Deputetët socialistë, në aksion për të rrëmbyer vepra arti

516
Sigal

Ajo që do t’u vinte me të vërtetë në ndihmë piktorëve, do të ishte jo falja e punimeve, por blerja e të paktën një punimi nga organizatorët. Në Shqipëri lulet akoma i hanë gomarët!

Përherë e më shpesh po shohim kronikat televizive, ku shfaqen piktorët që punojnë peizazhe sa në fshatrat e Vlorës, në ato të Pogradecit, Kukësit, Tropojës, Peqinit, Tiranës e më saktë në të gjithë Shqipërinë. Një lëvizje kjo e pa parë dhe e papritur kjo këto vitet e fundit. Por ajo që të tërheq vëmendjen më shumë është prania e deputetëve socialistë të cilët janë të pranishëm kudo ku piktorët punojnë. Intervistohet deputeti “x” i PS-së, shfaqet deputetja  e majtë “y”, diku deputeti “z” që s’ka lidhje me pikturën dhe më në fund shfaqet  një tjetër deputet  dhe iniciatori  më i ri që ka dëgjuar për pikturat pas la pasionin e tij të kundërt me atë që shfaq dhe reflekton arti. Në pamje të parë duket si një lëvizje artistike që po bëhet pjesë e lumturisë kombëtare dhe që ka marrë përsipër të promovojë turizmin shqiptar thuajse televizioni është vetëm për të reklamuar gjellët me tava balte që bëhen në Shqipërinë e Mesme apo kudo tjetër. Por kur interesohemi të dimë pak më tepër nga kjo nismë mbarë kombëtare dhe që shpesh kalon edhe kufijtë e atdheut mëmë, mendojmë se diçka nuk shkon. Piktoret mblidhen në grupe nën drejtimin e një apo dy prej tyre, që duket janë edhe menaxherët e këtyre aksioneve të “rinise socialiste”, i hipin nëpër autobusë e ndonjëri udhëton me makinën e vet e kështu përfundojnë në vendin e planifikuar për të punuar. Dhe ata të pajisur me një tubet të bardhë e dy telajo falas, punojnë, hanë e pinë gratis, të paguar nga organizatorët, që konkretisht janë deputetët socialistë. Kushti i vetëm për ta është që t’i “dhurojnë falas” organizatorit një peizazh nga ato që zgjedh organizatori. E kështu piktorët në këto kushte shtegtojnë nga njëri vend te tjetri duke shijuar bukuritë e atdheut, por që në shtëpi kur kthehen shumë prej tyre nuk kanë para për të paguar faturat që kërkon familja. Në pamje të parë duke krijuar kushte për fundjavë, këto nisma reklamohen si gjetje më e mirë që piktorët të shkunden nga plogështia. Por ajo që do tu vinte me të vërtetë në ndihmë piktorëve, do të ishte jo falja e punimeve, por blerja e të paktën një punimi nga organizatorët, me qëllimin e vetëm që kur ata të ktheheshin nëpër shtëpitë e tyre, të kenë se çfarë tu japin familjeve. I shtrirë në kohë, ky problem bën fjalë për mbi dhjetë koloni me nga tridhjetë apo më shumë anëtarë, që i bije që organizatori të ketë në depon e tij jo më pak se 10 peizazhe për një autor. Kujt i intereson kjo depo pikturash dhe cili është destinacioni i tyre. Çfarë vlere artistike realizojnë këta lloj piktorë mbas një pune kaq të gjatë e të lodhshme, duke bredhur sa në një vend në tjetrin. Duke qenë se krijimtaria nuk tatohet, ky lloj biznesi ja vlen “të lulëzojë nën petkun e humanizmit”. Duke e parë sadopak shkarazi këtë problem, të krijohet ideja se piktoret me dashjen e tyre kanë pranuar të shfrytëzohen, duke i u nënshtruar këtij regjimi thuajse janë të punësuar e rrogëtar. Por në fund të fundit ky është problem i kujtdo prej tyre, por të bën përshtypje zelli për të shfrytëzuar këtë kategori sociale. Pse me kaq ngulm ata degdisen nga një koloni te tjetra për punë të papaguar e qe justifikohet vetëm me ushqimin falas, njësoj si dikur aksionet e rinisë në kohën e diktaturës, por me të veçantën e saj se këtu marrin pjesë edhe pleq. Në fund të fundit në diktaturë kur organizoheshin koloni të tilla, shteti zgjidhte punimet më të mira dhe i blinte ato për institucionet e veta, ndërsa këta zotërinj organizator, i mbledhin pikturat me tre katër ditë ushqim falas e me furgonin të paguar. Dhe si prelud i kësaj nisme kanë filluar të shfaqen edhe disa pseudo ekspozita si në Novoselë, ku pikturat të vendosura te trotuari i zyrave të komunës, i sheh me ëndje kryekomunari, i cili nuk përton të flasë për sukseset e artit që promovon bukuritë e Novoselës edhe pse