Demokratët e Elbasanit, kundër Ferdinand Xhaferrit

582
Sigal

Ai që shkatërroi PD-në e Durrësit, do të ringrejë PD-në e Elbasanit

Baza dhe drejtuesit e strukturave të PD-së në Elbasan, janë kundër të deleguarit të qendrës Ferdinand Xhaferri, i cili është ngarkuar me detyrë të posaçme nga kreu demokrat Lulëzim Basha, për të ringritur dhe për të zhvilluar zgjedhjet e reja brenda kësaj dege. Ferdinand Xhaferri, i caktuari nga kryesia e PDSH-së, ka qenë për disa vjet rresht Kryetar i PD-së në Durrës dhe njihet si njeriu që e shkatërroi atë parti dhe strukturat e saj në momentet e vështira të vitit të zi 1997. Zoti Xhaferri, gjithashtu, mbahet mend si njeriu, që në vitin 2001 ka dalë kundër PD-së dhe Berishës, duke dëmtuar rëndë strukturat e PD-së në Durrës dhe rrethet e tjera, bashkë me Genc Pollon, pas krijimit të partisë tyre pa anëtarë. Aktualisht Ferdinand Xhaferri, pas ikjes nga pushteti i PD-së, nuk dihet ende sepse ka vendosur t’i afrohet sërish kësaj partie, nga e cila ai nuk pret kredenciale të tjera në rrugëtimin e tij politik. Por gjithsesi, zoti Xhaferri ka pranuar të jetë delegati i kryesisë së PDSH-së për të ringritur moralin dhe efektivitetin e strukturave të degës së kësaj partie në Elbasan. Realisht qyteti i Elbasanit gjendet sot në shumicë i Majtë, por edhe ajo pjesë, e cila ka votuar historikisht PD-në, ndjehet e braktisur nga politikat e denigrimit, që ndoqën prej 8 vitesh drejtuesit lokalë ndaj tyre. Qytetarët e Elbasanit në 2005-n, votuan masivisht PD-në, ose më mirë Sali Berishën, por zgjedhja që ky i fundit bëri, duke afruar për drejtimin e degës dhe ndërvarjeve e institucioneve, njerëz pa integritet, vizion dhe pa nivel, bënë efekt negativ. Në degën e PD-së në Elbasan, në 8 vjet u larguan përdhunisht njerëzit e zgjuar, intelektualët, të shkolluarit, u afruan mediokrit, të paaftët, të bindurit, kameleonët, negativët. Madje, u denigruan edhe të përndjekurit, duke injoruar dhe poshtëruar çdo qasje të tyre. Kjo situatë, si dhe degjenerimi dhe korrupsioni që përflitej tek të emëruarit e PD-së, solli një situatë të rënduar psikologjike për anëtarët dhe militantët demokratë dhe në 23 Qershor solli humbjen e madhe. Në këto momente tepër diçizive për këtë degë, kryesia e PDSH-së, sjell në Elbasan, për të ringritur moralin dhe besimin e anëtarëve e militantëve, njeriun që njihet si shkatërruesi i vlerave dhe burimeve njerëzore të PD-së në Durrës. Njeriu që, doli hapur dhe me flamur në dorë kundër Berishës dhe kryesisë qendrore, duke përdorur ndaj tyre, në votimet e 2001-t, fyerje dhe epitete të ndyra. Kryetari i PDSH-së, Lulëzim Basha, nuk duhet të bëjë faje të tilla (sepse këto nuk janë gabime) ndaj duhet të kuptojë njëherë e mirë se, me shpurën e vjetër që humbi thellë në 23 Qershor, ai nuk mund të ringrejë më besimin tek demokratët e Elbasanit dhe Shqipërisë. Me delegatë si Ferdinand Xhaferri dhe të tjerët që ka caktuar në rrethe, vetëm sa do të thellojë inatin, mllefet dhe largimin e pjesës më të madhe të militantëve të poshtëruar dhe zhgënjyer në 8 vjet. Demokratët e Elbasanit duan nga zoti Basha të mos riciklojë autorët e dështimit dhe humbjes së thellë të PD-së në 23 Qershor 2013, njerëzit e përfolur, por të largojë çdo ish-drejtues lokal të akuzuar dhe të etiketuar nga populli, dhe institucionet, për shkelje ligjore, abuzime  postin dhe korrupsion. Demokratët e Elbasanit dhe gjithë Shqipërisë, nuk do të bashkohen kurrë rreth atyre që përfituan poste dhe miliona nga pushteti i PD-së në 8 vjet, dhe tani turren të kapin ndonjë kockë tjetër, duke kujtuar se do të rehabilitojnë emrin e tyre, duke bërë si viktima të Edi Ramës. Për PD-në duhet të nisë një stinë e re, me emra të rinj, me platformë të re politike, me strategji të re zhvillimi dhe perceptimi të situatave, ndryshe kjo parti do të jetë shumë gjatë, ndoshta edhe për 16 vjet në opozitë. Dhe kjo padyshim do të jetë shumë e dhimbshme, por e merituar për një parti politike, që nuk vetëkorrigjohet politikisht pas disfatave elektorale.

Të deleguarit e PD-së në rrethe

Berat- Ervin Minarolli

Kuçovë- Irena Progri

Skrapar- Niazi Kosovrasti

Dibër- Gazmend Dibra

Bulqizë- Armand Teliti

Mat- Hekuran Hoxholli

Durrës- Arben Ibroja

Krujë- Alfred Rrushaj

Fushë- Krujë Bledi Kasmi

Shijak- Ndriçim Babasi

Elbasan Ferdinand Xhaferri

Librazhd- Eris Hoxha

Gramsh- Osman Metalla

Peqin- Gent Malko

Fier -Ylli Asllani

Lushnje- Fatbardh Kadilli

Mallakastër- Ilir Rusmali

Patos- Leonard Olli

Gjirokastër- Arta Musaraj

Përmet- Aurel Bylykbashi

Tepelenë- Edvin Kulluri

Kukës- Mimoza Hajdarmata

Has- Xhevdet Mehmeti

Tropojë- Pal Dajçi

Korçë- Eno Bozdo

Devoll- Kreshnik Çollaku

Kolonjë- Ledina Aliolli

Pogradec- Fahri Balliu

Lezhë- Arben Sefgjini

Mirditë- Gjokë Uldedaj

Kurbin- Arben Qirjako

Shkodër- Gjergj Lezhja

M.e Madhe- Flamur Gjymyshka

Pukë- Nezir Haldeda

Kavajë- Tasim Mema

Vlorë-Enkelejd Alibeaj

Delvinë- Glori Husi

Sarandë- Taulant Bino