Debati mes ekspertëve/ Kume: Nuk do të mbyllen të gjithë problematikat. Zguri: Problem është administrata

648
Teknologjia në zgjedhje, Kume: Nuk do të mbyllë të gjitha problematikat
Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, e konsideron të nevojshme futjen e teknologjisë në zgjedhje, por ai thotë se Shqipëria ka përvojë negative në këtë fushë
Teknologjia në zgjedhje, ishte në fokus të një tryeze organizuar nga OSBE paraditen e djeshme. Folën përfaqësues të organizmave ndërkombëtare, foli edhe ambasadori Donald Lu. Po kështu folën edhe dy bashkëkryetarët e komisionit të reformës Zgjedhore, Bledi Çuçi dhe Oerd Bylykbashi. Lidhur me këtë temë foli edhe Kryetari i Komisionit të Zgjedhjeve Klement Zguri. Theksi ishte vetëm tek përdorimi i teknologjisë në zgjedhje, me qëllim shmangien e votimit në letër. Shqipëria ka dështuar një herë në këtë projekt pilot në vitin 2013. Lidhur me këtë risi, e cila mund të futet në procesin zgjedhor, ka dhënë mendimin e tij edhe ish-kreu i KQZ-së, Kristaq Kume. Sipas tij, futja e teknologjisë nuk do të mund të zhduke vjedhjen e votës, por ajo mund të eliminojë vetëm shitblerjen e komisionerëve. 
Zoti Kume, a ka mundësi vendi ynë të aplikojë teknologjinë në zgjedhje?
Nëse palët bien dakord që të përdorin mundësitë që ka teknologjia e informacionit në administrimin e procesit zgjedhur, kjo është e mundshme të realizohet. Natyrisht, për sa kohë që ne nuk kemi asnjë përvojë pozitive në këtë fushë, por kemi vetëm një përpjekje të dështuar dhe këtu kam parasysh dy projektet pilote që nuk u realizuan dot, vlerësojë se është e nevojshme që, jo vetëm duhet të jemi shumë të kujdesshëm në përdorimin e teknologjisë, por për çdo rast të jemi të përgatitur edhe nëse gjatë këtij përdorimi mund të hasemi me situata bllokuese. Ligji duhet të parashikojë edhe rastet kur procesi i teknologjisë nuk mund të ec.

Si mund të realizohet një proces i tillë?
Për mua e rëndësishme është që palët në dakordësinë e tyre të kenë gjithmonë mundësinë që jep teknologjia, për të lehtësuar procesin dhe jo ta shohin atë si mundësi për të rritur besimin në procesin zgjedhur. Pra, dokordësia për ta përdorur teknologjinë duhet të jetë e shoqëruar me besimin për rezultatin që merret përmes saj. 

Dhe e dyta nëse do të bien dakord, duhet të fillohet nga sot që të mos jemi nesër përpara presionit të kohës në pamundësinë për ta realizuar. Përveç vullnetit kërkohen para. Një moment tjetër shumë i rëndësishëm është të biem dakord se çfarë do të kuptojmë me teknologji të procesit. Në cilat procedura kjo teknologji do të përdoret.

Nëse do të kërkohet që tek ne të përdoret votimi elektronik si një mundësi e zgjedhësit shqiptar për të votuar pa qenë nevoja për të shkuar në qendrat e votimit, kjo do të ishte një gjë shumë e guximshme dhe në vlerësimin tim shumë e diskutueshme. 

Pse është kërkuar përdorimi i saj?
Ndër arsyet pse është kërkuar përdorimi i saj ka qenë shmangia sa më shumë e efektit negativ që sjell komisioneri në administrimin e procesit. Në përgjithësi në qendrën e votimit, kjo ka qenë kryesorja deri sot, procesi i administrimit të votës nga njeriu, dhe këtë gjë ta bëjë teknologjia, gjë që zgjidhet duke përdorur mundësitë për të votuar, jo me fletë votimi por me anë të teknologjisë, për përdorimin e kontrollit, identifikimin biometrik, që do të thotë që në qendrat e votimit zgjedhësi të mos ketë punë me komisionerët, por me teknologjinë. Dhe, nëse pas kësaj gjithë procedura e mëtejshme realizohet si një cikël i mbyllur brenda qendrës së votimit, për mendimin tim zgjidhet problemi për të cilin kërkohet përdorimi i kësaj teknologjie, pra shmanget komisionari dhe ngushtohet hapësira për të keqpërdorur teknologjinë e informacionit. Sepse edhe kjo është e ekspozuar ndaj hakerimit..Për këtë ia vlen për të investuar.

