Dekriminalizimi, 2 eurodeputetët: PD e PS ranë dakord me propozimet tona

452
Sigal

TIRANE – Pas vizitave të dy eurodeputetëve në Tiranë, Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan, për të gjetur një rrugë për dialog politik mes mazhorancës dhe opozitës, ata kanë publikuar një deklaratë për ecurinë e bisedimeve. 

Ne kemi siguruar partnerët tanë politike në Shqipëri për mbështetjen e vazhdueshme të grupeve tona politike në procesin e integrimit evropian. Gjatë ditëve të fundit ne kemi demonstruar këtë mbështetje për t’u angazhuar në rinovimin e dialogut politik mes mazhorancës dhe opozitës, duke inkurajuar opozitën për t’i dhënë fund bojkotit të Parlamentit”, theksohet në deklaratën e përbashkët të Knut Fleckenstein dhe Eduard Kukan. 

Dy eurodeputetët theksojnë se Shqipëria ka nevojë për dialog politik të qëndrueshëm dhe konstruktiv midis mazhorancës dhe opozitës në mënyrë që të plotësojnë ambiciet evropiane të qytetarëve të saj. 

Knut e Kukan theksojnë se kjo është një përgjegjësi e përbashkët e të dy palëve për të krijuar kushte dhe të sigurojnë që dialogu i tillë të zhvillohet në Parlament.

Sipas deklaratës palët politike kanë rënë dakord mbi propozimet e dy eurodeputetëve në lidhje parimet e bashkëpunimit në Parlament. 

Një nga pikat më të rëndësishme të marrëveshjes mes mazhorancës dhe opozitës është dekriminalizimi i Kuvendit.

“Tani ne inkurajojmë udhëheqësit politikë në Shqipëri për të vazhduar dhe të shtojnë përpjekjet e tyre për të finalizuar zgjidhje të qëndrueshme për punën efikase të Parlamentit dhe të konfirmojnë marrëveshjen e tyre në formë të rezolute të përbashkët në Parlament. Politikanët shqiptarë duhet të marrin përgjegjësitë për funksionimin efektiv të institucioneve demokratike në vend” theksohet në deklaratën e dy eurodeputetëve. 

Knut e Kukan theksojnë se mbështesin përpjekjet e mëtejshme për të rivendosur dialogun ndërpartiak, që sipas tyre është thelbësore për procesin e integrimit në BE dhe besueshmërinë e Shqipërisë në BE.