Deputetja Vokshi sulmon Veliajn: Mashtroi personat me aftësi të kufizuar

404
Deputetja demokrate, Albana Vokshi, ka akuzuar kandidatin e majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, se ka mashtruar me skemën për personat me aftësi të kufizuara. Vokshi është shprehur se Veliaj ka premtuar legalizim falas për këtë kategori, por nuk ka bërë asnjë gjë konkrete. “Sot Erion Veliaj po premton përsëri vëmendje ndaj personave me aftësi të kufizuara. Erioni në 2014-ën deklaroi se nëse shkelet vetëm një e drejtë e personave me aftësi të kufizuar ai do të jepte dorëheqjen menjëherë. Por sot, jemi këtu për të demaskuar mashtrimet e Erionit. Në vetëm një vit në 2014-ën plotë 5153 personave me aftësi të kufizuar, Erioni iu ka mohuar të drejtën e pagesës së invaliditetit dhe më shumë se gjysma e tyre ishin përfitues të mbi 10 viteve në këtë skemë. Erioni ka larguar nga skema e invaliditetit mbi 520 përfitues dhe më shumë se gjysma e tyre e gëzonin pagesën e invaliditetit prej më shumë se 10 viteve. Ngjashëm ai premtoi në 2013-ën se legalizimet do të ishin falas për personat me aftësi të kufizuar, se çmimi i energjisë elektrike do të ulej dhe ai do t’i kompensonte ato plotësisht. Por të gjitha këto premtime rezultuan mashtrime. Personat me aftësi të kufizuar po përballen me vështirësi të shumta dhe nuk i pranojnë më premtimet boshe të Erion Veliajt. Por sot pas 2 vitesh në Ministrinë e Mirëqënies jo vetëm që nuk ka asnjë përmirësim të legjislacionit, por përkundrazi legjislacioni është pjesërisht i përkeqësuar. Erioni prapë premton vetëm për të marrë pushtet dhe ai nuk e ka problem të mashtrojë sërish qytetarët sapo ai ta ketë përsëri pushtetin”, deklaroi Vokshi.
Sigal