e datës së zgjedhjeve nuk është diskutuar”, ka shtuar Rama.

Shehi: Pakësohet koha për negociata
Kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, tha se me këtë që bëri dje kryeministri Rama, duke u tërhequr nga oferta e 25 prillit, po mundohet t’i shkurtojë kohën negociatave. “Ato 4 ministra u bënë zv/ministra. Data e zgjedhjeve nuk është diskutuar. Rama me mendjen e tij ka menduar që ka mbërritur goxha shumë dhe i ka mbyllur pazaret në kampin e vet”, tha Shehi në një intervistë televizive. Sipas tij, praktikisht nuk ka më kundërshtarë dhe Rama mendon, se mund të shkelë me këmbë opozitën. “Është një ide e gabuar dhe këtë e thotë një njeri si puna ime që ka hyrë tek liberalët dhe po të vazhdojë me këtë arrogancë dhe njerëzit e urtë si puna ime do neverikoseshin. Ky njeri del e tallet me opozitën dhe thotë keni 48 orë. Ku do shkojmë ne? Do bëjmë ndeshjen e kthimit! Ky nuk mund të përcaktojë oraret dhe afatet. Në këtë mënyrë ky po i shkurton kohën negociatave. Duke e lënë kaq shumë nuk po na le shteg tjetër veç rrugës, rruga ka të papritura të tjera”, tha Shehi. Ai shtoi se ka propozuar që opozita ka detyrë t’i çojë shqiptarët në zgjedhje. 

“Do t’i çojmë pas 5 javësh, siç pretendon zotëria e tij, apo pas 5 muajsh siç pretendon zotëria tjetër, kjo është një çështje që shpresojmë të arrijmë përmes negociatave, por qëllimi final i PD dhe aleatëve është t’i çojë shqiptarët në zgjedhje, por me kushte minimale të rregullit zgjedhor”, u shpreh Dashamir Shehi.
Sigal