Sigal

Sot në seancën e fundit, Kuvendi do të diskutojë projektligjin për gjyqtarët dhe prokurorët. Apeli i pozitës, kërkesat e opozitës, ndërkombëtarët dhe reagimet e Ramës, Hysit, Bylykbashit, Bardhit dhe Vasilit

Jakup B. GJOÇA

Është hera e tretë që maxhoranca sjell sot në parlament, projektligjin “Për Gjyqtarët dhe Prokurorët”, me anën e të cilit synohet që të shtohen kuotat e pranimit të kandidatëve për në Shkollën e Magjistraturës dhe t’i jepen kompetenca ligjore kryeprokurores së Përkohshme dhe KLD-së që të emërojnë gjyqtarët dhe prokurorët në vendet që kanë mbetur vakant, nga përjashtimet që ka bërë vettingu. Njëfarë mënyre, kjo do të mundësonte, që të plotësohen edhe vendet e kandidatëve për të institucionet e reja të KLP, KLGJ, KED, SPAK, BKH, etj.

Maxhoranca nuk kërkon kompromisin, por votat e opozitës

Maxhoranca e justifikon këtë ligj me faktin e kryer, që janë kaluar të gjitha afatet kushtetuese dhe nuk ka më kohë për të ngritur institucionet e reja të drejtësisë, prandaj, t’i jepet kompetenca kryeprokurores së Përkohshme dhe KLD-së që të bëjnë emrërimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Mirëpo, opozita e kundërshton, duke argumentuar se ky ligj rrëzon reformën në drejtësi dhe shkel edhe konsensusin e madh që dha opozita para dy vitesh, kur u votua me 140 vota reforma në drejtësi.

Opozita: Zgjidhja e kopalsit të Reformës. Të zhbëhen 6 ligjet që votoi PS pa konsensusin e opozitës

Siç dihet, maxhoranca ka votuar 6 ligjet e Reformës në Drejtësi, pa konsensusin e Opozitës, sepse para 2017-s i kishte 84 vota. Këto 6 ligje të reformës në Drejtësi janë: 1) Ligji për Gjykatën Kushtetuese; 2) ligji për Statusin e Magjistratit; 3) Ligji për organizimin e prokurorisë; 4) Ligji për organizimin e pushtet gjyqësor; 5) Ligji për organet qeverisëse të Sistemit të Drejtësisë; 6) ligji për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Siç shprehet edhe ishministri i Drejtësisë Gazment Bardhi, “Janë pikërisht këto 6 ligji që kanë paralizuar të gjithë sistemin e drejtësisë në vend, që kanë krijuar kaos në sistem, që kanë lënë vendin pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë, që po konfirmojnë në detyrë gjyqtarë e prokurorë të korrputuar, dhe që nuk po mundësojnë ngritjen e organeve të reja të sistemit, përfshirë KLGJ, KLP, SPAK dhe BKH.” Dhe zgjidhja, sipas ishministrit Bardhi, është: “Kaosi në një sistem nuk zgjidhet duke e rregulluar atë pjesë pjesë. Kaosi në sistem, zgjidhet duke hequr dorë nga kapja politike e sistemit dhe duke u ulur seriozisht e sinqerisht, për të evidentuar të gjitha mangësitë dhe për t’u kthyer tek konsensusi i 22 Korrikut.”

Vasilika Hysi nënkryetare e Parlamentit: Apel opozitës të votojmë projektligjin

”Vetting-u po ecën dhe po ecën shpejt. Brenda korrikut do të kemi rezultate shumë më të mëdha. Nga ana tjetër kemi një grup studentësh të shkëlqyer që dëshirojnë të fillojnë magjistraturën. E dyta, kemi një grup tjetër magjistratësh që presin të fillojnë të punësohen. Nëse ne themi që ne nuk duhet të bllokojmë, ta çojmë sistemin në kolaps, ne duhet të kontribuojmë. Ne duhet të jemi të përgjegjshëm. Ne duhet t’u japim mundësinë të punësohen këtyre magjistratëve ekselentë. Dua t’u bëj një thirrje të gjithë të rinjve dhe të rejave që studiojnë jashtë. Mesatarja për të konkurruar në Shkollën e Magjistraturës nuk është 8, por 6.2. Në radhë të parë, duke ju bërë apel kolegëve të mi të opozitës për të ardhur dhe për të votuar ndryshimet në ligj për tu dhënë mundësi në shtator kandidatëve fitues të fillojnë shkollën, dhe nga ana tjetër, ftoj të gjithë studentët që kanë studiuar jashtë, të vijnë dhe të kontribuojnë në Shqipëri.

Oerd Bylykbashi, deputet i PD-së: Vasilikë, ju vratë konsensusin e reformës në drejtësi

21 korrik dy vjet më pas. Vasilikë, t’u deshën kaq vite të kuptoje se Reforma juaj në Drejtësi po kolapson. T’u deshën kaq vite që të arrish ‎në ato konkluzione që para dy vitesh t’i thamë e stërthamë ne, opozita, në Komisioni e Reformës në Drejtësi.

Sot ti Vasilikë na paske deklamuar: “duhet të jemi të përgjegjshëm”‎. Po Vasilikë, duhet të jesh e përgjegjeshme ti dhe kolegët e tu për Rrëmujën katastrofale në Drejtësi, që ti dhe kolegët e tu gatuat pa dëgjuar paralajmërimet dhe kritikat tona dhe hodhët poshtë me mendjelehtësi poetike propozimet tona sepse kishit mbështetje ekstranacionale.  A të kujtohet Vasilikë kur ti, Ulsiu etj, ishit gati të miratonit draftin e Kushtetutës të Fatmirit “me sy mbyllur‎” siç propozoi Pandi? Kjo është papërgjegjshmëri lapidare Vasilikë! Zoti shpëtoftë shqiptarët prej papërgjegjshmërisë tuaj, se ty e kolegëve të tu jua fal Edi mëkatet! Vasilikë, nuk mund t’i kërkosh opozitës të jetë e përgjegjeshme e të votojë që të kompletojë sistemin e kapjes politike të drejtësisë prej jush e të bëhet palë. Meqe nuk ju funksionoi mekanizmi i kapjes afatgjatë tek Magjistratura, kërkoni që t’ju ndihmojë opozita?! A je e përgjegjeshme për këtë kërkesë Vasilikë?!‎ I ke bërë thirrje studentëve që janë diplomuar jashtë të vijnë të t’ju ndihmojnë në këtë “mrekullinë e tetë” tokësore që po ndodh në Shqipëri me Reformën në Drejtësi‎, kur edhe studentët që nuk janë diplomuar ende në Tiranë e kanë kuptuar katastrofën e reformës tuaj. Shtet anëtar i NATO-s, vend kandidat për në BE që pret hapje negociatash, që sot nuk ka Gjykatë Kushtetuese, Gjykatë të Lartë dhe asnjë institucion kushtetues drejtësie, vetëm Shqipëria është. Kjo është pasoja e çorbës në Drejtësi që gatuat. Uroj që e ke të qartë që 50 studentët e Magjistraturës nuk t’i zgjidhin dështimet për KLGJ, KLP, Prokurorin e Përgjithshme, SPAK, gjykatën e posaçme antikorrupsion apo BKH që nuk ngrihen dot pas dy vitesh.

Vasilikë, pyet Edin se ai e di shumë mirë qëllimin e të gjithë kësaj: kapja e drejtësisë që ai të mos shkojë në burg. Përveçse të përgjegjshëm, ju duhet të viheni para përgjegjësisë, sot dy vjet pasi vratë konsensusin e Reformës në Drejtësi .