Dekriminalizimi i Kajmakut/ Zëri i Amerikës: PD nxjerr dokumentet e mediave greke për të shkuarën e kryebashkiakut të Vorës

246

Prokuroria i kërkon shenjat e gishtave, ndërkohë zbardhet çfarë ka shkruar gazeta greke “Ekathimerini”, në datën 15 janar 2003

“Zëri i Amerikës”: PD nxjerr dokumentet për të shkuarën e Kajmakut

Në Shqipëri, Partia Demokratike publikoi sot (dje) disa dokumente të autoriteteve greke, sipas të cilave kryebashkiaku i Vorës, Agim Kajmaku është arrestuar në Greqi nën emrin Jorgo Toto, për falsifikim monedhash dhe pasi është lënë i lirë i është shmangur gjykimit duke u kthyer në atdhe. Zoti Kajmaku, nga ana e tij, mohoi menjëherë akuzat, duke u shprehur se i qëndron deklaratave të mëparshme, se nuk ka qenë asnjëherë i dënuar apo i dëbuar nga Greqia apo ndonjë shtet tjetër i Bashkimit Evropian. Pasi prej ditësh ka drejtuar publikisht akuza ndaj kryebashkiakut socialist të Vorës, dhe i ka kërkuar Prokurorisë nisjen e verifikimeve, Partia demokratike nxori sot dokumentet që, sipas saj, vërtetojnë përfshirjen e zotit Kajmaku në një krim, të cilin ai nuk e ka deklaruar në formularët e dekriminalizimit. “Agim Kajmaku alias Jorgo Toto, i datëlindjes 1971, banues në Tiranë Shqipëri, është arrestuar në flagrancë në shtetin grek, në zonën e Janinës, më datë 14.01.2003 për veprën penale: “Përdorim dhe shpërndarje kartëmonedhash të falsifikuara”. Ai është arrestuar në flagrancë, duke u arratisur nga territori i shtetit grek. Krimi është kryer gjatë një transaksioni për blerjen e fidanëve dhe bimëve të tjera, dhe Agim Kajmaku ka përdorur identitetin e rremë Jorgo Toto, me atësi Thanas dhe amësi Parashqevi”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm të Partisë Demokratike Gazmend Bardhi, duke treguar një vendim të Prokurorisë dhe Gjykatës së Janinës, të Qershorit 2003. Sipas drejtuesit demokrat, zoti Kajmaku, që në atë kohë përdorte identitet tjetër, atë të Jorgo Totos, është lënë me detyrim paraqitje dhe vetëm pas disa muajsh autoritetet greke kanë urdhëruar arrestin me burg, por ndërkohë zoti Kajmaku, ishte kthyer në Shqipëri. “Sipas legjislacionit penal grek, gjykata ka vendosur pezullimin e gjykimit derisa ky shtetas të arrestohet ose t’i gjendet një adresë e saktë për t’i komunikuar akuzën. Sipas ligjit grek, në këtë lloj gjykimi, shtetasi duhet të jetë vetë prezent në gjykim, për shkak se bëhet fjalë për krime të rënda. ‘Më duhet të theksoj edhe një herë, se urdhri i arrestit të gjykatës greke nuk është ekzekutuar, pasi shtetasi Jorgo Toto nuk është gjendur në Greqi. Sipas dokumentacionit zyrtar të autoriteteve greke rezulton, e provuar se shtetasi Agim Kajmaku alias Jorgo Toto i është shmangur drejtësisë greke për përballjen me një akuzë, që parashikon të paktën 10 vjet burg. Ai ka të pa ekzekutuar një masë arresti me burg dhe nuk ka marrë kurrë pafajësinë mbi akuzën e ngritur nga Prokuroria greke. Pra, praktikisht është edhe sot nën procedim penal nga autoritetet greke, me një masë “arresti në burg” në fuqi”,- theksoi zoti Bardhi. Më herët zoti Kajmaku ka deklaruar se nuk ka qenë i dënuar apo dëbuar asnjëherë nga ndonjë shtet i BE, as nga Greqia. Ai ka pranuar se ka ndërruar emrin në Jorgo Toto, por se ka mbajtur të njëjtën atësi dhe mëmësi, ndërkohë që në dokumentet e publikuara nga Partia demokratike, personi Jorgo Toto, që sipas saj korrespondon me kryebashkiakun e Vorës, ka një atësi dhe mëmësi tjetër. Zoti Kajmaku ka publikuar gjithashtu dhe një dokument të lëshuar nga autoritetet greke që, sipas tij, dëshmon se ndaj tij nuk ka ndonjë dënim apo procedim penal. Edhe sot ai mohoi akuzat duke thënë se i qëndron deklarimeve të bëra më herët e duke folur sërish për një sulm politik. “Siguroj me bindje, në radhë të parë qytetarët e Vorës se i qëndroj pikë për pikë asaj që kam deklaruar edhe më herët lidhur për këtë sulm. Unë nuk jam marrë kurrë me trafiqe dhe krime”, shkruajti zoti Kajmaku në një postim në Facebook, ndërkohë që zyrtarisht Partia socialiste ka qëndruar në heshtje në debatin lidhur me të kaluarën e përfaqësuesit të saj. Pas reagimit të kryebashkiakut Kajmaku, kryetari demokrat Lulzim Basha iu rikthye çështjes. “Agim Kajmaku nuk mund të bëjë dot viktimën! Ai duhet të përballet me drejtësinë shqiptare dhe greke për fakte konkrete, të bëra publike nga Partia Demokratike dhe për të cilat nuk ka thënë asnjë fjalë. Përpara se të dalë nga Bashkia e Vorës me pranga në duar, Agim Kajmaku duhet t’i japë përgjigje një pyetjeje shumë të thjeshtë: A është ai personi i arrestuar në flagrancë, në janar 2003 me emrin Jorgo Toto?”, shkruajti zoti Basha në Facebook. Tashmë duket se gjithçka mbetet të qartësohet nga ballafaqimi i shenjave të gishtave. Prokuroria e ka thirrur zotin Kajmaku për të bërë depozitimin e tyre, në mënyrë që t’ia dërgojë autoriteteve greke për t’i krahasuar me ato të personit që është arrestuar në 2003. Nëse kjo do të vërtetohet, Kajmaku do të bëhej kryebashkiaku i dytë socialist, me precedentë në të shkuarën, pas atij të Shkodrës, Valdrin Pjetri.

