Denoncimi i deputetit, Enkelejd Alibeaj: Qazim Sejdini është kokë e këmbë i zhytur në bandat e Elbasanit, por është i lirë nga prokuroria

573
Sigal

Petraq BARJAMI

PD: Sa janë Laboratorët e Drogës që janë zbuluar nga Policia Shqiptare, pa kërkesën e partnerëve?

Ardi Veliu, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, dje operacionin policor, e cilësoi “Ndëshkimi i të fortëve”, duke pohuar se u arrestuan 300 të arrestuar. Mirëpo, me gjithë bilancin e “suksesit” të bujshëm policor, (që nga videot që u publikuan, do ta kenë zili edhe skenaristët e Hollivudit) nga kryepolici Veliu nuk u tha asnjë emër i “bosëve” të organizatave kriminale, përveç shifrave. Pyetjet që duan përgjigje janë:

  • Sa nga bosët e krimit të organizuar janë arrestuar?
  • Sa është numri i familjeve mafioze që janë shkatërruar?
  • Sa janë Laboratorët e Drogës që janë zbuluar nga Policia Shqiptare, pa kërkesën e partnerëve?
  • Pse disa që u arrestuan në këtë mega-operacion, u cilësuan nga Policia e Shtetit si “ koka e krimit”, por të nesërmen gjykata i liroi, për mungesë provash?
  • Pse policia arreston në mega-operacionet e saj, pa pasur në dorë prova?

Bilanci i mega-operacionit policor

Janë arrestuar vetëm në kuadrin e këtij operacioni, mbi 300 persona në kontrollet pro aktive në territor, ndër ta:

  • Rreth 160 persona të identifikuar me precedentë apo prishës të rendit, të konsideruar si ‘të fortë’ janë ndaluar apo arrestuar, ndër ta rreth 70 vetë për armëmbajtje pa leje;
  • Gjithashtu janë kapur e arrestuar 154 persona për të cilët ka pasur një urdhër kërkimi kombëtar dhe 14 të tjerë në kërkim ndërkombëtar, për vepra të ndryshme penale.

Alibeaj: Policia e Shtetit veproi si një organizatë në mbrojtje të krimit me lidhje politike

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i deputetit Enkelejd Alibeaj, i cili e cilësoi operacionin “Forca e Ligjit”, si pjesë të propagandës së kryeministrit Rama, duke akuzuar Policisë e Shtetit se nuk ka arrestuar kryebashkiakët socialistë, që janë përgjuar në bisedat me njerëzit e botës së krimit, nuk u arrestuan dot as “bosët” e krimit. Deputeti Alibeaj: Policia e Shtetit, e cila në 5 vitet e drejtimit të vendit nga Edi Rama, veproi si një organizatë në mbrojtje të krimit me lidhje politike, tani po bëhet vegla më e shëmtuar dhe e rrezikshme e propagandës së kryeministrit, peng i krimit. Lista me të ashtuquajtur 300 të fortë, nuk ka asnjë emër krimineli, asnjë emër të forti, që drejton realisht bandat dhe organizatat kriminale në vend. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, i cili u emërua në këtë detyrë për shkak të miqësisë me të fortin e Vlorës Agron Xhafaj, i dënuar për trafik ndërkombëtar droge, ka zgjedhur të bëjë megafonin e kryeministrit kundër interesit të qytetarëve për luftë të vërtetë kundër krimit të organizuar.

Alibeaj: Operacioni “Forca e Ligjit” është pjesë e propagandës së Edi Ramës

Operacioni “Forca e Ligjit” është pjesë e propagandës së Edi Ramës. Asnjë bos i krimit nuk është arrestuar. Asnjë pasuri e bosëve të krimit nuk është sekuestruar. Nëse Forca e Ligjit do të kishte goditur vërtet krimin, negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, do të ishin hapur. Operacionet apo paketat me emra propagandistikë janë shpikje e Edi Ramës për të mbuluar lidhjet e tij dhe të bashkëpunëtorëve të tij me krimin. Është fakt se Taulant Balla përmendet për disa nga dosjet e rënda që janë në hetim. Por kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste është i lirë. Është fakt se Vangjush Dako është i kapur në përgjim me disa kriminelë, por, megjithëse disa peshq të vegjël arrestohen, kryebashkiaku i Durrësit, është i lirë.

Alibeaj: Qazim Sejdini i lidhur me bandat e Elbasanit, por është i lirë

Është fakt se Qazim Sejdini është kokë e këmbë i zhytur me bandat e Elbasanit, por kryebashkiaku i Elbasanit është i lirë. Është fakt se Damian Gjiknuri, Arben Ahmetaj, Jurgis Çyrbja, Ulsi Manja përmenden edhe këta në disa nga dosjet e rënda që janë në hetim, por të gjithë janë të lirë. Të fortët e vërtetë janë drejtuesit e organizatave kriminale, që Policia e Fatmir Xhafës dhe Ardi Veliut, jo vetëm nuk i arreston, por i njofton të shkojnë në drejtim të paditur edhe kur operacionet e partnerëve ndërkombëtare i evidentojnë si bosë të krimit të organizuar në vend. Fatmir Xhafaj dhe Ardi Veliu, kanë detyrimin të informojnë qytetarët.

PD: Sa nga bosët e krimit të organizuar janë arrestuar

Sa nga bosët e krimit të organizuar janë arrestuar. Sa është numri i familjeve mafioze që janë shkatërruar? Sa janë Laboratorët e Drogës që janë zbuluar nga Policia Shqiptare, pa kërkesën e partnerëve?  Të konsiderosh suksese arrestimin e të moshuarve, rojeve apo shoferëve, është, më e pakta, shfokusim ndaj luftës së vërtetë me krimin. Në të vërtetë, në Shqipëri ligji nuk do të ketë asnjëherë forcë, bosët e krimit nuk do të arrestohen, për sa kohë ata janë të ulur, bashkë me Edi Ramën, në karrigen e kryeministrit të vendit.

 

Berisha: 303 gënjeshtrat taze të Ramës

Ish-kryeministri Sali Berisha ka ‘zbuluar’ 303 gënjeshtrat e kryeministrit Edi Rama, lidhur me operacionet e fundit në 12 qarqe të vendit që çuan në arrestimin e 27 personave. Berisha: Të dashur miq, sot Kallam Dështaku mashtroi 303 herë shqiptarët kur me zëdhënësin e tij Geron Veliu deklaroi:

1- Janë bërë këto ditë 300 arrestime, ndërkohë harroi se ky numër dje u tha prej tij, 26 arrestime?

2- Nuk ka pasur dekonspirim, pra rrjedhje të informacionit. Paçka se, sipas vetë komunikatës së djeshme të policisë, nga 44 urdhër arreste, vetëm 26 u ekzekutuan, të tjerët janë në kërkim.

3- Sot vetë Geron Veliu tha se bosi kryesor i heroinës, Admir Hoxha është larguar në drejtim të paditur. Në njoftimet e mëparshme u tha nga narko-policia se me këtë rrjet ishte i përfshirë edhe Lul Berisha me detyrë kalimin e drogës nga porti i Durrësit drejt Evropës. Por rezulton se për Lul Berishën, megjithëse i përfshirë në transportin e drogës, fletë arresti nuk është lëshuar. Këtij i thonë informacion me 303 bukëvale taze të Kallam Dështakut. sb