Deputetët e inkriminuar dhe zhurmaxhinjtë e bashkive

441
– Zoti Kristo, sa historike mund të mbetet vizita e Merkelit në Tiranë, derisa nuk pagëzoi Kryeministrin tonë si lider të Ballkanit, por në fakt kërkoi vetëm që Shqipëria të pengojë azilantët shqiptarë qysh në Kakavijë, e të mos mbërrijnë në Berlin? 

– Vizita e Merkel ishte një vizitë pune. Ajo erdhi për të marrë e për të dhënë. Ajo kërkoi stabilitet dhe prosperitet në Shqipëri, si dhe dha mbështetjen e saj për disa projekte. Gjithashtu, mesazhi i saj i kapërcente dhe kufijtë e Shqipërisë, sepse ishte një mesazh me balistikë të largët. Në të njëjtën kohë, ajo kërkoi dhe më tepër angazhim nga autoritetet shqiptare për përmbajtjen e fluksit të azilantëve. Sot në Shqipëri ndodhin qindra sajesa, vetëm e vetëm që disa njerëz të sigurojnë qëndrimin në vendet e BE. Madje ka njerëz që i vënë bomba vetes, falsifikojnë dokumente, ngjizin histori të pabaza, etj. Nga ana tjetër, Merkel nuk ka asnjë aftësi pagëzuese. Nuk duket fare si kardinal apo peshkop. Kurse përkufizimi “lider i Ballkanit” është gjëja më qesharake që mund të dëgjosh. Ballkani është një njësi e krijuar nga entitete të ndryshme. Shpesh në konflikt. Prijësi i lepujve nuk mund të jetë në të njëjtën kohë edhe kreu i ketrave. Janë botë të ndryshme. Secila funksionon më vete, duke kërkuar pika takimi. Do të ishte një vizitë historike, nëse ne do të ishim më të përgatitur për të kërkuar mbështetje për projekte të mëdha, siç bëri Serbia.

– Mos bëri lapsus Kryeministri Rama kur deklaroi ditët e fundit që ekonomia jonë ka rritje 2.8%, e janë punësuar 104.000 shqiptarë, kur vetëm 5 muajt e fundit kanë kërkuar azil në Gjermani 60.000 shqiptarë?
– Rama kurrë nuk bën lapsuse. Ai thjesht fsheh të vërtetën. Qysh përpara zgjedhjeve të 2013 unë kam deklaruar se e vetmja mënyrë që të hapen 300 mijë vende të reja pune në Shqipëri, është që të legalizohen nja 250 mijë punëtorë që punojnë në të zezë. Dhe profecia ime u përmbush. Kjo është e vetmja tasto punësimi në pianon tonë ekonomike. Kurse lidhur me rritjen ekonomike, do të thosha se mund të jetë e saktë, por që pa tjetër duhet të shoqërohet edhe me shifrën se sa u rrit borxhi publik, i brendshëm dhe i jashtëm. Rritje ekonomike ka pasur, po jo si rezultat i ndonjë politike largpamëse. Thjesht në ekonomi janë injektuar paratë e marra borxh. Këto borxhe do t’i shlyejnë fëmijët tanë. Prandaj, askush nuk duhet të mburret.

– Derisa shqiptarët i dhanë PS 311.321 vota më pak në 2015, krahasuar me 2013, dhe Kryeministri deklaroi që nuk do ta freskojë qeverinë, atëherë keqqeverisjen ku duhet ta kërkojmë?
– Rama bën deklarata dhe vepron ndryshe, nga sa deklaron. Nëse atij i duhet diçka, ai s’ka asnjë skrupull. Prandaj, le të presim ndryshime. Kur ishte në Bashki, ai shpesh bënte të tilla. Nëse ai mendon se qeveria po punon mirë, duhet ta kujtojmë se jo vetëm makinat e vogla pësojnë aksidente, por edhe autobusët e mëdhenj, madje edhe Titanikët, ata që mendohen të pambytshëm. E vetmja mënyrë që Rama të ringjallë shpresë te qytetarët është një Kabinet i ri, krejt i ri. Ky që ka është vjetëruar shumë. Dy vite e tij janë sa për tetë vitet e Berishës. Ky kabinet nuk ngjall më besim, nga skandalet e shumta dhe punët fare të vogla që ka realizuar. Propaganda është në qiell, rezultatet janë përtokë. Këta kënaqen me hijen e mëngjesit. Realiteti shqiptar ulërin: mijëra njerëz ikin. Shpresa lëngon.

– Shqiptarët kë të besojnë si të vërtetë: Raportin e DASH që tha se në parlamentin tonë ka trafikantë deputetë apo Kryeministrin që deklaroi se në parlamentin tonë s’ka kriminelë, meqë Kushtetuta jonë nuk ndalon dot as ata që dënohen për trafiqe në botë, të bëhen deputetë në Shqipëri?
– Shqiptarët duhet të besojnë miqtë e vërtetë dhe në këtë rast miqtë e vërtetë janë amerikanët. Por edhe raporti i DASH është minimalist. Janë më tepër se sa një deputet të përfshirë në trafiqe dhe krim. Deputeti i trafikut s’ka pse të ketë fare turp, sepse në krah ka një deputet vrasës, pak më tutje një deputet hajdut, anash një deputet pa shkollë, e kështu me radhë. Ky parlament duhet të zhbëhet me urgjencë. I gjithi. Sepse në fakt është një antiparlament. Kryeministri kot bën sikur nuk i di gjërat. Sepse nëse është kështu, i bie të jetë një naiv. Ai i di shumë mirë dhe ndoshta po përdor fuqinë e amerikanëve për t’u çliruar nga borxhet. Le të shpresojmë për mirë.

