Denoncimi: Ja ku janë paguar deri në 300 mijë euro, për një vend deputeti

200
Sigal

‘Për zgjedhjet 25 prillit janë paguar shifra marramendëse për të hyrë në listat e Lulzim Bashës’. Akuza e fortë vjen nga analisti Lorenc Vangjeli.

Vangjeli tha se jo vetëm për të qenë në krye të listës, por edhe për vendet e pasigurta të saj janë ofruar para në të kamufluara si donacione për zhvillimin e fushatës. Ai shtoi se kjo shifër arrin deri në 300 mijë euro.“Edhe në katet e fundit të listës është paguar. Si ndihmë apo kontribut për të përballuar shpenzimet e fushatës dhe kjo kërkon transparencë dhe kjo hipokrizi duhet çmontuar.

A t’ju them një shifër? 300 mijë euro thonë ata që e kanë blerë. Janë paguar para që nuk justifikojnë vetën për angazhimin në fushatë. Qoftë edhe fushata për kryetarin e Partisë Demokratike, ka pasur shumë më tepër shpenzime se sa janë deklaruar.

Nëse duam ta shpjegojmë politikën me instrumente politike gabojmë. Një pjesë e 34 deputetëve që nuk kanë vajtur në Kuvendin e 30 prillit kanë pasur shtysë financiare që nuk ishin aty” – tha Lorenc Vangjeli.Këtë fakt e pohoi edhe deputeti Këlliçi, i cili tha se kanë të dhëna të tilla. Këlliçi citoi tre paragrafe të rezolutës së Kuvendit të PD-së që adresojnë këtë shqetësim dhe tha se besonte se një gjë e tillë nuk do të përsëritej më.

Kujtojmë se nëse një deputet i ka kaluar dy vite në Kuvend, ai përfiton pension 20 % të pagës, dhe gjysmën e rrogës e fiton për 3 vitet e para. Kujtojmë se paga bazë e deputetit është 150 000 lekë në muaj, përfiton para për pjesëmarrjen në komisione parlamentare, i paguhet karburanti i makinës si dhe shpenzimet e telefonit, dieta pa fund, fatura hoteli të rimbursuara, mund të kurohen jashtë shtetit me shpenzime të hequra, pasaporta diplomatike e shumë përfitime të tjera. Pra paska dhe nga ato deputetë që i paguajnë paraprakisht të gjitha këto salltanete.