Denoncimi i deputetit Noka: Kryeministri Rama i dha mikut të tij Agron Papuli tender 1.8 milionë euro vetëm në muajin korrik

1191
Sigal

Deputeti Noka akuza Ramës: I dhe 1.8 mln euro në korrik mikut tënd Agron Papuli

Qeveria e i ka dhënë baxhanakut të kryeministrit Armand Frangu, 41 tenderë me vlerë 15.6 milionë euro

Përditë publikohen fakte, që tenderët dhe koncesionet i përfitojnë vetëm miqtë e afërt të zyrtarëve të lartë, edhe pse BB-ja dhe FMN-ja e kritikojnë vazhdimisht qeverinë për korrupsion në tenderë, ngaqë nuk ka transparencë dhe koncesionet nuk bëjnë investime publike, nuk hapin vende të reja pune dhe po rritin borxhin publik.

Akuza e PD-së: Miku i kryeministrit Rama përfiton 1.8 milionë euro

Partia Demokratike ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për korrupsion duke favorizuar një biznesmen, mikun e tij Agron Papuli. Deputeti demokrat Flamur Noka tha sot nga selia e PD se buxheti i shtetit po shpërndahet me shpejtësi tek klientët e familjes së kryeministrit. Sipas Nokës kompanitë e Agron Papulit, morën 1,8 milionë euro nga dhënia me qira e makinave për policinë.

Deputeti Noka: Qëllimi i pushtetit të Ramës, të vjedhë

Deputeti i PD-së Flamur Noka thotë se qëllimi i pushtetit të Ramës është të vjedhë dhe jo të mirëqeverisë.

Noka: Edi Rama, po tregon çdo ditë se qëllimi i pushtetit të tij nuk ka qenë dhe nuk është qeverisja e shqiptarëve, por vjedhja dhe pasurimi i tij dhe i oborrtarëve të tij. PD denoncoi një ditë më parë provën e dokumentuar se si qeveria e Edi Ramës, i ka dhënë baxhanakut të tij Armand Frangu, 41 tenderë me vlerë 15.6 milionë euro. Ky nuk është rasti i fundit. Sot, po bazuar në dokumente zyrtare, po denoncojmë faktin se si Edi Rama vijon të favorizojë një ndër biznesmenët e afërt të tij, duke i dhënë miliona euro nga buxheti i shtetit, me gjithë denoncimet e shpeshta publike.

Qiraja e makinave është më e shtrenjtë sesa blerja

Deputeti Noka denoncon se qeveria e Ramës merr me qira makina më shtrenjtë edhe sesa t’i blerë: Noka: Kompanisë së mikut të Ramës, Agron Papuli, siç provohet edhe në dokumentet zyrtare nga Agjencia e Prokurimit Publik në muajin korrik të këtij viti i është dhënë tenderi e radhës. Bëhet fjalë për një tender me objekt “qira operacionale automjetesh nga Policia e Shtetit, 1.8 milionë euro”. Marrja me qira e makinave është korrupsion i pastër për të pasuruar financuesin e Edi Ramës, kjo sepse harxhohen miliona euro për makina me qira dhe makinat nuk i mbeten policisë, por i rikthehen përsëri mikut të Ramës. Kostoja e marrjes me qira të makinave është më e madhe sesa blerja e tyre. Favorizimi me tenderë nuk ndalet vetëm me makinat e policisë. Në dy vitet e fundit, nga kompania shtetërore OSHEE, kompanitë e preferuara të Ramës, në pronësi të Agron Papulit kanë përfituar 6 tenderë, me vlerë 4.3 milionë euro. Ky është një korrupsion i paracaktuar dhe një akt korruptiv kriminal, pasi të gjitha specifikat e tenderëve për makinat në qeverisjen e Edi Ramës janë përcaktuar nga vetë Agron Papuli, duke pamundësuar garën për të tjerët.