Dekriminalizimi/ Kuvendi publikon të dhënat: Të gjithë funksionarët dalin të padënuar

392
Sigal

Pasi ka administruar informacionet mbi gjendjet gjyqësore për të gjithë funksionarët që kanë dorëzuar formularët e vetëdeklarimit, Kuvendi i Shqipërisë i ka bërë publike të dhënat, duke nënvizuar se asnjë nga subjektet e verifikimit nuk ka rekorde të gjendjes gjyqësore në vend, pra rezultojnë të gjithë të padënuar nga gjykatat shqiptare.

“Nga verifikimi i kryer nga struktura e posaçme e ngritur në Kuvend, asnjë nga zyrtarët nuk ka deklaruar të jetë i dënuar nga gjykatat shqiptare, përveç rasteve të dënimit politik në kohën e diktaturës që nuk janë pjesë e këtij ligji.”- theksohet në njoftimin e Kuvendit.

Gjithashtu nga struktura e posaçme e Kuvendit, janë verifikuar emrat nominalë të zyrtarëve, të cilët kanë deklaruar ose jo ndryshime të emrave.

Sipas Kuvendit, “nga ky kontroll i strukturës, rezulton se shumë emra i referohen ndryshimeve të mbiemrit pas martesës apo dhe ndryshimit të mbiemrit si rrjedhoje e dekretit të Presidentit për marrje shtetësie si dhe korrigjimeve për shkak të gabimit material nga zyrat e gjendjes civile. Këto ndryshime janë të përputhura edhe me regjistrin e gjendjes civile të verifikuar nga zyra përkatëse e gjendjes civile”.

“Nga verifikimi i strukturës së posaçme, e krahasuar me të dhënat e zyrës së gjendjes civile, na rezulton se disa zyrtarë që kanë vetëdeklaruar ndryshime të emrit apo mbiemrit në kohë të ndryshme më të hershme , nuk rezultojnë me ndryshime të tilla në Regjistrin aktual referues të vitit 2010. Siç dhe arsyetohet në shkresën e Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile , konsultimi i plotë i këtyre të dhënave vijon në zyrat përkatëse të gjendjes civile ku ato figurojnë të regjistruar.”- bën të ditur Kuvendi.

Pas marrjes dhe administrimit te informacionit zyrtar shkresor nga Zyra e Gjendjes Civile dhe Zyra e Gjendjes Gjyqësore, informacioni i mbledhur me shpjegimet përkatëse për gjeneralitete të ndryshuara apo vendime të formës së prerë të marra jashtë Shqipërisë, në zbatim të ligjit 138/2015 , procesi do të vijojë duke i dërguar edhe njëherë Zyrës së Gjendjes Civile kërkesën për riverifikim për raste konkrete si dhe Prokurorisë së Përgjithshme , me qëllim verifikimin e plotë të të dhënave të plotësuara në formularin e vetëdeklarimit nga zyrtarët , subjekt të këtij verifikimi ligjor, për të vlerësuar të dhënat e administruara në përputhje me parashikimet e Vendimit nr.l7 /2016 të Kuvendit për ato zyrtarë që rezultojnë me identitet të ndryshëm apo nuk kanë deklaruar ndryshimet e raportuara sipas ZGJC dhe ata me vendime të gjykatave jashtë shtetit.

LIGJI
Ligji për dekriminalizimin parashikon që asnjë individ, që në të kaluarën është dënuar në gjykatat vendase apo të huaja, nuk do të ketë mundësi të zgjidhet apo të emërohet në ndonjë funksion publik.
Ndalohet të zgjidhen deputetë, kryetarë bashkie, këshilltarë në këshillin bashkiak; 2. Të emërohen në detyrën e Kryeministrit, apo anëtarit të Këshillit të Ministrave; 3. Të zgjidhen në funksione për të cilat voton Parlamenti, këshillat bashkiakë apo këshillat e qarkut; të gjithë personat e dënuar, brenda apo jashtë vendit, me vendime gjyqësore të formës së prerë, për një sërë krimesh të rënda të kryera me dashje e që përcaktohen shprehimisht në këtë ligj.

Refuzim për zgjedhje apo emërim për personat që janë dënuar për 79 vepra penale, si për shembull vrasje, shfrytëzimin i prostitucionit, vjedhje, korrupsion, rrëmbim personi, manipulime në zgjedhje. Ndalimi për të kandiduar dhe për t’u zgjedhur do të zbatohet edhe ndaj personave te dënuar nga gjykatat e shkallës së pare.