Demiraj – Edi Ramës: Policët që bëjnë fushatë dënohen me burg

507
Ministri i Brendshëm Dritan Demiraj ka reaguar fill pas deklaratës së Kryeministrit që ftoi policët të bënin fushatë në zgjedhje pasi të mbaronin orarin e shërbimit.
Demiraj e cilëson antiligjore thirrjen e kryeministrit Edi Rama, sot në Berat duke theksuar se policia e shtetit është e depolitizuar dhe e ka të ndaluar me ligj pjesëmarrjen në aktivitete politike.
Ai theksoi se Policia e Shtetit është nën monitorim të rreptë, dhe kushdo që do të kapet duke bërë fushatë rrezikon dënimin nga 1 deri në 5 vjet burg.
“Në momentin që lënë uniformën pas punës të përkushtohen për të marrë sa më shumë vota për PS. Në mënyrë që të mos e lejojmë rikthimin e hijes së turpit mbi uniformën blu që ne e kemi pastruar dhe lartësuar më shumë se asnjëherë më parë”, tha Rama sot në Berat gjatë një takimi elektoral në Berat. Deklarata e tij është kritikuar ashpër edhe nag PD dhe LSI.
Deklarata e plote e ministrit:
Kam një mesazh të qartë për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit që të mos ketë asnjë moment dyshimi se çdo përfshirje e tyre në aktivitete të partive politike do të ndëshkohet rreptësisht sipas përcaktimeve të ligjit.
Punonjësit e Policisë së Shtetit kanë marrë të gjithë trajnimin e nevojshëm ligjor për të kuptuar detyrimet dhe kufizimet që ata kanë në një process zgjedhor.
Ligji për Policinë e Shtetit Nr.108, 2014, Kreu i 11-të, detyrimet dhe kufizimet kryesore të punonjësit të Policisë, Neni 90-të i tij, përcakton qartësisht kufizimet në jetën politike të punonjësit të policisë të cilit i ndalohet:
a) të jetë anëtar i një partie ose organizate politike
b) të mbështesë fushatën e një partie, organizate politike, të një anëtari partie politike apo të një kandidati të pavarur duke marrë pjesë ose kontribuar fizikisht ose financiarisht.
Kodi Zgjedhor dhe udhëzimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve numër 7, viti 2009 i ndryshuar, Vendimit të Këshillit të Ministrave numër 473, datë 01.06.2017, përcaktojnë qartësisht këto kufizime ligjore.
Dua t’ju rikujtoj se Kodi Penal, i ndryshuar më 22 Maj 2017, në nenin 332 a parasheh se: “Shpërdorimi i autoritetit policor nga punonjësi i Policisë së Shtetit ose i Policisë së Burgjeve për të influencuar në mbështetjen e një partie politike ose kandidati në zgjedhje, nëpërmjet mosushtrimit të funksionit me paanësi sipas ligjit, pjesëmarrjes në veprimtari politike të një partie politike ose kandidati në zgjedhje, me kryerjen e çdo veprimi ose dhënien e urdhrave, këshillave apo çdo lloji tjetër propagande që favorizon një parti politike ose kandidat në zgjedhje, përbën vepër penale dhe dënohet me burgim nga një vit deri në pesë vjet.”
Më lejoni tju bëj me dije se Policia e Shtetit është në monitorim të rreptë prandaj i ftoj të gjithë punonjësit e saj që të respektojnë çdo gërmë të ligjit përndryshe masat do të jenë proporcionale me shkeljet e kryera.
Sigal