Deputeti Alket Hyseni më ka vjedhur 11 mijë m2 tokë dhe ia jep Mirela Papulit

698
Denoncimi i Irini Bua nga Dhërmiu: I bëj thirrje kryeministrit Rama që të pezullojë këtë vendim
Në emisionin “Të Paekspozuarit”, një pronare tokash në Dhërmi, ka denoncuar deputetin e Partisë Socialiste, Alket Hyseni, se i ka vjedhur tokën. Zonja Irini Bua, pretendon se Alket Hyseni i ka tjetërsuar 11 mijë metra tokë. “Prona është vjedhur nga Alket Hyseni, 11 mijë metra. Letrat që keni ju përpara, vërtetojnë vjedhjen ose përvetësimin e pronës nga Alket Hyseni. Leje mbi pronën tonë ka dhënë Edi Rama. Alket Hyseni ka bërë marrëveshjen me kompaninë e Mirela Papulit. Nuk mund të ketë Alket Hyseni dhe kompania Papuli pronë dhe ne nuk kemi asnjë metër katror tokë. Tani kanë dhënë leje ndërtimi tek Papuli për ndërtimin e një fshati. I bëj thirrje kryeministrit Rama që të pezullojë këtë vendim.”
Deputeti i PD-së: Deputeti i PS i akuzuar për tjetërsim pronash në Dhërmi. Rama hesht. 
Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Flamur Noka, thotë se deputeti socialist Alket Hyseni është akuzuar publikisht se ka vjedhur 11 mijë metra katrorë tokë në Dhërmi nga familja Bua. Deputeti i PD thotë se kryeministri Rama hesht për këto akuza, ndërsa Prokuroria nga ana tjetër nuk vepron. Deputeti Noka, ndër të tjera deklaroi: “Çfarë e bën edhe më të rëndë grabitjen e pronës nga familja Bua tek Alket Hyseni dhe më pas tek miku i kryeministrit, është fakti se ai e ka kryer transaksionin në kohën kur Edi Rama e kishte emëruar Kryetar të Task Forcës për verifikimin e kthimit dhe regjistrimit të pronave në bregdetin e Jugut. Në këtë histori ka edhe një fakt tjetër shumë të rëndë. Kur po bëhen 24 orë nga denoncimi publik i zonjës Irini Bua, Edi Rama hesht. Kryeministri që bërtet për drejtësi dhe që ka ngritur një Task force të re me “alketë” të tjerë për grabitjen e re të pronave në bregdet, duhet t’u përgjigjet disa pyetjeve! Pse i ka dhënë mikut Gon Papuli leje ndërtimi për një fshat turistik mbi një pronë të vjedhur nga deputeti Alket Hyseni? Sa prona të tilla janë grabitur me lejen e kryeministrit Edi Rama? Kush janë klientët që do të marrin pronat e grabitura nga skema e re mafioze e qeverisë, që u heq pronarëve të drejtën e pronës? Bashkë me Edi Ramën hesht edhe Prokuroria. Deri tani, Prokuroria nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të hetuar këtë peshk të madh që i ka rënë në rrjetë.


Sigal