Denoncimi i fortë nga PD-ja: Te Teatri kanë qenë forcat komando, jo policia

117

Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Çlirim Gjata tregoi momentet e para kur policia është futur në Teatrin Kombëtar për të nxjerrë jashtë aktorët dhe aktivistët. Nga ana tjetër, Gjata u shpreh se policia është futur me dhunë, me kapuç, me skafandra, me helmeta të zeza dhe me armë në dorë.

”Nuk janë kapur filmimet e para. Ishin stakuar kamerat dhe në moment kanë ndërhyrë 10 makina, u zbraz një lumë i madh policësh. Puna e parë e policëve ka qenë që të rrëzonin kamerat në tokë. Janë futur brenda me një dhunë të tmerrshme. Kam parë një vajzë të re të shtrirë përtokë. Flamur Noka ka dashur t’i ndihmojë, por i kanë hedhur sprajt në sy. Policia ka qenë me skafandra të bardha, me kapuç, biles kishte edhe me helmeta të zeza e armë, sikur të ishim terroristë. Kjo është shkelja më e madhe penale dhe ministri i brendshëm duhet të jetë në burg së bashku me drejtorë policie. Çfarë do policia e shtetit me armë zjarr në një protestë për mbrojtjen e Teatrit”,-tha për ”ora news”.

Për më tepër, Gjata shtoi se ka pasur së paku 10 policë për 1 person dhe se shumica ishin pa mjete identifikuese. ”Kur dolën afër Ministrisë së Brendshme, kam parë mbi 20 persona me të zeza, kur me vrap janë larguar me një furgon me xhama të zeza. Pastaj ka dalë një deklaratë e policisë së shtetit që s’ka pasur armë dhe gjoja janë dëmtuar dy policë. Dikush do të përgjigjet për këto gënjeshtra. Kanë qenë minimumi 10 policisë për një person. Ishte operacion policor-ushtarak. Pa numra identifikues. Nga ajo që më thonë ekspertët e policisë, unë denoncoj, se pjesa më e madhe nuk ishin nga policia, por nga forcat komando. Janë veshur me uniformë policie, pa numra dhe me maska që të mos identifikoheshin. Më thonë që vetëm një operacion ushtarak mund të jetë efikas. I kanë vënë në kokë automatikun Bert Budinës. Kishte brenda njerëz bashkë me policë kur ka nisur shembja. Këto duhet të hetohet nga SPAK-u”