-Meqë mazhoranca dhe opozita kanë platforma të kundërta për dekriminalizimin, mos vallë dy të kundërta sjellin progresin?
– Të dyja palët kanë të njëjtën platformë. Po pala e opozitës provokon më shumë. Gjoja sikur mbështet aleatët tanë euroatlantikë. Opozita është vetë e zhytur në krim. Jo vetëm vrasësit e njohur që janë në radhët e saj, po dhe deputetët me vila të padeklaruara, janë një turp i pamohueshëm. Prandaj mos kërkoni progres. Të dyja palët kanë një mendje dhe luajnë të njëjtën lojë, sepse janë të zhytura njëlloj në të njëjtin llumë.

– Përse PS – PD nuk bëjnë fjalë që të zhbëjnë Sistemin Elektoral, i cili u jep monopolin kryetarëve të partisë që në listën e mbyllur të kandidatëve, ata kanë futur këdo person që ka qenë trafikant më parë?
– Është njësoj si t’i qash hallin kalorësit se i varen këmbët. Ose t’i kërkosh mizës të iki nga mjalti. Kriminelët shqiptarë janë përdorur nga politika njëlloj si gjithë masa tjetër e popullsisë. Pasi blenë dhe rrëmbyen vota për llogari të politikës, politika ngrihet në këmbë dhe bërtet kundër tyre. Kanë një mendje të dy palët: politikanë e kriminelë. Ata fusin këdo nëpër lista, sepse kushdo mund ta bëjë atë palopunë.

Meqë mazhoranca ka tani nën sqetull 2 kunguj, pushtetin vendor dhe qendror, sa të sigurt jemi në drejtimin e duhur?
– Shansi është i madh. Le të shikojmë se si do ta shfrytëzojnë. Kemi vënë re në këta dy vjet se janë kursyer shumë para diku për t’i abuzuar pa teklif diku tjetër. Territorializimi i ri nuk mund të jetë i bazuar vetëm në kursimin, po dhe të prodhimi i rezultateve më të larta. Le të shpresojmë që nga sqetulla të mos vijë shumë era.
– Sipas jush, kush e kishte penguar Kryebashkiakun e ri të Tiranës që ta njihte më parë realitetin, si udhëtojnë shqiptarët nëpër autobusë, por e provoi vetëm ditën e parë të punës?

– Kryebashkiaku është mjeshtër i marrëdhënieve publike. Ai ka planifikuar me shumë kujdes 30 ditët e para, ndoshta dhe më shumë (gjej rastin të përgëzoj stafin e tij). Rregullimi i Kullës dhe Monumentit të Pavarësisë ishin gjetje. Ajo e autobusit ishte shaka. Publiku i gjerë ka reaguar keq. Njerëzit po thoshin se ka shkuar me makinë deri tek autobusi. Unë do të dëshiroja që ai të punonte në heshtje. Rezultatet do dukeshin. Po s’ka për të ndodhur. Këta janë zhurmaxhinj.

Cili ligj deri tani ka penguar që zyrtarin e politikanin e korruptuar nuk e dënon dot drejtësia, por u dashka një reformë qilizmë e re, pas 25 vjetëve?
– Pikërisht vullneti politik ka munguar, jo ligjet. Ligje ka plot. Vetëm me një institucion mund të shkatërrohej gjithë kasta e gjyqtarëve dhe politikanëve të korruptuar, pra me një llaf, e banorëve kryesorë të Gjirit të Lalzit: Inspektoriati i Lartë i Kontrollit të Deklarimit të Pasurive. S’ka nevojë për ligje apo gjëra të tjera. Nëse kujtohen për reformën në drejtësi, në mes të mandatit, kjo tregon se nuk kanë ndërmend të bëjnë qilizmë, po thjesht retushime.

– Ju zoti Kristo, sa duhet të besojmë kryetarin e PS i cili tha se kritikat e Blushit duan të dëmtojnë partinë dhe qeverisjen e saj?
– Kryetari i PS ka të drejtë. Kritikat e Blushit e dëmtojnë PS, ashtu si është katandisur. Blushi mund ta shkatërrojë PS, nëse nuk flet. Ai në fakt kërkon përmirësim të PS. Po PS nuk ekziston më, përveçse në ditën e përkujtimit të themelimit.

– Kur mungon tërësish demokracia e brendshme e partisë që qeveris, sa bindëse mund të jetë paskëtaj se kjo parti dhe lideri i saj qeveris vendin me frymë demokratike dhe transparencë?
– Gjyshi im thoshte: si në shtëpi dhe në mulli po njëlloj.

– Nëse politikanët pushojnë duke shpërfillur Apelin e DASH, se trafikantët janë edhe ligjbërës në parlamentin tonë, kush duhet të reagojë dhe si? 
– Janë të lodhur nga gjithë horrllëqet që bënë gjatë zgjedhjeve. Më mirë të pushojnë. Nuk durohen fare, kur janë me nerva. Punët presin. Hallet mbesin.
-Faleminderit!
Sigal