Dëgjesa me Metën në Presidencë për “detin”, Gjosha: Duhet marrëveshje e drejtë për të dyja palët

635
Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, thotë se arritja e një marrëveshje të mirë për çështjen e detit është në interes të dy vendeve, Shqipëri-Greqi. Pas takimit me presidentin Meta në kuadër të negociatave për këtë marrëveshje, deputetja e LSI u shpreh para mediave se transparenca është një element i rëndësishëm.
Duke folur për mediat, Gjosha vlerësoi qëndrimin e Presidentit Meta për të respektuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Dëshiroj të falënderoj sot Presidentin Meta që iu përgjigj thirrjes së opozitës pas seancës dëgjimore në Komisionin e Jashtëm, për të pasur një diskutim me të. Ky takim ishte dhe në kuadër të transparencës për të kuptuar të gjitha çështjet që po diskutohen, apo edhe ngërçet që mund të ketë pasur në komunikimet mes Ministrisë së Jashtme dhe Presidencës. Ishte një takim tejet konstruktiv. Pas një kohe të gjatë që po diskutohet çështja e detit dhe mosmarrëveshjet që ka Shqipëria me Greqinë, mendoj se nga ky takim doli qartë që vendimi i Gjykatës Kushtetuese, tashmë është një normë kushtetuese. Realisht ajo është vija e kuqe e të gjithë negociatave që do të kryhen, por edhe për informacionin që sot po kërkohet të vihet në dispozicion, në mënyrë që të jepet më pas një dritë jeshile për të vijuar me përfundimin e marrëveshjeve. Ne jemi të gatshëm të kontribuojmë sa më shumë, jo vetëm që kjo marrëveshje të jetë më e mirë, por edhe të jetë më e drejtë për qytetarët shqiptarë dhe për palën greke. Mos harrojmë që Greqia është një vend fqinj dhe është në interesin tonë një marrëdhënie sa më të mirë dhe të mos kemi çështje të hapura, aq më tepër sot kur bëhet fjalë edhe pas publikimit të strategjisë së zgjerimit, ku realisht është një detyrë marrëdhënia me fqinjët dhe zgjidhja e të gjithë çështjeve të mbartura, deri në anëtarësimin e plotë në BE”, u shpreh deputetja e LSI, Klajda Gjosha.
Sigal