Dëgjoni këshillat e Organizatës Botërore!

20

Nga Kastriot Islami

Mirë që të mençurit dhe ekspertët nuk dëgjohen. Mirë që eksperienca e vendeve të suksesshme nuk përfillet. Mirë shqetësimet e qytetarëve nuk dëgjohen e madje përgjigjet ndaj tyre janë policore e penalizuese. Mirë që kryesisht injoranca e paaftësia komandojnë, madje në mungesë të plotë transparence. Por përse shpërfillen edhe këshillat e OBSH?!

Arsyetimi se “është vonë për të zbatuar këto këshilla…” është në rastin më të mirë jo-adekuat, sepse vonë mund të jetë por “më mirë vonë se kurrë” dhe në realitet po të ndiqen me vëmendje arsyetimet e OBSH rezulton se “asnjëherë s’është vonë”.

OBSH ka deklaruar se “virusi mund të ringjallet…!” Ai mbetet “armiku publik numër një”! Për një kohë të pacaktuar.

Për rrjedhojë, gjithçka mund të bëhet sot duhet bërë sot, qoftë edhe me vonesë, siç mund të thonë disa, do të ketë me siguri ndikim pozitiv nesër, sepse kjo betejë e gjatë nuk mbaron as nesër, as pas një jave dhe as pas një muaji. Mbajeni mënd mirë dhe nguliteni në mëndje! Kjo sidomos për ata që marrin vendime!

Aq më tepër që OBSH i jep këto këshilla jo vetëm bazuar në eksperiencat e suksesshme në vende të tjera apo në analizat e saj shumë dimensionale, por edhe për një arsye tjetër, më konkretisht edhe për të kaluar në një regjim masash më pak drastike apo për të filluar zbutjen e tyre graduale. Me qënë se në shumë shtete, madje edhe shumë të zhvilluara e të pasura, ku është dashur të futen edhe policia, ushtria e penalitetet, qytetarët s’po arrijnë t’i suportojnë ato me efikasitet, sepse janë shumë strikte apo në disa vende të tjera gjendja ekonomike është aq e dobët sa që është pothuajse e pamundur që qytetarët ti përballojnë ato nga pikëpamja sociale e ekonomike, aq më pak nëse bëhet fjalë për një kohë të gjatë.

Dëgjojini me vemëndje arsyetimet dhe këshillat e OBSH…! Lërini kundërshtitë! Sidomos Shqipëria nuk ka ku të gjejë ekspertizë më të mirë dhe këshilla më të vlefshme! Ja disa nga këshillat që duhen pasur parasysh dhe duhen shqyrtuar urgjentisht edhe në rast se ato nuk zbatohen menjëherë:

Së  pari, ngritja e një sistemi për identifikimin apo gjetjen (maksimalisht të mundshëm) të të gjithë rasteve të infektuara apo të dyshuara, me simptoma të forta, të buta apo pa simptoma, konsiderohet mënyra më e mirë apo efikase për të parandaluar përhapjen e virusit. Aq më tepër që edhe nëse mendohet se është kaluar faza e “pikut” sepse “virusi” mund të ringjallet dhe epidemia të rikthehet…

Së dyti, duhet bërë “testimi masiv”. Aktualisht Koreja e Jugut prodhon 100 mijë kite testimi në ditë dhe 17 vende kanë nisur eksportimin e tyre. Po ashtu Britania e Madhe ka deklaruar se do të fillojë të prodhojë kite testimi që kushtojnë 1 paund një testim, dhe që rezultati është i menjëhershëm.

Së treti, nga rezultatet e testimit duhet bërë izolimi i menjëhershëm i të gjithë atyre që rezultojnë “pozitivë”.

Së katërti duhet të fillojë menjëherë identifikimi e gjurmimi i “personave të kontaktit”, pra i personave të familjes, punës, të afërm, të shoqërisë e tjerë që kanë qenë në kontakt me të gjithë ata që kanë rezultuar “pozitivë”. Identifikimi dhe ndjekja e tyre duhet të jenë strikte, jo vetëm për sa i përket izolimit/karantinimit por edhe nëse ata paraqesin simptoma, duke u mbajtur nën vëzhgim dhe duke kryer testimin nëse paraqitet nevoja.

Së pesti, paralelisht duhet te kryhet trajtimi i specializuar i të gjithë rasteve serioze e kritike, pra i të gjithë atyre që kanë rezultuar “pozitivë’ dhe paraqesin simptoma të forta apo janë në gjendje “serioze apo kritike”…

Këto masa mendohet se ndihmojnë për të parandaluar apo reduktuar shpejtësinë e përhapjes së virusit duke qënë jo vetëm më efikase se masat drastike (masat e distancimit social s’janë masa drastike) por edhe më të tolerueshme nga qytetarët e më të dobishme në aspektin social e ekonomik, aq më tepër po të kemi parasysh se kjo mund të jetë një betejë e gjatë…

Synimi është të parandalohet e kontrollohet sa më mirë përhapja e sëmundjes, të ndahen sa më mirë ato që janë të prekur apo bartës të dyshuar të virusit nga ata që janë të “paprekur”…Ndërkohë që reduktimi i përhapjes apo kontrollimi i shpejtësisë së përhapjes (thënë ndryshe përkulja e kurbës së përhapjes së virusit) ndikon maksimalisht edhe në këto aspekte:

-Ul numrin total të rasteve me koronavirus dhe për rrjedhojë edhe të rasteve kritike;

-Lehtëson sistemin shëndetësor për të mundësuar trajtimin me “qetësi” e rasteve kritike dhe pengon “përmbytjen” e sistemit shëndetësor, duke ndihmuar njëkohësisht në uljen e numrit të vdekjeve që mendohet se mund të reduktohet deri në dy herë.

-Ndihmon të kryhet sa më mirë skanimi i popullsisë në raport me infektimin nga virusi.

-Jep mundësi që ekonomia të mos bjerë në kolaps e gjithçka të vazhdojë të funksionojë për të përballuar këtë situatë, qoftë edhe në afatgjatë.

Këto këshilla të vlefshme dhe pa asnjë dyshim efikase, do mund të merren në konsideratë e të zbatohen vetëm me përgjegjshmëri, profesionalizëm e transparencë.