Denoncimi i mediave amerikane/ Ish-agjenti i FBI-së Charles McGonigali i akuzuar për lidhjet me rusët dhe që hapi kompani në Tiranë, arrestohet në Nju Jork

116
Sigal

Bashkpunimi me oligarkun rus Deripaska për heqjen nga sanksionet në vitin 2019, pagesa 80 mijë USD që mori nga ish-punonjësi i inteligjencës shqiptare dhe vizita misterioze e tij në Tiranë

Arrestohet në SHBA miku i Edi Ramës, ish-shefi i FBI-së pastronte para për llogari të oligarkut rus, fshehu detaje nga udhëtimi në Shqipëri

 Lajmi më i bujshëm i fundit në SHBA është ai se Charles McGonigal, një ish-zyrtar i kundërinteligjencës së FBI në Nju Jork, është arrestuar dhe është vënë nën akuzë për pastrim parash.Mediat amerikane shkruajnë se McGonigal ka bashkëpunuar me të paktën një oligark të famshëm rus. Bëhet fjalë për oligarkun Oleg Deripaska, i vënë nën sanksione.Ai dyshohet se punoi për hequr sanksionet e Deripaskës në vitin 2019 dhe mori para prej tij në vitin 2021 për të hetuar një oligark rival.

Lidhja e McGonigal me Shqipërinë dhe Edi Ramën

 Vetë kryeministri Edi Rama reagoi duke e pranuar miqësinë me McGonigal por tha se çështjet e tij me drejtësinë amerikane, i përkasin vetëm atij.“Cilët rusë të mitë? Shefi i kundërterrorit i FBI-së ka qenë dhe është miku im nuk diskutohet. Nëse ai ka një çështje të tijën me drejtësinë në SHBA-të, është çështje e tij. Lëreni të flasë drejtësia në SHBA. Nuk bëhet drejtësia, nuk nxirren fajtorët dhe nuk bëhen akuzat në këtë farë feje se është e tmerrshme. Çfarë të them më shumë se kaq. Bëhet fjalë për një çështje që është në SHBA, që nuk ka asnjë lidhje me mua, me qeverinë shqiptare që nuk ka asnjë biznes të çfarëdollojshme se me këtë teori i bie që ne nuk duhet të takojmë askënd sepse nesër dikush mund të ketë probleme me drejtësinë në vendin e vet”, tha Rama në atë kohë.

Vizita e McGonigal në Shqipëri

 Departamenti i Drejtësisë thotë se McGonigal fshehu gjithashtu nga FBI detajet kyçe të një udhëtimi të vitit 2017 që ai bëri në Shqipëri me një ish-anëtar të shërbimit inteligjent të Shqipërisë, i cili i kishte dhënë atij 225,000 dollarë.

Prokurorët amerikanë thonë se ai nuk arriti të identifikonte personin si shoqëruesin e tij të udhëtimit ose të zbulonte se strehimi për të do të ishte falas.

Pasi në Shqipëri, sipas Departamentit të Drejtësisë, ai u takua me kryeministrin Edi Rama dhe e dekurajoi atë që të mos jepte licenca për shpimin e fushës së naftës në Shqipëri për kompanitë ruse. Kontaktet shqiptare të McGonigal kishin një interes financiar në ato vendime, thonë prokurorët.

Një dorë nga ish-punonjësi i inteligjencës shqiptare me 80 mijë dollarë në parkimin e restorantit në Nju Jork

Një nga pagesat në para kesh- 80 mijë dollarë- dyshohet se iu dha McGonigal-it, ndërsa ishte ulur në një makinë të parkuar jashtë një restoranti në Nju Jork.

Nën drejtimin e McGonigal, FBI hapi një hetim mbi përpjekjet e lobimit të huaj te një shtetas amerikan, bazuar në informacionin që ai mori nga ish-punonjësi i inteligjencës shqiptare, sipas aktakuzës. McGonigal nuk e zbuloi kurrë marrëdhënien e tij financiare”, raporton CNN.

Ish-agjenti i FBI i akuzuar për lidhje me rusët hapi kompani në Tiranë

 Syri  zbuloi ekskluzivisht, se miku i ngushtë i kryeministrit Edi Rama, në kohën që po lobonte për një takim në SHBA, në Shqipëri hapi një kompani, ku pas blerjes së aksioneve u emërua edhe administrator i saj.Nga dokumentet e siguruara nga Qëndra Kombëtare e Biznesit, McGonigal është aksioner dhe administrator në shoqërinë “Law Office and Investigation”.

 

Denoncimi i opozitës para një viti, se Rama ishte në hetim ndërkombëtar

Ndërkohë, bashkë me McGonigal, nën hetim në SHBA është edhe vetë Edi Rama. Mandatin e gjykatës që tregon se Rama është nën hetim, e pati publikuar kreu i PD, Sali Berisha.

“Gjykatësi urdhëron çdo regjistrim dhe material në posedim, që dokumentojnë çdo komunikim personal, përfshi, por jo të kufizuar, tekstet e mesazheve celulare, e-mailet elektronike, mesazhet zanore, letra, shënime, midis Charles McGonigal për çështjet që vijojnë, përfshi kryeministrin Edi Rama.Çdo udhëtim i kryer nga McGonigal në Shqipëri, çdo pagesë, dhuratë, të dhëna atij nga Dorian Duçka, këshilltari famoz i Edi Ramës. Pra, nuk përmendet në Kosovë a Mal të Zi kryeministri, vetëm në Shqipëri përmendet kryeministri.Në emailin zyrtar të McGonigal gjendet një email privat i Edi Ramës. Edi Rama i kërkonte mikut të tij, McGonigal t’i gjente një kompani për një problem antikorrupsioni. Por FBI e ndalon kategorikisht këtë gjë,” deklaroi në shtator të vitit të kaluar Berisha.

 

Berisha: Rama nën hetim që nga shtatori

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha dje tha se  se kryeministri Edi Rama është nën hetim nga autoritetet amerikane pas arrestimit të ish-agjentit të FBI Charles McGonigal, i cili akuzohet se ka ndihmuar një oligark rus dhe ka marrë ryshfet nga një person në Shqipëri. Në një postim në faqen e tij në Facebook, Berisha thotë se eksponenti i arrestuar i FBI-së është këshilltar i kryeministrit Edi Rama. Berisha shprehet se që në shtator të vitit të kaluar, juria kishte urdhëruar të hetohej çdo lidhje, pagesë, e-mail, mesazh e telefonatat e tij me Edi Ramën.