Delegacioni parlamentar shqiptar zhvillon seancën dëgjimore me Komisionin për Çështjet e BE-së, në Parlamentin e Holandës

489
Sigal

Delegacioni i Kuvendit të Shqipërisë,  zhvilloi sot seancën dëgjimore me Komisionin për Çështjet e BE-së,  në Parlamentin e Holandës. Në seancë, ishin të pranishëm Kryetari i Kuvendit z.Gramoz Ruçi, Kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së z.Taulant Balla, Kryetarja e Grupit Parlamentar Demokrat dhe Kryetare e Komisionit Parlamentar të Integrimit znj.Rudina Hajdari dhe Ambasadorja e Shqipërisë në Holandë,znj. Adia Sakiqi.

Në përgjigje të interesimit të deputetëve holandezë, Kryetari i Kuvendit, z. Ruçi u shpjegoi situatën politike në Shqipëri dhe nënvizoi se opozita ka pasur akses të plotë në administrimin dhe kontrollin e zgjedhjeve të vitit 2017 dhe vetë  i ka çertifikuar këto  zgjedhje;  ka gëzuar të gjitha kushtet dhe mundësitë për ushtrimin e  kompetencave parlamentare dhe të kontrollit të Qeverisë, por nuk i ka shfrytëzuar.

Deputetet e Komisionit kërkuan vlerësimin e delegacionit shqiptar nëse është apo jo gati Shqipëria për hapjen  e negociatave.  “Po, Shqipëria është gati për çeljen e negociatave në qershor sepse i ka bërë në mënyrë shembullore detyrat e saj të shtëpisë. Me reformën në drejtësi, si kryereforma e integrimit, Shqipëria ka dhënë një shembull jo vetëm për vendet aspirante, por edhe për vendet e BE-së”, – u përgjigj Kryetari i Kuvendit z.Gramoz Ruçi.

Ndërsa, Kryetarja e Grupit Parlamentar Demokrat dhe Kryetare e Komisionit Parlamentar të Integrimit znj.Rudina Hajdari nënvizoi: “Si anëtare e NATO-s prej dhjetë vjetësh, Shqipëria është një faktor stabiliteti, sigurie e paqeje në rajon e më gjerë. Hapja e negociatave është e rëndësishme për të mos braktisur orientimin dhe destinacionin europian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor. Jo vetëm Qeveria, por edhe opozita parlamentare mendon se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave në qershor. Hapja e negociatave do t’i japë impulse të reja bashkëpunimit të Shqipërisë me Holandën dhe vendet e BE-së në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe korrupsionit.”

Kryetari i Grupit Parlamentar  të PS-së,z. Taulant Balla nënvizoi:“Ne politikanët dhe vendim-marrësit duhet të dallojmë perceptimin mediatik nga perceptimi real  i njerëzve për kriminalitetin. Shqiptarët që punojnë e jetojnë në Holandë janë qytetarë normalë e dinjitozë, por demonizohen padrejtësisht nga media. Kriminelët nuk kanë as ngjyrë, as atdhe. Ata duhet tí luftojmë bashkërisht dhe qeveritë dhe policitë e Shqipërisë dhe Holandës po bëjnë pikërisht këtë.”

Deputetet e Komisionit vlerësuan mjaft pozitivisht konstatimin që Shqipëria po i kryen këto reforma sepse janë të rëndësishme, të dobishme dhe të dëshiruara nga qytetarët e saj, jo thjesht si kërkesa të hapjes së negociatave.

Deputetët holandezë vlerësuan gjithashtu bashkëpunimin efikas të Qeverisë shqiptare me Qeverinë e Holandës për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, i cili ka filluar të japë rezultatet e para, të cilat duhet të thellohen.

Në lidhje me Rezolutën e Parlamentit holandez për rivendosjen e vizave, deputetët e Komisionit pranuan se janë  të vetëdijshëm që kjo nuk mund të realizohet, por e interpretuan atë si një veprim sensibilizues për nxitjen e luftës kundër krimit.

Kjo seancë dëgjimorë u vlerësua nga Kryetari i Komisionit Weldman si e hapur dhe mjaft e dobishme për vazhdimin e dialogut dhe për të informuar mbi përpjekjet reale që po bën  Shqipëria për realizimin e prioriteteve kyçe të integrimit dhe  meritimin e hapjes së negociatave të anëtarësimit.