Dëshira Subashi:Paanësia e KQZ-së është pavarësi politike

518
Sigal

*ish -nënkryetare e KQZ-së

Ish -kryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, në intervistën për “Telegraf” shpjegon se, paanësia e KQZ-së është pavarësi dhe pas formatimit të KQZ-së, nuk mund të bëhet me fjalë për balancim politik. Sipas zonjës Subashi, në Kuvend flitet për shkarkimin e anëtarit të KQZ-së. Masa administrative e marrë ndaj Muhos, është parashkruar, por ajo duhej të diskutohej në momentin e paraqitjes së kandidaturës dhe jo më tani.

– Zonja Subashi, sot PD-ja, me zonjën Topalli, e të tjerë, dolën me tezën se KQZ-ja është institucion i paanshëm dhe jo i pavarur. Ku është dallimi “i paanshëm” dhe “jo i pavarur?”

– Kodi Zgjedhor përcakton qartë se komisionet zgjedhore veprojnë në mënyrë të paanshme. Madje, në një nen të posaçëm të Kodit Zgjedhor përcaktohet se anëtari i KQZ-së, ruan paanësinë në kryerjen e detyrës. Me këto përcaktime të Kodit Zgjedhor unë vlerësoj se KQZ është një institucion i paanshëm. Paanësia është pavarësi.

– Në fakt, si e përcakton Kodi Zgjedhor  dhe Kushtetuta, KQZ-në dhe ju si e keni ndjerë detyrën që kryet në KQZ?

– Unë erdha në detyrën e anëtarit të KQZ-së në vitin 2003, nga sistemi gjyqësor, por si e propozuar nga PS dhe me vendim të KLD-së. Kështu ishte ligji zgjedhor i kohës. Në këtë vit është krijuar një tension politik për emërimin tim, me pretendimin e balancës politike.  Ditët e sotme më kujtojnë tërësisht tensionet politike të vitit 2003, pavarësisht formës. Problemi i madh në këtë vend është zbatimi i ligjit. Unë sot (dje) ndoqa seancën parlamentare për këtë çështje. Dëgjova ministrin e Drejtësisë që si një argument të balancës politike në KQZ, më citoi mua si një person i anshëm në detyrën e anëtarit të KQZ-së. Argumenti ishte i turpshëm për mua, nga goja e Ministrit të Drejtësisë. Argumenti sipas Ministrit ishte se unë kisha bërtitur se do të jem politikane në grupin e PS-së. Jo zoti Ministër! Gjatë kohës që unë kryeja detyrën e anëtarit të KQZ-së asnjëherë nuk kam bërë deklarime për veprimtari politike. Këtë kërkon edhe neni 12 i Kodit Zgjedhor. Anëtari i KQZ-së nuk kryen veprimtari politike gjatë ushtrimit të detyrës. Unë edhe sot që kam mbaruar mandatin e anëtarit të KQZ-së nuk kam kryer asnjë veprimtari politike edhe pse nuk kam pengesë ligjore. Këtë nuk e kam bërë, sepse si një njeri që njeh dhe respekton ligjin i kam kërkuar  KLD-së të më kthejë në punën e mëparshme, në Gjykatën e Apelit. KLD ka plot 6-muaj që nuk e merr këtë vendim; ka plot 6-muaj që nuk kthen një përgjigje; ka plot 6-muaj që shkel të drejtën e një nëpunësi zyrtar të lartë. Kjo është, zoti ministër shkelja e hapur e ligjit. Unë pres vendimin e menjëhershëm të KLD-së për t’u kthyer në punën e mëparshme, në Gjykatën e Apelit. Më pas, në kohë mbetet të vlerësoj një sfidë politike- kam thënë. Sipas zotit Ministër, ky deklarim më bëka të njëanshëm, në detyrën e ushtruar më parë në kohë. E habitshme!  Kësaj i thonë se je i gjykuar edhe të mendosh për një të ardhme të mundshme. Po Kushtetuta e Shqipërisë, ligjet e vendit nuk të gjykojnë për asnjë mendim që ke apo shfaq. Kjo sot tregoi se unë jam e gjykuar politikisht për atë vendim të KLD-së që pres prej 6-muajsh.

– Që ta kuptojmë, cili është motivacioni ndaj Muhos : “Shkarkim nga detyra”, “ Lirim” apo “zëvendësim” dhe ç’thotë ligji?

– Flitet prej ditësh për një anëtar të KQZ-së . Madje, janë bërë procedura parlamentare, duke thënë hapur se nuk ekziston balanca politike e momentit të ndërtimit të KQZ-së. Me këtë argument kam ndjekur institucionet parlamentare, që iniciuan lirimin nga detyra të anëtarit të KQZ-së të propozuar nga LSI-ja. Në seancën plenare të Kuvendit  u bënë diskutime për një shkarkim të mundshëm .

– Po hapja e dosjeve të Muhos nga PD-ja,  në kohën që ishte prokuror, a është i justifikueshëm në këtë moment? A janë ato fakte rënduese ndaj Muhos, të mjaftueshme që të justifikojë këtë procedurë?

