Demokratët prezantojnë sot 300 propozime për reformën në drejtësi

390
Partia Demokratike pritet të prezantojë sot platformën e saj me rreth 300 masa dhe rekomandime për Reformën në Drejtësi.
Grupi i ekspertëve demokratë që kanë punuar përgjatë gjithë muajit gusht për hartimin e këtyre propozimeve, ndajnë qëndrime të kundërta me strategjinë e reformës së hartuar nga përfaqësuesit e maxhorancës.


Një prej pikave që pritet të ngjallë më shumë debat është ajo për Presidentin e Republikës.
Në një pjesë të paltformës, kërkohet që ndryshimet kushtetuese të mos prekin çështje të organizmit të përgjithshëm shtetëror si përshembull zgjedhja e presidentit.
“Ndryshimet kushtetuese të mos prekin çështje të organizimit të përgjithshëm shtetëror, por vetëm cështjet e sekorit të drejtësisë. Formula e zgjedhjes së Presidentit të Republikës nuk është cështje sektoriale”
Partia Demokratike, do t’i kërkojë Komisionit të Reformës në Drejtësi që Ministri i Drejtësisë mos të jetë organi i vetëm që nis procedime disiplinore për gjyqtarët, me qellim për të shamngur influencën e politikës në sistem.
“ Të hiqet ekskluziviteti i Ministrit të Drejtësisë për të nisur një procedim disiplinor”
Grupi i ekspertëve demokratë, në mënyrë të prerë kundërshton dhe rekrutimin e gjyqtarëve jashtë sistemit.
Sipas tyre kjo është një praktikë që e dëmton sistemin e drejtësisë duke e zhveshur nga imuniteti ndaj ndërhyrjeve dhe ndikimeve politike.
“Të mos përfshihet në sistemin gjyqësor asnjë individ që nuk ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës”
Demokratët kërkojnë, gjithashtu që Gjykata e Lartë, të shndërrohet në gjykatë karriere.
“Gjykata e Lartë të shndërrohet 100 % në Gjykatë karriere”
Partia Demokratike në draftin e saj ka përfshirë dhe ngritjen e Byrosë Kombetare të Hetimit, duke kërkuar që ky organ të jete vetëm nën përgjegjësinë e Prokurorisë, ashtu siç sipas tyre theksohet dhe në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Ekspertët e selisë blu kërkojnë gjithashtu të mos suprimohet, por të forcohet Konferenca Gjyqësore Kombëtare.
Gjithashtu opozita nuk përkrah ngritjen e inspektorjateve jashtë Këshillit të Lartë të Drejtësisë apo Prokurorisë, pasi sipas tyre nuk gjen mbështetje në asnjë akt apo rekomandim të organizmave ndërkombëtarë.
Sigal