Deputeti i LSI, Spahiu: Të rishikohet tatimi progresiv, prek shtresën e mesme

470
Sistemi i taksave në Shqipëri përçan mazhorancën. Pas dy vitesh aplikimi, aleati kryesor i PS-së, LSI-ja duket se po kërkon të realizojnë ndryshimin e taksës progresive, e cila për PS-në shihej një sukses. Deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu, në një prononcim për gazetën “Shqip” kërkon që të rishikohet mënyra e taksimit, duke nisur nga fakti se qeveria ka shpërndarë një projektligj për “Tatimin mbi të Ardhurat”. Ai kërkon gjithashtu që të shihet fasha prej 30 mijë lekësh që nuk tatohet, pasi diferenca me pagat e shtresës së mesme nuk është e madhe dhe se po ka abuzime me aplikimin e kësaj skeme. “Së pari, duhet të sigurohemi a është e vërtetë që ky grup ka vendosur vërtet të ndryshojë diçka. Me aq sa kemi dëgjuar, ‘nga larg’, deklarimet e fundit të zëvendësministrit, nuk duket se do ketë ndryshime! Nëse do vinte një propozim për ndryshime, them se duhej parë e gjithë paketa, jo ndryshime vetëm në tatimin e të ardhurave personale. 

Sa i takon kësaj të fundit, fakti që paga mesatare është jo larg pagës tavan prej 30.000 lekësh që nuk tatohet, bën që ky mekanizëm të jetë kthyer në sistem abuzimi e besoj, (Ministria e Financave duhet ta dijë më mirë pasi ka të dhënat), që në këto dy vite është rritur numri i pagave deri në këtë shumë! Është shumë e rëndësishme që të jemi transparentë dhe të japim argumente bindëse për ndryshimet”, deklaron deputeti i LSI-së. Spahiu jep dhe argumentet e tij se pse duhet të rishikohet taksa progresive, pasi aplikimi i saj po godet shtresat e mesme. “Është fakt që ndryshimi i taksimit të të ardhurave personale ka sjellë më pak para në buxhet, por në të njëjtën kohë nuk ka ndihmuar në atë që pretendohej, rritje të konsumit. Personalisht them se duhet parë, diskutuar më me qetësi, tatimi progresiv. Normalisht, është tatim që aplikohet në vendet e zhvilluara! Po tatojmë 23% jo shtresën e pasur në Shqipëri, por atë të mesme, me konsumatoren, ajo që ka mundësitë të marrë kredi për shtëpi, të blejë një makinë, të bëjë pushime apo dhe të dalë çdo natë për të konsumuar diçka! Po ashtu kemi lënduar dëshirën për punë ekstra të një pjese të gjerë intelektuale! Skema aktuale nuk duket aq incentivuese për shumë fasha tatimpaguesish!”, thekson Spahiu. Ai e avancon idenë e tij, duke kërkuar që për biznesin të aplikohet një taksë regresive, duke theksuar se niveli aktual i taksave nuk po krijon hapësira të reja për punësimin.

 ‎“Premtimi dhe dëshira e çdo qeverie është hapja e vendeve të reja të punës! Në nivelet ku jemi është mjaft shqetësues, kemi parasysh dhe ardhjen (dhe besoj do vazhdojë) e mjaft emigrantëve nga Greqia e Italia! Kjo situatë na bën qe të dalim dhe jashtë asaj ç’kemi premtuar, politikisht më shumë, e të përshtatemi! Taksat përbëjnë bazën e të ardhurave, por në të njëjtën kohë instrumentin kryesor të tërheqës së investitorëve të rinj, por dhe atyre ekzistues! Çfarë lajmi, supozojmë, do ishte për bizneset tatimi regresiv? Ai që deklaron më shumë fitim të tatohej më pak në përqindje. Lajm mjaft i mirë për ta, por besoj që do sillte dhe më shumë të ardhura në buxhet. Mos harrojmë që lufta e evazionit fiskal, përveç kostove shtesë për qeverinë, ka mjaft kosto dhe për bizneset! Normalisht ekspertët duhet të ulen dhe të përpunojnë të gjitha të dhënat e tatim-fitimit në vite. Dhe për biznesin, llogaria e kostove të informalitetit dhe deklarimeve reale të të ardhurave, absolutisht që do anonte për këtë të dytën! Tatim-fitimi besoj është çelësi i të qenët atraktiv me investitorët, ata të huaj sidomos”, thekson më tej Spahiu.
Qëndrimet e LSI
Situata ekonomike, aplikimi i taksave dhe hapja e vendeve të punës duket se është një nga shqetësimet e LSI-së, aleatit kryesor të PS-së. Vetë kreu i LSI-së, Ilir Meta, në një intervistë të dhënë me 5 gusht për “Albania Daily News” kërkoi më tepër kujdes për taksat. “Unë nuk mund të pretendoj se situata ekonomike në vend është e përsosur. Kjo është si rezultat i një kompleksiteti faktorësh. Ne jemi përballur me vështirësi si pasojë e krizës së gjatë në ekonominë botërore, Eurozonës dhe veçanërisht fqinjëve tanë. Kriza ekonomike që goditi rajonin tonë, veçanërisht dy partnerët tanë kryesorë ekonomikë dhe tregtarë si Greqia dhe Italia, ka rezultuar në një mungesë të deficitit tregtar… Qeveria ka bërë përpjekje të mëdha për të shlyer borxhin e brendshëm dhe për të paguar shuma të mëdha parash për kompanitë që nuk janë paguar për punën e bërë. Kjo ka vënë financat e vendit nën presion, por edhe për shkak të tregjeve të paqëndrueshme ndërkombëtare dhe çmimeve të naftës. Besoj se kjo është një nga fushat ku qeveria duhet të negociojë me një ritëm më të gjerë me institucionet ndërkombëtare dhe donatorët. 

Edhe pse Shqipëria nuk është një anëtare e BE-së dhe Eurozonës është ndikuar dhe prekur nga problemet e BE-së. FMN-ja dhe Banka Botërore po bëjnë një punë të mirë, por në këtë rast flas si ekonomist – kemi nevojë për një sistem fiskal dhe politika më të zgjuara dhe efikase. Taksat e vendosura nuk po nxisin mjaftueshëm zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës. Ne duhet të bëjmë më shumë. Duhet të eksplorojmë çdo mundësi dhe të jemi më strategjikë në përcaktimin e zonave dhe fushave të investimeve”, deklaroi Meta. Ndërsa dy ditë më parë kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, apeloi nga selia e partisë së tij që të kihet kujdes çështja e taksimit, kjo nisur nga kushti apo ideja e FMN-së për të tatuar pagat nën 30 mijë lekë në muaj. “Çdo ndryshim në politikat e taksave, nuk duhet të priret në asnjë rast nga pamjaftueshmëritë që vërehen në funksionim dhe që lidhen me evazionin fiskal, me administrimet më efikase apo të dobëta apo me korrupsionin, por duhet të priren nga qëndrime vizionare, të cilat nënkuptojnë që këto elemente janë të përmirësueshme dhe që janë në dorën e qeverisë, të tjerat janë elemente që kanë të bëjnë me orientimin e biznesit dhe të ardhmen e tij”, tha Vasili.
Sigal