ai e di mirë që në Novoselë të çan mushkonja. Ai flet për artin dhe artistët e artit të pikturës, sepse skulptorët janë të përjashtuar nga këto koloni, edhe pse në zyrën e tij ka të varura piktura të bëra nëpër punishtet turke e që në rrugët e pazareve si të Tiranë, Fierit e kudo i gjen me çmim të arsyeshëm. Në fund të fundit një pemë, pranë një liqeni, që ka në sfond një mal, të kujton bukuritë e Novoselës, paçka se Novosela nuk ka male e paçka se piktura është prodhuar në seri nga turqit. Duke parë kryekomunarin me të tjerë, ku ai flet për artin dhe artistët e artit të pikturës, sepse skulptorët janë të përjashtuar nga këto koloni, edhe pse në zyrën e tij ka të varura piktura të bera nëpër punishtet turke e që në rrugët e pazareve si të Tiranë etj, këto spektakle të kujtojnë koncertin në vitet 29, ku Bert Ndrenika hedh batutën famoze: “Në Shqipëri, lulet i hanë gomerët”? E tërësia e këtyre spektakleve shfaqet edhe në kërshërinë e një deputeti të Shqipërisë Mesme, për të zbuluar bukuritë piktorike të këtij vendi, fushat me grurë, kopshtet me fruta shumë ngjyrëshe, ujëvarat e pikave inerte, e nëpër rrugë njerëzit e papunë që shohin me habi, piktorët që bulëzojnë nëpër cepat e qytetit të dërmuar nga papunësia e që deputeti ka gjetur mundësinë që ta gjallërojë atë. Mirë deputetët që e njohin biznesin e kulturës dhe artit dhe i ka hyrë këtij biznesi të ri, për aq kohë sa do të gjejë piktorë të përulur, që i hipin furgonit pa menduar se çfarë bëjnë, po pse ju hap oreksi deputetëve të rinj  kur e dinë  që këtë sport e kanë nisur kolegët e tij më parë. Për konkurrencë?  Mendoj se është pak i vonuar. Bilanci  mes bizneseve të mëparshme që  kërkojnë investim paraprak, dhe që do kohë të kthehet në vlerë leku, e ka çuar prej kohësh drejt zgjidhjes së mbledhjes së pikturave të cilat i magazinon brenda tre katër ditëve, me një kosto shumë të ulët, por me një fitim nga shitja shumë herë më të madh nga investimi fillestar. Një libër fjala bie, apo një skulpturë do shumë punë që të realizohet e botohet, do vite që të shitet, ndërsa një pikture me pak mund e me një çmim joshës, mund të shitet për pak javë, duke kontribuar ndjeshëm në buxhet, sepse ka normë të lartë fitimi duke u nisur se një kopje e tillë pikture vlen më shumë se 30 apo 50 herë më shumë nga një  libër artistik. E gjithë kjo punë e papaguar e piktorëve dhe e justifikuar me stilin e kleringut nga organizatorët, mban erë shfrytëzim dhe përfitim nga varfëria sociale, ku jetojnë piktorët. Ata mund të ndihmohen në qoftë se do t’u blihen pikturat dhe jo duke i siguruar ushqimin falas ku arti duhet të stimulohet për vlera ku duhet të  mbizotërojë cilësia e jo sasia. Por ajo që do t’u vinte me të vërtetë në ndihmë piktorëve, do të ishte jo falja e punimeve, por blerja e të paktën një punimi nga organizatorët, me qëllimin e vetëm që kur ata të ktheheshin nëpër shtëpitë e tyre, të kenë se çfarë t’u japin familjeve. Pavarësisht nga fasada e këtyre spektakleve një gjë është shumë e qartë se kolonitë e piktorëve përbëhen nga piktorë me standarde të ulëta jetese dhe për këtë shtresë qeveria duhet të përkrahi programe të studiuara e jo të bëjë sehirxhiun para mbledhësve të punimeve që në fakt janë djersë e mund i piktorëve që për arsye “X” largohen nga shtëpitë e tyre për të punuar nëpër koloni sikur të jenë rrogëtar të vërtetë, por që në xhep nuk kanë mundësinë të fusin asnjë kokërr leku. Por në qoftë se do të blihej qoftë edhe nga një punim për autor për t’u ardhur në ndihmë piktorëve, kolonitë nuk do të shkriheshin si kripa në ujë, sepse menjëherë do të dilte në sipërfaqe se kush janë përfituesit e vërtetë, piktorët apo organizatorët. Do të dilte në sipërfaqe se organizatorët nuk janë gjë tjetër veç shfrytëzues. Zot na ruajt, në qoftë se do t’i hipi në kokë edhe deputetëve të tjerë të merren me kolonitë e piktorëve se po qe se ndodh kjo, Parlamenti do mbetet vetëm me Kryetarin, ose seancat do t’i bëjnë nëpër vendet, ku mblidhen piktorët nëpër kolonitë e tyre, por nuk duhet harruar kurrë se në Shqipëri lulet akoma i hanë gomerët.