Debatet në Grupin Parlamentar/ Ja deputetët e PD që ia kërkuan dorëheqjen në sy Lulzim Bashës

237
Sigal

Lulzim Basha vijon të përballet me kërkesat e deputetëve të Partisë Demokratike për tu dorëhequr dhe për të hapur rrugën e riorganizimit të PD.

Në mbledhjen që po zhvillohet në selinë e PD, Basha ka tentuar të trembë deputetët me skenarin e rikthimit të Sali Berishës në krye të partisë, duke theksuar se në këtë mënyrë ai do të përdorte partinë për hallin e tij, atë të shpalljes “non grata”.

Në kushtet kur u përball me alternativën që të largohej ai dhe Berisha, dhe ti hapej rruga riorganizimit të PD, Basha nxorri si argument për humbjen e zgjedhjeve kurthin që i kishin ngritur, ndërsa i qëndroi idesë se ai nuk ka humbur.

Në debatet në grupin parlamentar, ku mungojnë disa nga deputetët që kanë mbështetur Bashën, deputetja e PD-së, Emilia Koliqi i ka kërkuar kryedemokratit Lulzim Basha që të japë dorëheqje.

“Bëj deklarate dorëheqjeje. Saliu është i ikur. Largohu që të bashkojmë partinë pa Berishën”, mësohet të jetë shprehur deputetja e qarkut të Shkodrës.

Më parë ishte Ferdinad Xhaferri që duke iu drejtuar Bashës i tha: “jam me i vjetri dhe me eksperience, s’kam ambicie por pergjegjesi për PD. Berisha s’eshte zgjidhje dhe e ka mbyll me PD por ti na ke fyer kur thua skam humbur asnje gare. Duhet te largohesh si kryetar”.

I ashpër në mbledhje ka qenë edhe Dashnor Sula: “Cila është zgjidhja kryetar? Se keshtu mund te na thuash perseri. Si i jep zgjidhje? Ke pergjegjesi ti dhe ne. Nuk na beson më asnjë kështu” ka pyetur ai.

Ndërsa Helidon Bushati duke reaguar i ka thënë: “duhet zgjedhje përtej egove tona, duhet të ikesh.

Tomorr Alizoti, gjithashtu ka kërkuar largimin e menjëhershëm të Lulzim Bashës nga drejtimi i Partisë Demokratike, pas rezultateve zhgënjyese të 6 Marsit.

Gjithashtu Agron Gjekmarkaj ka goditur fort duke dhënë personalisht dorëheqjen. “Në zgjedhjet e pjesshme të 6 Marsit, Partia Demokratike pësoi një humbje tronditëse duke tejkaluar çdo parashikim ogurzi. Përtej çdo rrethane kundër nesh, sado të dukshme e turpëruese, ne nuk mund të akuzojmë askënd pos vetes. Çdo justifikim është i papranueshëm! Unë, prej dy muajsh jam njëri prej katër Nënkryetarëve të PD-së dhe jam i gatshëm të mbaj përgjegjësinë time. Nuk do t’i shmangem asaj për asnjë arsye apo interes që bie në kundërshtim me vullnetin e shoqërisë dhe parimet e mia etike” deklaroi ai.

Ndërsa Grida Duma fajësoi direkt Lulzim Bashën për dështimin e PD- së zgjedhjet e 6 marsit. “Është dëshpërues rezultati, në një menyrë apo një tjetër i papritur. Pa diskutim duhet të merren vendime të rëndësishme dhe përgjegjësi duke përfshirë edhe kryetarin e partisë”, ishte mesazhi i saj. “Ditë e tmerrshme”, e quajti Ervin Salianji rezultatin e PD në zgjedhjet e 6 marsit.

I pyetur nëse Basha duhet të mbajë përgjegjësi për dështimin, Salianji tha: “Padiskutim”!

Deputetja Ilda Dhori gjithashtu i ka kërkuar Bashës të largohet. “Duhet të hapet gara në PD. Berisha e ka mbyll duhet të zgjedhin demokratët cili na bashkon”, tha ajo.

Një tjetër deputet që ka kërkuar largimin e Bashës ishte deputeti Lefter Gështenja, i cili ka thënë: “duhet të bësh një hap pas ti, dhe më pas ne, duhet të shkojmë drejt bashkimit, nëse na dhimbset kjo parti”.