Prokuroria kërkon shenjat e gishtave për Agim Kajmakun

Kryebashkiakut të Vorës, të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, i kërkohet të depozitojë gjurmët e gishtave. Kërkesa e përpiluar të premten, e 23 gushtit, nga Sektori i dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme mbërriti në zyrën e bashkisë së Kajmakut mëngjesin e djeshëm 26 gusht. Burime pranë prokurorisë bëjnë me dije se Kajmakut i kërkohet të paraqitet vullnetarisht pranë laboratorit të Policisë Shkencore për depozitimin e shenjave të gishtave. Po kështu prokuroria do dërgojë letër-porosi autoriteteve të Janinës informacionet që ata disponojnë për këtë rast. Siç mësohet nga prokuroria, gjurmët e gishtave të Kajmakut nevojiten për shkak të ndryshimit të emrit. Sipas PD, kryebashkiaku socialist i Vorës, Agim Kajmaku, rezulton të ketë qenë i dënuar dhe më pas i dëbuar nga Greqia, më 14 Janar 2003 me identitetin Jorgo Toto, atësi Thanas dhe amësi Parashqevi. Oficerët e policisë gjyqësore po hartojnë kërkesën që do i drejtohet autoriteteve greke për të marrë kopje të akteve të policisë së Janinës në lidhje me ndalimin, arrestimin dhe shpalljen në kërkim. Kërkesa mban dhe dy emrat; Agim Kajmaku dhe Jorgo Toto.

 

“Ekathimerini” në datën 15 janar 2003: Euro të falsifikuara

Kajmaku nga ana i tij ka përgënjeshtruar akuzat, duke deklaruar se nuk është marrë me trafiqe apo krime. Ai ka pranuar se ka qenë emigrant në Greqi, sikundër ka sqaruar se ka lëvizur për shkak të biznesit të tij, në vendet e BE, pa pasur probleme. Por si e ka trajtuar media greke ndalimin e 3 shqiptarëve, në 14 janar 2003, njëri prej të cilëve ka qenë edhe Jorgo Toto. “Ekathimerini” në datën 15 janar 2003 shkruan: “Euro të falsifikuara. Policia në Greqinë veriore arrestoi dje tre shqiptarë, të cilët kishin përdorur 97 kartëmonedha të falsifikuara 50 euroshe për të blerë fidanë agrumesh në Arta. Ata u arrestuan përpara se të mund të kalonin kufirin në Shqipëri. Jorgo Toto, 32 vjeç, Roland Biftari, 28 vjeç dhe Spyros Taho, 42 vjeç, paguan gjithsej 12,000 euro për fidanët”. Referuar shkrimit, që duket se pasqyron thjesht komunikatën e policisë, Jorgo Toto në atë kohë 32 vjeç, sot është 48 vjeç.