Deklaratat për tkurrjen e LSI/ Kryemadhi: Pema që ka kokrra sulmohet, sulmohemi se kemi prishur qetësinë e te mëdhenjve

64
Sigal

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi në një intervistë dhënë për gazetarin Rezar Xhaxhiu në FaxNews, tha se LSI po sulmohet sepse ka prishur qetësinë e të mëdhenjve.

Pse ju sulmojnë duke ju thënë që po tkurret LSI-ja, po zvogëlohet LSI-ja?
Nëse do tkurrej, pse do flisnin atëherë? Pema që ka kokrra qëllohet.
Si shpjegohet që juve si forcë asnjëherë nuk jeni pëlqyer nga dy të mëdhenjtë?
Sepse kemi prishur terezinë. Kemi prishur normalitetin e tyre. Kemi prishur po themi një status quo, të cilën kërkon ta bënin 8 vjet njëri, 8 vjet tjetri. Por ajo që është e rëndësishme, është që të gjitha partitë politike, edhe LSI-ja, kanë nevojë për një kataklizmo, një përmbysje brenda partive, për të sjellë vizione të reja, emocione të reja, imazhe të reja, versione të reja. Sepse luftërat bëhen me rini, por shteti ndërtohet me pjekuri.

Kryemadhi: Pjesëmarrja në votime është më e rëndësishme se sa rezultati i LSI

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi në një intervistë dhënë për gazetarin Rezar Xhaxhiu në FaxNews, ka folur për ditën e zgjedhjeve. Për kryetaren e LSI, dalja në zgjedhje në 25 prill është shumë më e rëndësishme se sa rezultati që do të marrë ajo si parti.
Dhe këtë Kryemadhi e arsyeton me disa shkaqe.

Pjesë nga intervista e kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi:

Rezar Xhaxhiu: Monika Kryemadhi ngul këmbë te 34-shja.

Kryemadhi: Minimumi. Mos bëjmë garë numrash. Të falënderoj për këtë mundësi. Ajo që dua të theksoj për numrat që ju thatë është, numrat tashmë janë kthyer si numra bingoje, që bëhet në një farë mënyrë lojë numrash saqë për ne si LSI dhe unë si Monikë, gjëja më e rëndësishme është që të orientojmë dhe të çojmë qytetarët që të votojnë. Një pjesëmarrje e madhe e qytetarëve në votime do ti japë shansin dhe mundësitë një ndryshimi të jashtëzakonshëm. Sepse sot qytetarët më shumë se kurrë e kanë të domosdoshme që nëpërmjet votës së tyre të tregojë jo vetëm verdiktin, por edhe kur ata duan të ndëshkojnë dikë e ndëshkojnë nëpërmjet votës dhe kur duan ta vlerësojnë, e vlerësojnë përmes votës.
Xhaxhiu: Si do më bëjë mua, LSI, PD të dielën të më ngrejë nga divani e të votoj për ju, sepse shtresa e mesme është shumë nazike.

Kryemadhi: Është nazike, pak egocentriste. Ka një gjë, në këto 4 vitet e fundit ne shkatërruam shtresën e mesme, nuk ka më shtresë të mesme, është bërë shtresë e varfër. Shtresë e varfër sot është pedagogu në universitet, intelektuali, punonjësi i administratës, biznesmeni i mbytur në borxhe, qytetari që ka listën e ushqimeve borxh në dyqane. Sot 90% e Shqipërisë është e varfër dhe sot nuk është një shtresë e varfër që është nazelie për të thënë cili është programi ynë. Sot pjesa më e madhe e shqiptarëve është e varfër pasi paguajnë taksa më shumë, çmime më të larta, fatura më të shtrenjta. Sot vetëm 1 makinë për ta parkuar në lagjen e tij, duhet ta paguajë 1 mijë lekë orën, për të mos vazhduar më pastaj me historitë e taksave të tmerrshme që paguajnë për Bashkinë e Tiranës dhe qeverinë.

Xhaxhiu: Po shtresa e mesme është mosbesuese…
Kryemadhi: Ka ardhur mosbesimi nga indiferenca e qytetarëve, mosbesimi ka ardhur duke mos i treguar politikanit, deputetit, kryetari të Bashkisë, se ti je aty për shkak të votës time apo mos votës time. E duke mos votuar, ne e fuqizojmë më shumë këtë arrogancë apo sjellje të politikës. Duke shkuar për të votuar dhe duke e ndëshkuar me votë këtë sjellje, atëherë çfarë ndodh dhe tjetra, kjo shtresa nazike, shtresa e mesme që është palca dhe shtylla kurrizore e shoqërisë shqiptare është shtresa që duhet të jetë më aktive që të votojë sot. Se një intelektual, avokat, nënpunës që ka një pagë mbi 80 mijë lekë do të shkojë të votojë, se problemi nuk është te paga, por tek shkollimi, shërbimi shëndetësor. Një nga problemet më të mëdha që ka Shqipëria është largimi i trurit. Edhe këta pak njerëz me arsim që na kanë ngelur, por largohen për shkak të mungesës se infrastrukturës së të jetuarit dhe kontributit në shoqëri.

Kryemadhi: Sondazhet nuk janë politikë, por janë gjoba. Mbështetësit e LSI të palexueshëm të qëndrueshëm dhe luftëtarë

Për kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi sondazhet e organizuara nuk janë reale, por janë gjoba që vendosin sondazhuesit.
Në një intervistë dhënë për gazetarin Rezar Xhaxhiu në FaxNews, Kryemadhi ka treguar se mbështetësit e LSI-së janë të palexuesshëm dhe qëndrestar.
Pjesë nga intervista e kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi:
Çfarë do t’i bëjmë sondazheve që janë të pamëshirshme? Sondazhet ju nxjerrin në shifra alarmante
Shikoni çfarë fature kanë sondazhet. Gjithmonë sondazhet e kanë nxjerrë LSI në shifra alarmante, në 2013 as 3 mandate nuk i dhanë LSI-së dhe LSI-ja mori 19 mandate. Votuesi i LSI-së është i palexueshëm, e para. E dyta, votuesi i LSI-së është votues i qëndrueshëm dhe është guerrilas për hir të së vërtetës. Dhe tjetra, unë kam qenë ndër të parat që kam bërë sondazhe në Shqipëri, kur nuk e bënte asnjeri sondazhin në politikë, nuk e dinin që ekzistonte sondazhi politik. Sondazhet e 10 ditëve të fundit nuk janë sondazhe votash, janë sondazhe gjobash, gjoba ndaj partive politike apo individëve të caktuar, mjafton të shikoni faturat financiare që paguhen pas këtyre kompanive, do të kuptoni se cili është qëllimi i këtyre sondazheve. Unë mendoj që ne duhet të bëjmë sondazh për sondazhet dhe kjo është kryesore. Por mendoj që të gjithë qytetarët po t’i pyesësh a janë më të varfër, a paguajnë më shumë para, a paguajnë më shumë taksa, a janë papunë, a kanë falimentuar bizneset, ky është sondazhi më i mirë për ne.