Sa mendon se mund të kushtojë një projekt i tillë?
Nuk mund të them dot shifra. Por edhe mënyra që ne përdorim sot nuk është pak. Për një votë sot shpenzohen 5-6 euro. Nuk duhet të jetë për mua çështje parashë, por për sa kohë procesi zgjedhor tek ne deri sot ka qenë i atakuar me rezultatet që ai ka dhënë, ia vlen që ne të shpenzojmë, por nuk është se me këtë mënyrë ne zgjidhim çdo problem.

A i zgjidh të gjitha problemet teknologjia?
Ajo nuk e zgjidh fare problemin e shit-blerjes së votës, por eliminon shitblerjen e komisionerëve. Nuk është porta e artë që, po u hap gjithçka do jetë pas asnjë problem. Ajo jep mundësi dhe lehtëson miradministrimin e procesit. 

Për mua në vlerësimin tim, referuar edhe rekomandimit të ekspertëve ndërkombëtarë, kjo duhet të bëhet hap pas hapi dhe jo menjëherë. Fillimisht të realizohet në disa bashki për zgjedhjet lokale. Më pas të shihen problemet dhe kjo gjë do të bënte të mundur aplikimin në zgjedhjet parlamentare. 
Zguri: Teknologjitë në zgjedhje të domosdoshme, ne vuajmë nga administratë e politizuar
Në konferencën për teknologjinë në zgjedhje, kreu i KQZ, Klement Zguri deklaroi se Shqipëria është mjedis ideal për zhvillimin e debatit rreth teknologjisë. “Debati rreth teknologjive në zgjedhje është prezent në Shqipëri së paku nga viti 2008. Shqiptarët, si popull me demokraci të re, e kanë nisur këtë debat nga zero dhe kishin mundësinë t’i jepnin atij një qasje racionale, apo të kujdesshme, konservatore, dyshuese, mosbesuese, eventualisht progresive (dmth me hapa vazhdues), apo metodike, eksperimentale, shkencore, të sigurt apo të suksesshme. Faktikisht, ne pothuajse nuk kemi pasur vëmendje për asnjërën nga këto qasje. Qasja jonë është (dhe ne jemi krenarë për këtë) qasje entuziaste. Ne besojmë se Shqipëria ka nevojë të adoptojë në zgjedhje teknologjitë më të avancuara, t’i adoptojë ato lidhur me çdo aspekt të zgjedhjeve, t’i adoptojë pavarësisht nga kostot dhe potencialet materiale apo intelektuale të vendit, t’i adoptojë ato sot dhe t’i vejë në zbatim po sot. Ne kemi një administratë zgjedhore të politizuar skajshëm, e cila jo rrallë, për këtë shkak, në rrugë e sipër bëhet konfliktuale, penguese, bllokuese dhe dëmtuese për standardin zgjedhor. Prandaj ne duam teknologjinë në zgjedhje, sepse besojmë tek efekti neutralizues i teknologjisë mbi administratën zgjedhore. Ne ende kemi praktika të këqija apo manipulative në zgjedhje, fenomene si shitblerja e votave apo pengimi i zgjedhësve për të ushtruar lirisht vullnetin e tyre. Prandaj ne duam teknologjinë në zgjedhje, sepse besojmë se teknologjia i mban larg keqbërësit. Ne nuk kemi frikë se mbivlerësojmë teknologjinë në votim dhe në numërimin e votave, nuk kemi frikë se krijojmë perceptimin për teknologjinë, si zgjidhja e të gjitha problemeve zgjedhore në Shqipëri.”, tha Zguri
Sigal