Deputeti i PD-së ia thotë në sy Bashës: Të djegim mandatet

496
Sigal

Ka shumë zëra, dilema, nëse opozita duhet të djegë mandatet, që të bojkotojë përgjithmonë këtë parlament, të cilin vetë opozita e ka cilësuar “Parlamenti i krimit”. Dje, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar në PD, deputeti Ervin Salianji ka kërkuar që demokratët të djegin mandatet e tyre si një akt politik dhe jo sepse po përfundojnë afatet, por të vihen në udhëheqje të protestave kombëtare. “Duke e nisur nga protestat studentore, mesazhi ynë i qartë në mbështetje të tyre është qartësia politike me të cilin japim mesazhin. Nëse kemi një armik të dytë veç Edi Ramës kemi paqartësinë. Unë mendoj që ne duhet të diskutojmë mirë si grup parlamentar i PD-së me njëri tjetrin, sepse nuk ka qartësi strategjie së pari në mes nesh, kjo vendimmarrje nuk është “rrahur mirë” mes nesh. Nuk duhet t’i japim mesazh as demokratëve dhe studentëve që po presin së pari integritet nga ne, që ne do të hyjmë në seancën parlamentare, sepse na digjet mandati apo për një rrogë. Unë personalisht mendoj që duhet të djegim mandatet, jo duke pritur afatin, por si akt i qartë politik, t’i bashkohemi studentëve pikërisht tani kur ata po bëjnë thirrje për gjithë shoqërinë dhe gjithë shoqërisë që është në protestë, të bashkohemi me ta” – ka thënë Salianji brenda grupit. Salianji shtoi se “nëse merret vendim që të shkojmë në parlament të shkohet me qartësi dhe me program të qartë që zgjedhjet do t’i fitojmë duke nxjerrë kandidatët dhe alternativën që tani”. “E përsëris armiku i dytë i madh yni, është paqartësia. Ndaj dhe vendimet që merren këtu duhet së pari, të jenë të vendosura bashkërisht dhe së dyti, të kemi ne të parët bindje dhe qartësinë se çfarë po bëjmë” -ka thënë deputeti Salianji. Kryetari i PD-së, natyrisht, nuk e ka mbështetur deputetin e tij.