– Në dijeninë time z.Muho ka ushtruar detyrën e prokurorit dhe ndoshta 10 vite më parë është shkarkuar nga kjo detyrë. Ky është një fakt publik, sepse unë mendoj se edhe pozicioni i prokurorit i tillë është. Një masë disiplinore ka një afat parashkrimi, ashtu siç edhe konsiderohen të padënuar edhe persona që kryejnë vepra penale dhe kalojnë një afat ligjor. Gjithsesi, ky detaj duhet të ishte pjesë e diskutimit në momentin e emërimit.

– Balancimi politik në KQZ është thelbi i problemit që diskutohet, apo ka qëllim tjetër?

– Sigurisht pa patur një qëllim nuk mund të kishim një tension të tillë politik. Dhe qëllimi është i qartë, zgjedhjet.

Pas formatimit të KQZ-së, nuk ka bilancim politik

 – A duhet që të rishqyrtohet balancimi në KQZ, kohë më vonë, me shkak se, janë prishur raportet politike të përfaqësimit në Kuvend?

Fjala balancim nuk përmendet në Kod. E vetmja dispozitë, ku përmenden partitë politike në lidhje me përbërjen e KQZ-së, është neni 14 i Kodi Zgjedhor. Në këtë nen jepet e drejta e partive politike për të propozuar anëtarët e KQZ-së. Kodi Zgjedhor nuk ka zgjidhur problemin e të ashtuquajturës balancimi politik i anëtarëve të KQZ-së, pas formatimit të tij, pas emërimit të anëtarëve të KQZ-së. Ky është një element tjetër në gjykimin tim që bën garancinë e paanshmërisë së institucionit të KQZ. Në të drejtën zgjedhore ndërkombëtare, në Kodin e Praktikave të Mira Zgjedhore të Komisionit të Venecias Komisionet Zgjedhore përbëjnë një nga tre garancitë zgjedhore për zgjedhje te lira. Me këtë teori ky dokument  përcakton se, ndryshimet në komisionet zgjedhore nuk duhet të bëhen në vitin e fundit të zgjedhjeve. Ndaj dhe komisionet zgjedhore nuk mund të ndryshojnë sa herë ndryshojnë formatimet politike në Parlament.

 – Faleminderit!

 Muho: Kërkesa për shkarkimin tim, shkelje ligji, masa në 2003-n, e ezauruar!

Ilirian Muho anëtari iLSI-së, në KQZ, për të cilin Kuvendi zhvilloi dje  një seancë me qëllim që ta shkarkojë nga detyra, sqaron situatën e krijuar. “Natyrisht i përbuz me neveri akuza dhe pretendime të tilla, pasi nuk është e vërtetë ajo që pretendohet”, tha Muho.  Ai sqaroi më tej se, pse akuzohet në Kuvend. “Procedura penale parashikon njohjen e vendimeve të dhëna nga gjykata të huaja në gjykatat shqiptare dhe mbi bazë të një kërkese të tillë, personi nëpërmjet avokatit paraqiti një kërkesë pranë Prokurorisë së Rrethit Fier, ku duhet të bëhej njohja e vendimit të dhënë në Gjykatën e Milanos. Ligji shqiptar parashikon që njohja e vendimit do të bëhet në bazë të dispozitave që parashikon ligji shqiptar për atë vepër që është kryer atje dhe masa e dënimit do jepet në raport me masën që parashikon ligji shqiptar. Në maksimumin e saj, kjo vepër sipas ligjit shqiptar dënohet me 25 vite burg. Nga gjykata e rrethit Fier ju njoh masa dhe iu konvertua me 23 vite burg. Kundër kësaj mase pezullimi janë ankuar autoritetet, por ky gjykim deri në Gjykatën e Lartë është cilësuar si i drejtë. Ky person është edhe sot në burg, vuan dënimin e dhënë prej nesh”, sqaroi Muho. Pas kësaj,- shton ai, -Pati një kërkesë të drejtuesit të asaj kohe të Prokurorisë së Përgjithshme. “Ishte një masë administrative, e cila duke qenë se, Gjykata e Lartë na dha të drejtë, por masa ishte marrë ndërkohë dhe unë u shkarkova”, vijoi Muho. Unë jam shkarkuar nga detyra në vitin 2003, në vitin 2008 kjo masë është ezauruar dhe nga 2009 deri më tani unë kam ushtruar detyra të ndryshme”, shtoi Muho. Lidhur me shkarkimin e tij Muho sqaron se, “Në CV kam treguar përvojën e punës. Kanë qenë në dijeni që në vitin 2003 kam qenë prokuror i shkarkuar. Në momentin që kam pranuar kandidimin nga forca politike kam gjykuar se, plotësoj kushtet sipas nenit 12”, -tha Muho. Ilirian Muho shprehet se, politika duhet të rrijë larg KQZ-së. “Ky institucion duhet të jetë i çliruar në vendimmarrje nga ndikimet dhe të bazohet tek ligji dhe vetëm tek ligji”.