“Der Standard” e Austrisë akuzon Edi Ramën dhe Hashim Thaçin për ndarjen e Kosovës

718
Sigal

Gazeta e njohur austriake, Der Standard, e cila shkruan vazhdimisht për çështjet e rajonit, vjen me një tjetër artikull interesant nga Adelheid Woelfl. Ajo shkruan, se politikanët populist si Hashim Thaçi, Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç kanë arritur marrëveshje për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë.

Edi Rama, për interesa të marrëveshjes ka larguar nga qeveria ministrin që kundërshtoi idenë e shkëmbimit territorial, Ditmir Bushati. Kryeministri shqiptar, detyrën e Ministrit të Punëve të Jashtme ia besoi një 26-vjeçari nga Kosova, por ishte Presidenti Ilir Meta ai që e ndaloi. Zyrtarisht, Edi Rama është tani Ministër i Jashtëm, por të gjithë kompetencat ia ka dhënë zëvendësit të tij, Genti Cakaj.

Eksperti i Evropës Juglindore, Florian Bieber nga Universiteti i Gracit thotë se zëvendësimi i Bushatit ishte i befasishëm dhe i çuditshëm, pasi ai respektohej shumë ndërkombëtarisht dhe vepronte si një antipod për të qetësuar shpërthimet e Ramës.

Megjithatë, disa diplomatë thonë se shkëmbimi i territorit mes Kosovës dhe Serbisë duket një përfundim i pashmangshëm, edhe pse kundërshtohet nga shumica e partive dhe nga shoqëria civile në Kosovë.

Gazetarja citon në këtë kuadër edhe letrën e presidentit amerikan Donald Trump për homologun Hashim Thaçi.

Sipas “Der Standard” të Austrisë, njeriu kyç i Presidentit Trump, John Bolton, po punon për ndarjen e Kosovës.

Sipas ish-ministrit të Jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremiç, kryestrategu i fushatës zgjedhore të Donald Trump, Corey Lewandowski, është lobisti që po bën fushatë për ndarjen e Kosovës. Në adresën e Lewandoëski-t në Uashington është regjistruar firma Twin Rocks Global, që ka një kontratë me partinë serbo-nacionaliste, SNSD, e cila ka synuar ndarjen dhe shkatërrimin e Bosnje-Hercegovinës.