Dështojnë ambasadorët / Nuk arrihet marrëveshja e Reformës Zgjedhore

311
Sigal

Ambasadorja Kim “harron” vjedhësit e votave dhe përgjimet e “Bild”: Diplomatja i jep merita partisë në pushtet dhe fajson opozitën.Reagon Basha: Është bërë progress, të zgjidhet ccështja e dakortësuar .

Ambasadorja Kim “harron” vjedhësit e votave, të dosjet 339 dhe 184: Merita i takon partisë në pushtet

Lulzim Basha: Është bërë progres drejt dakordësisë për administrimin zgjedhor. Ka mbetur një çështje pa zgjidhur

 Jakup B. GJOÇA

Pas dështimit të një marrëveshjeje politike në Këshillin Politik të Reformës Zgjedhore më 31 maj, ambasadorja Yuri Kim, ushtroi presion politik të pashembullt mbi palët politike, duke i detyruar ata, që negociatat , (pazaret politike), për 2 ditë rresht, pardje dhe dje, të zhvilloheshin në rezidencën e ambasadores Kim, e cila është tokë e huaj dhe nuk është tokë shqiptare, thua se palët në Këshillin Politik janë palë armike dhe do të zhvillonin negociata për armëpushim dhe duhet një ndërmjetësim ndërkombëtar i paqes. Simbolika e mjedisit, që negociatat të zhvillohen në një tokë të huaj, për Reformën Zgjedhore, është, së pari, një cënim i dinjitetit kombëtar, nëpërkëmbje e pavarësisë, por edhe shantazh dhe ndërhyrje e drejtëpërdrejtë e huaj në punët e brendshme të Shqipërisë. Të zhvillosh negociata në rezidencën e ambasadave të huaja në Tiranë, për Reformë Zgjedhore, ku ambasadorja të ketë edhe karotën, edhe kërbaçin, ku presioni diplomatik dhe politik është të imponojë vullnetin politik të partive shqiptare, është drejtpërdrejtë ndërhyrje e huaj në çështjet kushtetuese të Shqipërisë. Ambasadorja Kim, thua se nuk ka dijeni, apo qëllimisht i injoron, dosjet 339 dhe 184 të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, të cilat me zë dëshmojnë se si deputetë dhe ministra të qeverisë së Rilindjes blejnë vota, shantazhojnë elektoratin, në bashkëpunim me njerëzit e botës së krimit. Thua, se ambasadorja Kim, nuk e ka lexuar aspak, ose nuk e kanë informuar për raportin e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet moniste të 30 qershorit 2019, ku partia-qeveri e Rilindjes, edhe pse garoi e vetme në zgjedhjet vendore, raporti i OSBE/ODIHR-it, thekson se ato zgjedhje u zhvilluan nën presionin politik, vota e elektoratit u tjetërsua, derisa mbrëmë, ambasadorja Kim deklaroi se merita e madhe e arritjes së konsensusit të marrëveshjes së Reformës Zgjedhore i takon partisë në pushtet, kësaj partie që vodhi, bleu dhe tjetërsoi votat në zgjedhjet e 2015 dhe 2017. Ambasadorja Kim u dha meritën e arritjes së marrëveshjes së Reformës Zgjedhore partisë në qeverisje, pikërisht asaj partie, e cila ende hetohet nga SPAK-u, për krimet elektorale në 2015 dhe 2017, sipas dosjeve 339 dhe 184. Ambasadorja Kim u bë haptas palë politike me dhunuesit e zgjedhjeve të lira, derisa edhe mbrëmë i kërkoi opozitës që të balancojë faktorët, domethënë, t’i japë partisë-qeveri, fletën e bardhë, që të shkruajë në të zezën e saj marrëveshjen përfundimtare të Reformës Zgjedhore. Ambasadorja Kim, nuk përmendi asgjë, cilat janë garancitë politike, ligjore të marrëveshjes së Reformës së re Zgjedhore, të cilat do të garantojnë garë të lirë, të ndershme në votime, do t’i japin besueshmëri procesit zgjedhor, nuk do tjetërsojnë votën dhe vullnetin zgjedhor të shqiptarëve.

 

Basha: opozita e bashkuar do të bëjë gjithçka për votën e lirë dhe të ndershme

Pas deklaratës së ambasadores së SHBA-ve Yuri Kim sa i takon marrëveshjes për reformën Zgjedhore, reagoi edhe kryetari i PD-së, Lulzim Basha i cili theksoi: Është bërë progres drejt dakordësisë për administrimin zgjedhor. Ka mbetur një çështje pa zgjidhur. Dua t’i siguroj shqiptarët se opozita e bashkuar do të bëjë gjithçka për votën e lirë dhe të ndershme.

Ecejaket e Këshillit Politik dhe negociatat në rezidencën e SHBA-së, ende asnjë marrëveshje

Këshilli Politik, sërish dje, nuk po mundej të gjente ende mirëkuptimin për finalizimin e një dokumenti konsensual për Kodin e ri Zgjedhor. Negociatat e ndërprera një ditë më parë (2 qershor), rinisin në orën 11:00 në rezidencën e Ambasadës Amerikane. Burime nga takimi bëjnë të ditur se negociatat kanë mbetur tek administrata dhe identifikimi elektronik. Mësohet se socialistët janë shprehur të gatshëm të pranojnë aplikimin e teknologjisë për identifikim në të gjithë vendin, por kanë ngritur dyshime për funksionimin e tij me sukses në të gjithë vendin. Demokratët kanë bërë kundërpropozimin. Në rast se nuk funksionon identifikimi elektronik, atëherë komisionet e votimit të funksionojnë me anëtar politik me të drejtë vendimmarrje. Basha takon Kryemadhin në PD. Prej orës 11:00, palët shkojnë e vijnë, sa në selitë e partive të tyre, aq edhe në ambasadën amerikane. Takimi i parë në rezidencë ishte në orën 11:00, për t’u larguar më pas dhe rikthyer pas orës 13:00, Damian Gjiknuri, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili. Mbledhja u ndërpre në orën 18:50, për të vijuar më pas në orën 20:30, po në rezidencën e ambasadës amerikane. Negociatat në rezidencën e ambasadores Kim u mbyllën në orën 22.00 të mbrëmjes së djeshme.